Shqiptarët do t’i besonin sërish kryeministrit Edi Rama një mandat të katërt, sipas të dhënave të sondazhit të Piepolit në bashkëpunim me Report Tv. Tashmë që u përmbyll një javë fushatë elektorale, shifrat tregojnë se PS do të fitonte me 46-50% të votave. Avantazhi i PS vijon të jetë i qëndrueshëm, po ta krahasojmë edhe me rezultatet e një jave më parë ku me pothuajse me të njëjtat shifra, 46,5-50,5% do merrte mandatin e katërt. Rama thellon fitoren krahasuar me rezultatet e 2021 që u konfirmua në krye të qeverisë me 48,7% të votave.
Ndërkohë, koalicioni PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore i udhëhequr nga Sali Berisha qëndron në të njëjtat kuota si në sondazhin e mëparshëm (10 prill), duke mos kaluar 33-37%, një rënie e ndjeshme krahasuar me rezultatin e bashkuar të PD-së në vitin 2021, që ishte 46,3%.
Forcë e tretë mbetet koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapajt, i cili sipas rezultateve të sondazhit do të merrte 7-9% të votave, një rritje e lehtë krahasuar me të dhënat e një jave më parë, kur merrte 6.5-8.5%.
Partia “Mundësia” e Agron Shehajt, nga ana tjetër, ka shënuar një ulje të lehtë në sondazhin e 17 prillit, duke kaluar nga 4-6% në 3.5-5.5%, por mbetet forcë e katërt.
Partia Social Demokrate (Tom Doshi) mbetet e qëndrueshme në vlerat 1-3%, duke ruajtur pozicionin e vet në sondazhe pa lëvizje domethënëse gjatë javëve të fundit.
Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit pëson një rritje ‘simbolike’, duke kaluar nga 0-2% në sondazhin e 10 prillit, në 0.5-2.5% në sondazhin e sotëm. Koalicioni Euroatlantik i Lulzim Bashës, mbetet në të njëjtin nivel si një javë më parë dhe do merrte 0.5-1% të votave. Ndërkohë, Koalicioni “Djathtas për Zhvillim” i Dashamir Shehit nuk e kapërcen pragun 0.5% të votave.