Kreu i grupit parlamentar i PS, Taulant Balla u është përgjigjur dje akuzave të opozitës për lidhjet me biznesmenin Edmond Begon që u arrestua të dielën në Greqi. Pas takimit të mbajtur me dy deputetët gjermanë, Balla, gjatë konferencës për shtyp, teksa u pyet për akuzat e PD, nuk i mohoi lidhjet me biznesmenin. Balla tha se e njeh familjarisht biznesmenin por që asnjëherë nuk i ka ofruar mburojë politike siç pretendon PD. Sipas kreut të grupit parlamentar të PS akuzat e PD janë thjesht vazhdimi i skenarit “Babale 3”. “Lidhur me akuzat e gojëtarëve të PD do i përgjigjesha vetëm njërës. A ka qenë sundimi i ligjit i njëjtë edhe për këtë person, apo ka siguruar mburojë politike? Për ne dhe për mua personalisht sundimi i ligjit është dhe duhet të jetë i njëjte për të gjithë.
Personin në fjalë e njoh, njoh bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij, nxënës shembullorë. Ju them me garanci të plotë se kurrë nuk i është ofruar një mburojë e tillë politike dhe përgjigjen më të mirë e ka dhënë dje policia e shtetit. Ky skenar është thjesht një pjesë e Babales 3. Personi nuk ka qenë në kërkim. Pas verifikimit që zgjat 40 ditë, do të shohim nëse personi ka pasur ndonjëherë nevojë për mburojë politike. I njëjti person nuk mund të kryejë të njëjtin dënim për një vepër që e ka kryer 10 vjet më parë. Nëse PD ka dyshime, të shkojë në prokurori të bëjë kallëzim penal. E sfidoj PD-në që të çojë çështjen në prokurori. Siç edhe ndodh në Gjermani”, tha Balla.
Por krahas këtyre akuzave, Balla iu dha përgjigje dhe atyre të bëra në drejtim të deputetit Jurgis Çyrbjes se ky i fundit ka lidhje me bandën e Emiljano Shullazit. Sipas Ballës ky lajm ka më shumë se një vit që qarkullon dhe se në drejtim të deputetit socialist Jurgis Çyrbja nuk ka asnjë hetim apo procedim penal për akuzat në fjalë. “Ju e dini më mirë se unë se ky lajm qarkullon prej një viti. Unë si kryetar i Grupit Parlamentar kam bërë verifikimet, kam marrë informacionet nga organet ligjzbatuese, deputeti në fjalë nuk ka në ngarkim të tij asnjë hetim apo procedim penal për çështjen në fjalë”, u shpreh kreu i grupit parlamentar i PS, Taulant Balla.
PD i kërkon dorëheqjen
Pas pranimit të njohjeve nga ana e kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla me biznesmenin e arrestuar në Greqi, Edmond Begon, ka reaguar PD. Përmes një deklarate për shtyp nënkryetari i PD, Edi Paloka e akuzoi deputetin Balla se po viktimizohet njësoj si ish-ministri Tahiri. Sipas Palokës kreu i grupit parlamentar i PS duhet të jap menjëherë dorëheqjen nga çdo funksion politik pasi ka pasur lidhje me ish-anëtarin e bandës më ta pamëshirshme në Shqipëri. “Njësoj si Saimir Tahiri disa muaj më parë, Taulant Balla nuk kurseu as djalin e tij, as fëmijët e mikut të tij trafikant ndërkombëtar droge për t’u dukur të dy si viktima në sytë e publikut.
Partia Demokratike hedh poshtë me neveri këtë përpjekje të turpshme të numrit dy të Partisë Socialiste, që përdor si mburojë pafajësinë e fëmijëve. Sot, 3 ditë pas arrestimit nga autoritetet greke të trafikantit ndërkombëtar të drogës, Taulant Balla u detyrua të pranojë atë që e dinë të gjithë: se ai ka miqësi familjare me ish anëtarin e bandës më të pamëshirshme në Shqipëri, që është i dënuar në Itali me 21 vjet burg si trafikant i rrezikshëm droge dhe është shndërruar nga Rilindja në një biznesmen të fuqishëm ndërtimi. Në çdo vend normal, një rrëfim i tillë për miqësi familjare me botën e krimit do të pasonte me dorëheqjen nga çdo funksion politik. Në Shqipëri ky standard funksionon me shkarki nga detyra për gjyqtarët, prokurorët dhe policët. Por nuk funksionon për Edi Ramën, Fatmir Xhafën dhe Taulant Ballën”, tha ai./Endri ARIZI