Arkiva e negativëve, objekteve dhe dokumenteve të Pietro dhe Kel Marubit është shpallur pjesë e Regjistrit Ndërkombëtar të Kujtesës së Botës nga UNESCO, duke e renditur kështu ndër trashëgimitë më të çmuara të njerëzimit.
Lajmi u bë i ditur nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit i Shqipërisë, Blendi Gonxhja, i cili e cilësoi këtë si një moment historik për kulturën shqiptare.
“Lajm i jashtëzakonshëm! Unesco ka shpallur arkivën e negativëve, objekteve dhe dokumenteve të Pietro dhe Kel Marubit si pjesë të Memory of the World International Register!”, shkruan Gonxhja në rrjetet sociale.
“Një nga thesaret më të çmuara të kujtesës sonë kombëtare shpallet tashmë trashëgimi botërore!”, vijon ai.
“Nga zemra e Shkodrës kjo pasuri e rrallë fotografike që ka përjetësuar imazhin, jetën, historinë dhe shpirtin e shqiptarëve, merr sot vlerësimin më të lartë ndërkombëtar!
Ky nuk është thjesht një vlerësimin i kontributit të Marubëve, themeluesve të fotografisë shqiptare, por edhe një vlerësim i jashtëzakonshëm për Shkodrën, qytetin që i dha jetë artit, kulturës dhe kujtesës së një kombi”, theksoi Gonxhja.
Sipas tij, ky është një vlerësim jo vetëm për dinastinë Marubi, që hodhi themelet e fotografisë shqiptare, por edhe për qytetin e Shkodrës, që mbetet një pikë referimi për artin, kulturën dhe kujtesën kombëtare.
“Për herë të parë, Shkodra ka një pjesë të sajën në Kujtesën e Botës”, u shpreh ministri, duke shtuar se kjo arritje i jep zë, dritë dhe përjetësi një trashëgimie unike.
Drejtori i Muzeut Kombëtar të fotografisë “Marubi”, Luçjan Bedeni tha se “ky është një lajm i madh për trashëgiminë kulturore shqiptare dhe kontributin unik që dinastia Marubi ka dhënë për historinë botërore të fotografisë”.
“Moment historik edhe për artin shqiptar dhe një hap i madh për kontributin që Shkodra i ka dhënë kulturës në Shqipëri. Ajo tashmë do të ketë gjurmën e saj edhe në kulturën e botës. Një falenderim shkon për të gjithë kontribuesit, që bënë të mundur këtë arritje historike për trashëgiminë kulturore shqiptare”, nënvizoi ai.
Programi “Memory of the World” i UNESCO-s synon të ruajë dhe promovojë dokumentet më të rëndësishme të historisë njerëzore në të gjithë globin.