Në fushatën elektorale të ditëve të fundit, një moment i papritur u bë epiqendër diskutimi publik: Kryeministri Edi Rama, gjatë një daljeje publike, përdori termin “autikë politikë” për të përshkruar kundërshtarët e tij.
Reagimi nuk vonoi. Shoqëria civile, qytetarë të thjeshtë dhe familje që përballen çdo ditë me çrregullime të spektrit autik, e përjetuan si një përdorim të papërshtatshëm dhe lëndues të një termi që lidhet me ndjeshmëri të thellë njerëzore.
Por çfarë ndodhi më pas, është një shembull i rrallë në politikën shqiptare: pa kaluar as 10 orë nga deklarata, Rama bëri një dalje të drejtpërdrejtë në Facebook, ku jo vetëm që pranoi gabimin, por edhe kërkoi falje përulësisht.
Ai e pranoi se fjala ishte e papërshtatshme dhe se kishte dështuar të parashikonte se si mund të interpretohej dhe ndikohej. Ky nuk ishte një justifikim, por një reflektim i menjëhershëm dhe publik.
Në një klimë politike ku të pranosh një gabim shihet shpesh si dobësi, një gjest i tillë është për t’u vlerësuar. Jo vetëm për aktin e faljes, por për mesazhin që përçon: lidershipi nuk matet vetëm me vendosmërinë për të bërë, por edhe me guximin për të ndrequr./Shqiptarja.com