Në një nga episodet më sureale të “fushatës opozitare”, Sali Berisha i ka dhuruar publikut një tjetër perlë të folklorit politik: pritjen madhështore të Doris Pack, me këngë, valle dhe një ansambël që do ta bënte xheloz edhe RTSH-në e viteve ‘80.
Videoja që qarkullon në rrjet, ku Pack — e fiksuar mes koreografive të Ansamblit të Kavajës — mundohet të kuptojë nëse ndodhet në një takim politik apo një festival folklorik, është më shumë se qesharake: është diagnoza perfekte e një partie që ka humbur busullën, seriozitetin dhe orientimin politik.
Në vend që të paraqesë një alternativë përballë qeverisë, PD-ja e Berishës zgjedh të sjellë një spektakël ku diplomacia imitohet me valle, ndërsa persona që i prezantohen publikut si mbështetje ndërkombëtare, trajtohen si turistë kulturorë.