Avokati i njohur Idajet Beqiri i ftuar në emisionin ‘Shqip’ ka rrëfyer sesi 1 javë pas një bisede që kishte bërë me Ilir Metën në 1995, u arrestua nga Berisha.
“Në 1995 unë jam arrestuar. U bë një mbledhje e madhe për kodin zgjedhor dhe unë thashë që me kodin zgjedhor që ka përgatitur Berisha për zgjedhjet e 1996 ai i fiton në tavolinë, por të gjitha sondazhet në atë kohë nxirrnin fitues Partinë Socialiste.
Në atë mbledhje u ngrit Tritan Shehu dhe më sulmoi, pas 3 ditëve mua më merr ne telefon Ilir Meta dhe më thotë do pimë kafe te Karlsbergu, shkoj dhe e takoj atje Metën, i cili ishte me Kastriot Islamin. Meta më tha që është e sigurt që ne vijmë në pushtet dhe tha ti e di që do të bëjmë koalicion dhe po të them një sekret që do të merrni Ministrinë e Brendshme dhe ti do jesh ministër i brendshëm.
Ne do t’i fitojmë zgjedhjet me tha por deri në 1997 do jetë Berisha president dhe ai mund të shpërndajë parlamentin. Meta më tha ti që do jesh ministër i brendshëm dhe çfarë do të bësh për këtë gjë. I thashë Metës që Berishës do t’i heq të gjithë bodigardët.
Ok më tha Meta por nuk i heqim dot dekretin. Ok i thashë por do të marr tre mjekë psikiatër për të bërë raport për gjendjen e presidentit dhe nëse ai do shpallë dekretin, do kem raportin mjekësor për të. 1 javë pasi i thashë Metës këtë, mua Berisha më arrestoi.
Isha në burgun 313, m’u bë gjyqi dhe më çuan në burgun e Bënçës ku ishte edhe Fatos Nano dhe atje kam bërë një bisedë shumë të gjatë me të dhe i tregova historinë me Metën dhe Berishës. Nano ma pranoi dhe ma shpjegoi me hollësi që Metën në PS e ka sjellë Berisha.”, u shpreh Idajet Beqiri.