Pas më shumë se një dekade nga aksidenti i rëndë me ski që i ndryshoi përgjithmonë jetën, për legjendën e Formula 1, Michael Schumacher, raportohet për një përmirësim të lehtë në gjendjen e tij shëndetësore.
Sipas informacioneve të fundit që po qarkullojnë në media, Schumacher nuk qëndron më vazhdimisht i shtrirë në shtrat, një detaj që është interpretuar si një shenjë pozitive, ndonëse ende larg një rikuperimi të plotë. Familja e shtatë herë kampionit botëror vazhdon të ruajë privatësinë maksimale, duke mos dhënë detaje zyrtare për gjendjen e tij.
Burime pranë familjes kanë bërë të ditur se Schumacher vijon të ndjekë garat e Formula 1, një fakt që është përmendur edhe më herët nga ish-drejtuesi i Ferrarit, Jean Todt, i cili ka theksuar se vazhdon ta vizitojë dhe se “Michael është ende aty”.
Aksidenti i rëndë i vitit 2013, gjatë pushimeve në Alpe, i shkaktoi Schumacher dëmtime serioze në tru, duke e mbajtur prej vitesh larg syrit të publikut. Që prej asaj kohe, çdo informacion për gjendjen e tij ka qenë i rrallë dhe gjithmonë i filtruar me shumë kujdes.
Megjithatë, edhe këto sinjale të vogla përmirësimi janë pritur me shpresë nga fansat e shumtë të legjendës së Formula 1 në mbarë botën./E.K
Burimi:Sky News




