Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, deklaron se Sali Berisha në 31 vite në politikë vijon të përdori të njëjtën gjuhë terrori dhe denigrimi ndaj kujtdo që i thotë atij të vërtetat në sy.
Përmes një videoje të publikuar në rrjetin social Facebook nga Balla, shfaqet ish-kryeministri Sali Berisha duke fyer rëndë gazetarin Imer Mushkolaj në një studio televizive, për shkak se gazetari i ka kujtuar Berishës 21 Janarin dhe vrasjen e 4 protestueseve në Bulevard. “31 vite në politikë, e njëjta gjuhë terrori, fyese, denigruese.
Shikoni reagimin e Sali Berishës ndaj gazetarit Imer Mushkolaj, pasi ai përmendi 21 Janarin dhe vrasjen e 4 protestueseve në Bulevard në kohën kur ai ishte Kryeministër i Shqipërisë”, tha ai. Ndërkohë dje çështja e “21 Janarit” u hap edhe gjatë kohës që kreu i PD, Lulzim Basha mbaroi dëshminë në Prokurorinë e Tiranës për protestën e 8 janarit.
Ai u pyet nga gazetarët nëse është gati të dëshmojë për këtë çështje, por e shmangu si pyetje. Për këtë qëllim reagoi deputeti socialist Erion Braçe. Sipas deputetit, Basha duhet të dëshmojë mbi këtë ngjarje të rëndë dhe jo ta quajë atë një çështje të mbyllur, në të kundërt ai do të vijojë të jetë njësoj si Sali Berisha.
Deputeti i kërkon Bashës që të ndahet përfundimisht nga berishizmi dhe të flasë për pushkatimet në bulevard, që në 2013 ka qenë Ministër i Brendshëm. “Lulzim Basha e quan të mbyllur 21janarin, në derë të prokurorisë! Pyetje Lulzim, kush e pushkatoi Aleks Nikën? E sheh që nuk është mbyllur gjë?
Nxirre berishizmin prej teje dhe dëshmo! Ke qenë ministër i Brendshëm ditën e pushkatimeve. E lehtë t’i ikësh Sali Berishës fizikisht, por ai është brenda teje! 21janari është prova! Ti as do që të pyetesh për të, e quan të mbyllur! Boll dëshmove për dhunën e tij ndaj teje, koha të dëshmosh për pushkatimet e 21 janarit! Kështu siç jeni, jeni njësoj, si në këtë foto”, shkruan Braçe.
Pas dëshmisë së tij në prokurorinë e Tiranës, kur u pyet nëse do të rihapet dosja e 21 janarit, Basha tha se kjo çështje është mbyllur dhe nuk duhet të fokusohemi më në të.
“E para e punës që dosja është proceduar në mënyrë të plotë në gjyqet shqiptare. Dhe e dyta, siç ju thashë, me gjithë respektin dhe kohën e gjatë që kaloni në veçanti në janar, që është gjithmonë ftohtë dhe ju që qëndroni këtu jashtë duke pritur, por më lejoni që mos ta kthejmë këtë në një kalvar të pafund pyetjesh, por të fokusohemi tek çështjet kryesore për të cilat ndodhemi këtu”, tha Basha.