Sekuestrimi i sasisë rekord të mbi 4 milionë eurove sot në portin e Durrësit në dy makina ‘Toyota Yaris’ ka vendosur në lëvizje autoritetet shqiptare, ndërsa pritet që të ngjallë edhe debat të fortë politik, pasi ishte Basha ai që e dekonspiroi operacionin tre ditë përpara.
Në kuadër të hetimeve, Report Tv mëson se prokuror i dosjes është Sokol Nishani, vëllai i ish-Presidentit Bujar Nishani, i zgjedhur nga radhët e Partisë Demokratike. Bujar Nishani ndonëse nuk ka post në Partinë Demokratike, vijon të jetë mjaft afër kryesisë dhe një zë i fortë kundër qeverisë Rama në shumë çështje. Angazhimi i Bujar Nishanit në strukturat e PD është intensifikuar kohët e fundit.
Ndërsa mbetet për t’u zbuluar pse lideri i opozitës Lulzim Basha e ka dekonspiruar operacionin në Kuvend tre ditë më parë duke shkatërruar hetimet dhe njoftuar porositësit e mjetit. Në fakt nëpërmjet deklaratës së Lulzim Bashës, destinuesi i shumës së parave, që me shumë mundësi ka origjinën nga trafiku i drogës është lajmëruar dhe ka marrë masa për të shmangur drejtësinë duke mos shkuar për t’i tërhequr. Një skandal që patjetër do të prodhojë debat të ashpër politik por edhe hetimet nga autoritet për të identifikuar burimin e informacionit që ka rrjedhur në duart e Lulzim Bashës.