Nga e hënë 13 tetor, monopatinat nuk lejohen më në qarkullim. Por nga një vëzhgim i bërë nga Report TV, vihet re se shumë qytetarë ende vijojnë të qarkullojnë në rrugë me mjete elektrike.
Madje shpesh herë edhe me dy persona në të njëjtin mjet. Policia e Shtetit nisi aksionin në rrugët e kryeqytetit për ndalimin e përdorimit të tyre, duke sekuestruar çdo mjet elektrik që gjendet në përdorim.
Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, forcat e rendit ndaluan dhjetëra qytetarë, ndërsa monopatinat e tyre u “grumbulluan” në një vend.
Vendimi i autoriteteve, nuk la asnjë hapësirë informimi paraprak dhe shumë qytetarë u gjendën të kapur në befasi. Ata thannë se nuk ishin në dijeni dhe se ishin në rrugë për në punë kur u ndaluan nga uniformat blu.
“Jo nuk dija gjë, vetëm me ndaluan. Nuk e kam parë vendimin në lajme, se kam qenë gjithë ditën ne punë dje”, thotë një qytetar.
“Unë kam gjysmë viti që përdor skuter. Jam mësuese anglishteje dhe shkoj në kopshte të ndryshme të Tiranës. Si mund ta ndalosh sot për nesër. Të ndaloj unë punën? Nuk është fare një vendim i zgjuar për të ndihmuar në rregullsinë e qarkullimit”, shprehet një qytetare tjetër.
Pre e aksionit kanë rënë dhe ata që përdornin motorë elektrikë
“E dinim qe do ishin vetëm monopatat. Nuk i specifikuan këto mjetet e tjera. Keqinformim. Vet ministrja, a kush ishte, tha vetëm monopatinat. Unë kisha motor me bateri”, thotë një qytetar.
Aksioni i policisë u shtri dhe në qytete të tjera të vendit. Në Vlorë dhe Elbasan punonjësit e policisë shtuan kontrollet në akset kryesore për ndalimin e përdoruesve të mjeteve elektrike.
Vendimi për ndalimin e përkohshëm të monopatinave deri në hartimin e një rregulloreje të posaçme u argumentua me shtimin e ndjeshëm të aksidenteve të shkaktuara nga përdorimi i tyre. Vetëm gjatë vitit të kaluar janë regjistruar 991 aksidente të shkaktuara nga këto mjete.