70 milionë euro të dhëna nga ana e qeverisë japoneze për projektin e “përmirësimit të Kanalizimeve për Tiranën e madhe” do të paguhen nga bashkia e Tiranës.
Grupi i auditit i ngritur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka zbuluar se ish -drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës-Kanalizimeve ka shmangur në mënyrë arbitrare përfshirjen në zbatimin e këtij projekti ndërmarrjen e Ujësjellësit të Tiranës, duke mbyllur rrethin vetëm mes organeve të administratës qendrore.
Tashmë UKT duhet të paguajë kredinë për një projekt që është përjashtuar dhe që nuk ka patur asnjë rol, ndryshe nga sa ishte shkruar në kontratën e huas me qeverinë japoneze. “E gjithë kjo është bërë pa marrë asnjë akt administrativ, ku Ujësjellësi i Tiranës përjashtohej si agjenci operuese, rol që ia jepte marrëveshja e ratifikuar në vitin 2008.”, thuhet në pjesën e fundit të raportit të auditimit.
Përveç faktit që me të gjithë shumën e projektit, është kryer vetëm gjysma e punimeve, Agjencia Kombëtare e Ujësjellësit ka dhënë para shtesë në vlerën e 8.7 milion jenëve japonezë, apo 50 mijë eurove edhe për supervizorin e kontratës, para të pajustifikuara dhe të padokumentuara, shprehet grupi i kontrollit.
Po ashtu si pasojë e zgjatjes së kontratës, e cila duhet të kishte përfunduar në vitin 2016, janë edhe 3.4 milion euro më shumë edhe për shërbimin e konsulencës.
Pasi auditi të mbyllet përfundimisht me pasqyra finale, pritet që ky raport të dërgohet në prokurori.
Ky është auditi i dytë i Ministrisë së Infrasktruturës që gjen shkelje me fondet e ndërtimit të veprave publike me vlera të mëdha, pas atij të rrugës Tiranë –Elbasan, për të cilin u arrestua ish –drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika dhe dy ish vartësve të tij./Tv Klan