Rruga Rrëshen-Kalimash apo siç cilësohet rëndom “Rruga e Kombit” është një gropë e zezë për financat shqiptare. Pasi vetëm gëlltit e gëlltit fonde marramendëse, duke arritur deri më tani shifrën asfiksuese prej 1.4 miliardë euro.
E planifikuar për t’u realizuar përmes dy varianteve, njëra 512 milionë euro dhe tjetra 413 milionë euro, qeveria Berisha e asaj kohe, në përpjekje për të realizuar sa më shpejt të jetë e mundur këtë rrugë por dhe për të përvetësuar sa më shpejt dhe sa më shumë para prej saj, zgjodhi variantin e parë.
Pa marrë parasysh shkeljen e normave më elementare të një investimi dhe elementëve fillestarë se si mund të dalin para nga shteti, ndërtimi i Rrugës së Kombit, filloi pa asnjë projekt. Madje pa asnjë studim fizibiliteti, por me një kuotë shpenzimi të deklaruar në fillim prej 512 milionë eurove.
Por gjithçka ndryshoi gjatë ndërtimit, ku pa mjarrë parasysh asnjë parametër teknik, arriti që një kilometër rrugë të kushtonte 22 milionë euro. Çka solli dhe shqetësimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit të asaj kohe, të drejtuar nga i propozuari i Sali Berishës, pikërisht Robert Çeku. I cili vetëm me një kontroll me “sy të lirë”, pa hyrë fare në volumin e punimeve arriti në konkluzionin zyrtar se ishin vjedhur 230 milionë euro nga 56 kilometra Rrugë e Kombit.
Po ku i gjeti paratë Berisha për të paguar e ripaguar për Rrugën e Kombit deri sa arriti në shifrën marramendëse të 1.4 miliardë euro.
Një 500 milionsh euro e bëri përmes buxhetit të shtetit. Pavarësisht se më pas u detyrua disa herë të merrte kredi në bankat e nivelit të dytë, kredi tregtare, vetëm e vetëm për të mbuluar deficitin e buxhetit të shtetit. Madje mori kredi dhe për të paguar pagat e administratës së shtetit.
Megjithëse ishte në një borxh të paparë që kapërceu në 70 përqind e solli dhe përplasjen me institucionet financiare ndërkombëtare. Por Berisha donte ta përuronte patjetër këtë rrugë.
Dhe me gjithë shembjet e herë pas hershme të tunelit Thirrë-Kalimash apo dhe të rrugës që mbrohej me rrjetë si rrugë fshati dhe jo me bazamentin prej beton të metalizuar apo siç cilësohet “betonarme”, ai arriti ta kishte “gati” rrugën për zgjedhje.
Kështu, iu fut kredisë së biznesit dhe mori afër 500 milionë euro. Mori dy kredi nga dy banka të nivelit të dytë, të cilat kishin një interes 11-16 përqind. Ishin kredi biznesi apo tregtare dhe ishin me interes të lartë.
Pagesa për këto kredi ka filluar në vitin 2014 dhe kohëzgjatja për pagesën e tyre është deti në vitin 2023. Ka mbetur deri më tani shumë pa paguar, shtuar dhe interesin e tyre marramendës prej 16%.
Ndërkohë që duke qenë se shpenzimet vijonin dhe rruga nuk po përfundonte së ndërtuari atëherë Berisha përmes ministrit të Financave kërkoi sërish borxh.
Buxheti i shtetit shpalli dhe një borxh, Eurobond prej 400 milionë eurosh, duke e rrumbullakosur këtë rrugë me 1.4 milionë euro, nga të cilat 900 milionë euro me interes të lartë. Interes që ka filluar që nga viti 2014, pra një faturë pëer qeverinë e socialistëve të kryesuar nga Edi Rama.
‘Litari” jashtë i lenë nga Berisha me këto borxhe kredish me interesa të lartë, bashkë me 230 miolionë eurot e vjedhur me një dorë dhe të evidentuar me “sy të lirë” nga KLSH e asaj kohe, i ka kushtuar arkës së shtetit shqiptar si humbje neto prej mbi 500 milionë euro.
Kaq është humbja e shkaktuar nga Sali Berisha dhe Lulzim Basha përmes Rrugës së Kombit. Dhe pa hyrë pastaj në detaje, si volum punimesh, prishje pa kriter i luginës pjellore të Fanit, apo shembjet dhe asnjëherë e sistemuar.
Këto janë llogari më vete. Pa llogaritur pastaj dhe humbjet e pritshme, pasi kanë gërryer ku ka kaluar rruga malin, kanë devijuar ujërat nëntokësore që mund të sjellin një katastrofë.
Ky është bilanci tragjik që Sali Berisha dhe Lulzim Basha i kanë sjellë vendit me ndërtimin shkel e shko të rrugës së Kombit me qëllimin e vetëm: Përfitimin e miliona eurove për vete.
Hetimi duhet të fillojë pikërisht nga këtu, provat janë. Dhe jo të lihen Berisha e Basha e të derdhin “lotë” për taksën e rrugës, dhe atë të parashikuar që në ditën e përurimit të Rrugës së Kombit. Të japin llogari njëherë, pasi s’janë një fjalë gojë 500 milionë euro humbje për arkën e shtetit. Vetëm me një “dorë”./Pamfleti.com