Pas fillimit zyrtar të hetimeve ndaj ish Prokurorit të Përgjithshëm për “pastrim parash në përmasa të mëdha” gjatë kohës së ushtrimit të detyrës, kryehetuesja e kësaj çështje, Kryetarja e Prokurorisë së Durrësit Donika Prela, ka urdhëruar sekuestrimin e të gjitha kontratave të shitblerjes së pasurive të Adriatik Llallës.
“Alpenews.al” disponon listën e plotë të këtyre pronave të cilën e ka bërë publike edhe më parë, gjatë kohës që nisi e para investigimin e këtij megaskandali që vuri në lëvizje drejtësinë shqiptare. Duke qenë se interesi publik është edhe më i shtuar rreth kësaj teme, për shkak se tashmë është konfirmuar edhe zyrtarisht, po ribotojmë të plotë listën e pronave që i janë “sekuestruar” Adriatik Llallë për pastrim të parave të pista.
Në këtë listë bëjnë pjesë ullishta, toka, troje, pasuri të patundshme, banesa, shtëpi pushimi në plazh, etj.
Burimet thanë se për ish- Prokurorin e Përgjithshëm, akuza e Durrësit ka kërkuar informacione nga Hipoteka, Tatim-taksa si dhe nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, në zyrat e vlerësimit të pasurive të patundshme, etj.
Ish-kreu i organit të akuzës akuzohet për pastrim parash, ndërsa regjistrimi i procedimit u bë pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dërgoi një javë më parë zyrtarisht gjetjet për ish-prokurorin e përgjithshëm.
Dosja do të hetohet nga kryetarja e Prokurorisë së Durrësit Donika Prela, ndërkohë që organi i akuzës në qytetin bregdetar ka kërkuar informacione nga disa institucione të tjera si pastrimi i prave, antikrimi ekonomik e financiar, agjensi të transfertave të parave, etj.
Regjistrimi i procedimit penal në Durrës ka të bëjë me konfliktin e interesit, pasi në kohën që Llalla ka qenë Prokuror i Përgjithshëm drejtuesi i Krimeve të Rënda apo dhe i Tiranës ushtronin funksione në kryeqytet ndërsa njëri prej tyre është emëruar nga Llalla.
Pak kohë më parë sekretari amerikan i shtetit Rex Tillerson e shpalli ish-prokurorin e përgjithshëm “non grata”, pasi sipas autoriteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ai dyshohej si i përfshirë në afera të mëdha korruptive.
LISTA E PRONAVE TE ISH PROKURORIT TE PERGJITHSHEM, ADRIATIK LLALLA TE “SEKUESTRUARA” SOT: