Të gjithë të dyshuarit në rastin “Reket” që ndodhen në paraburgim Katica Janeva, Bojan Jovanovski dhe Zoran Milevski janë në reparte të posaçme dhe nuk kanë kontakte mes vete. Drejtuesi i burgut të Shutkës, Esat Rahiç, thotë se prokurorja speciale Katica Janeva është në repart të posaçëm dhe e vetmuar në qeli. Rahiç në një intervistë për Evropën e Lirë thotë se nuk kanë lejuar që prokuroren Janeva ta lënë në qeli bashkë me gratë tjera, të cilat dyshohen për vrasje.
“Duke e pasur parasysh se bëhet fjalë për person i cili ka qenë prokuror special, me interes të veçantë në shoqëri, ne vlerësuam se në një periudhë të caktuar kohore duhet të bëjmë vlerësim të plotë të sigurisë dhe shëndetit dhe ngjashëm, dhe zonja është vendosur në repart adekuat. Ne jemi pak të kufizuar me kapacitetet e akomodimit, ne kemi tre reparte dhe për fat të keq pas një kohe të gjatë, për herë të parë në historinë e paraburgimit dhe burgimit po ndodh që të kemi 18-20 gra, më së shumti ka pasur nga 3-4.
Ato janë dhoma pak më të mëdha, të mos them qelia , në të cilat ka nga 4,5 ose 6 gra. Ka profile të ndryshme të grave brenda, ka gra të dënuara për vrasje, për mashtrim dhe shumë rëndë është që ta vendosni aty një profil si zonja Janeva në mesin e personave të tillë, kështu që atë e kemi vendosur në një vend më të mirë”, deklaroi Esad Rahiç, Drejtor i Burgut të Shutkës.
Rahiç tha se incidenti në Shutkë ku ishin të përfshirë zyrtarët e VMRO DPMNE-së Mile Janakievski dhe Spiro Ristovski ishte kurth për të dalë nga burgu. Për paraardhësin e tij Kotevski, i cili dha dorëheqje për këtë incident tha se ka punuar më mënyrë korrekte.
“Zotëri Kotevski, në mënyrë korrekte e ka kryer punën e tij. Mendoj se ajo është një përzierje e rrethanave, të mos them kurdisje klasike, që një pjesë e atyre që kanë marrë pjesë në rrahje të dalin jashtë” tha Esad Rahiç, Drejtor i burgut të Shutkës.
200 euro dhe më tepër i kushton një të burgosuri që në mënyrë ilegale të fusë celularë në qeli, thotë Rahiç. Ai tha se vetëm brenda javës së kaluar kanë sekuestruar 15 celularë.