Prokuroria ka zbardhur një pjesë të skemës së mashtrimit me kreditë fiktive që jepeshin në emër të fondacionit Besa.
Paratë e qindra kredive të dhëna në fakt janë përvetësuar në një përqindje të madhe nga drejtuesja e fondacionit, Albana Imami dhe një grup personash.
Në këtë mënyrë ishte krijuar një zinxhir kredish, njëra pas tjetrës dhe për këtë arsye mësohet se numri i personave të përfshirë në këtë skemë është rreth 800. Por ndërsa po hetohej kjo vjedhje, një tjetër shkelje ligji kishte nisur të ndodhte.
Drejtoresha e një prej degëve të këtij fondacioni, Albana Imami, kishte marrë para me fajde nga dhjetëra persona me qëllim mbushjen e gropës financiare që kishte krijuar për një kohë të gjatë.
Por si funksiononte kjo skemë? Dy ishin degët ku ndërvepronte Albana Imami së bashku me oficerë të tjerë të kredidhënies; dega Tirana 1 dhe Tirana 4. Siç kuptohet edhe nga dëshmitë e oficerëve të kredisë, Imami ishte personi kyç që drejtonte të gjithë skemën e mashtrimit.
Pas vështirësive që u hasën në shlyerjen e kredive fiktive, filluan edhe gropat financiare në fondacion, pasi disa klientë nuk shlyenin as shumën prej 25-35%, për të cilën kishin rënë dakord me drejtoreshën.
Kjo e detyroi Albana Imamin, të merrte para me përqindje nëpërmjet deklaratave noteriale apo edhe deklaratave me shkrim, nga persona jashtë fondacionit.
Këto para të dhëna me fajde, rezultojnë të jenë me interesa shumë të larta. Pjeter Gjinit, Imami i ka marrë 50 mijë euro dhe brenda dy javëve duhet te kthente 70 mijë euro. Kjo shumë e marrë me deklaratë pranë noteres Edlira Malaj.
Edhe kësaj të fundit i është marrë një shumë parash me përqindje, shifër të cilën e arrestuara nuk e kujton. Por siç figuron në dosje, Albana Imami ka përfshirë edhe familjarë të saj në këtë skemë, ku rezulton se u ka marrë edhe atyre para.
E mjaftuar vetëm me një deklaratë dore, para me përqindje i është marrë Majlinda Demollarit 30 mijë euro, me interes 10% në muaj; gazetarit Artur Zheji, shuma prej 100 mijë dollarësh, përqindja nuk bëhet e ditur; Arta Janushajt shumë prej 55 mijë euro me interes 4%, por edhe një sërë personash të tjerë.
Ndërkaq, në dosje thuhet se ndaj shtetasit Pjetër Gjini, i cili i kishte dhënë para me fajde Albana Imamit, kjo e fundit për një periudhë një mujore, duhet t’i paguante atij 150 mijë euro, e cila është vepër penale, duke u konsideruar si gjobvënie.
Nga ana tjetër, Top Channel mëson se për këtë aryse, është hapur edhe një hetim paralel për dhënien e parave me fajde. Stafi i kësaj dege të fondacionit, klientët i ka gjetur nëpërmjet sekserëve, Aritin Aliaj, Dritan Kalthi, Ervis Doko dhe Orkida Driza. Këta të fundit bashkëjetues.
Të enjten u dha edhe masa e sigurisë për 7 anëtarët e këtij stafi. 5 prej tyre janë në arrest me burg, konrektisht drejtoresha Albana Imami, oficerët e kredisë Blertina Kanani, dhe Mihal Hanxhari si dhe për sekseren Orkida Driza. Ndërsa për oficeret e kredisë Esmeralda Vaso dhe Matilda Domi u dha masa arrest shtëpie. Aritin Aliaj rezulton që akualisht është në burg për një tjetër vepër penale, ndërsa Dritan Kalthi është shpallur në kërkim.(TCH)