Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë vijon të mbajë në ankth të korruptuarit në radhët e politikës. Teksa Presidenti Ilir Meta nisi një valë sulmesh ndaj reformës në drejtësi, ambasada iu përgjigj duke prezantuar një platformë informuese në rrjetet sociale mbi zbatimin e reformës. Ditën e djeshme vëmendja është ndalur tek Byroja Kombëtare e Hetimit, e cila do të jetë ajka e të gjithë këtij procesi të rëndësishëm.
Përmes një video të shpërndarë në rrjetet sociale, ambasada shpjegon qartazi se si do të funksionojë BKH, duke theksuar se kjo strukturë do të ndjekë penalisht zyrtarët e korruptuar dhe anëtarët e krimit të organizuar, të cilët sipas saj, do të japin llogari dhe do të përballen me drejtësinë. Madje, në postimin e saj, ambasada amerikane thekson se BKH është e ngjashme me FBI-në amerikane, e cila heton krime të nivelit të lartë në Shtetet e Bashkuara. Sipas ambasadës, zyrtarët e Byrosë së Hetimit do të trajnohen në Amerikë. “Byroja Kombëtare e Hetimit është njësia hetimore e SPAK. SPAK-u është një institucion i ri, i pavarur dhe i papolitizuar kushtetues, detyra e të cilit është të ndjekë penalisht korrupsionin, krimin e organizuar dhe krimet e kryera nga zyrtarë të nivelit të lartë. Në shumë mënyra, BKH është e ngjashme me FBI-në amerikane, e cila heton krime të nivelit të lartë në Shtetet e Bashkuara. Në fakt hetuesit e BKH do të trajnohen në akademinë e FBI-së në Virxhinia. Ligji mbi SPAK-un po ashtu kërkon që një komision ndërkombëtar të mbikëqyrë trajnimin dhe përgatitjen e hetuesve të BKH”, thuhet në video. Pra, përmes këtij statusi ambasada iu ka dërguar edhe një mesazh të koduar “armiqve” të reformës në drejtësi, duke u treguar se reforma jovetëm që nuk ndalet, por ka edhe mbështetjen e fortë të SHBA-ve.
Ambasada mesazh politikanëve
Duke hequr një paralel mes sistemi të kaluar të drejtësisë dhe atij që pritet të dalë nga reforma në drejtësi, Ambasadae Shteteve të Bashkuara të Amerikës thekson në video se ndryshimet do të jenë si nata me ditën. Në këtë kontekst, ambasada bën me dije se BKH dhe SPAK do të çojë para drejtësisë të gjithë pushtetarët e korruptuar, duke theksuar se zyrtarët e këtyre dy organeve do të jenë imunë ndaj presionit politik dhe të pakorruptueshëm. “Në të kaluarën cilido me para apo pushtet mund të ndikonte sistemin e gjykatave në favor të tyre. Tani Kushtetuta i jep SPAK fuqinë dhe pavarësinë për të goditur korrupsionin e nivelit të lartë. Me t’u ngritur SPAK dhe BKH do të jenë në gjendje të hetojnë korrupsionin në nivelet më të larta dhe prokurorët e posaçëm mund t’i çojnë këto çështje të rëndësishme në gjykatë. Zyrtarët e korruptuar dhe bosët e krimit të organizuar do të japin llogari dhe do të përballen me drejtësinë. BKH dhe SPAK janë këtu për tu siguruar se askush të mos jetë mbi ligjin”, thuhet në video. Por përmes kësaj video ilustruese, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë i ka dërguar edhe një mesazh të gjithë politikanëve në të gjitha krahët, duke iu kujtuar se ata nuk do të kenë më akses në gjyqësor. Deri më dje shumë politikanë kanë pasur ndikim të madh në gjyqësor, duke kapur sistemin. Mirëpo, në videon e saj ambasada thekson se ky model tanimë është “varrosur” dhe se reforma në drejtësi ka përmbysur sistemin e kalbur të drejtësisë, ku në finale, sipas saj, pritet që tu japë një goditje të fortë të gjithë të korruptuarve që deri më dje ishin të paprekshëm. /Rigels Seliman