Qyteti i Burrelit u trondit mbrëmjen e së dielës nga një shpërthim i fortë tritoli, i ndodhur në një lokal në lagjen “Partizani”.
Nga ana tjetër mbetet në hetim dhe pista e ndonjë hakmarreje pasi tre të rinj kanë debatuar pak orë para shpërthimit të cilët debatuan me kamerierin dhe djalin e 35-vjeçarit që ka aktualisht me qira lokalin.
Tre të rinjtë janë thirruer në Komisariatin e Policisë Mat, por ende nuk ka prova e fakte që dëshmojnë se mund të jenë ata autorët e lëndës plasëse. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:05, ku sasia e tritolit është hedhur nga dritarja e lokalit në ambientin e bredshëm. Nga shpërthimi nuk ka pasur të lënduar, por vetëm dëme materiale.
Mësohet se, 35-vjeçari Lika ka qenë duke mbyllur qepenat e lokalit në momentin që ndodhi shpërthimi. Sipas deklarimeve të këtij të fundit, ai ka ngritur dyshime se autorë mund të kenë qenë tre të rinj të cilët disa orë më parë kishin debatuar me kamerierin dhe djalin e tij dhe në këtë mënyrë mund të jenë hakmarrë. Për këtë qëllim, policia i ka thirrur rreth mesnatës tre personat e dyshuar, por nuk ka faktuar asgjë në lidhje me fajësinë e tyre.
Zyrtarë të Policisë dyshojnë se, pista kryesore ka të bëjë me simulimin e një tritolvënie nga pronari i lokalit. “Djali i pronarit të lokalit, A. Musta, ka emigruar para një viti në Gjermani. Ai ka kërkuar azil dhe nuk i është miratuar. Duhet të jetë sajuar ky rreng për të siguruar azilin.
Zbardhja e shpërthimeve me tritol nuk është e lehtë”, ka bërë të ditur një zyrtar i Policisë, i cili shton se po hetohet intensivisht me metoda speciale për zbardhjen e ngjarjes.
Prej kohësh, 35-vjeçari Lika, banues në Burrel, ka marrë me qira lokalin, që e ka në pronësi burri i hallës së tij. Policia këmbëngul se tritoli është vënë nga të afërmit e pronarit, për t’i siguruar azilin në Gjermani djalit të A. Mustës.
Nisur nga kjo, janë përgjuar të gjitha bisedat telefonike dhe lëvizjet e personave që mund të kenë lidhje me shpërthimin. Po ashtu janë sekuestruar pamjet filmike të objekteve në afërsi të lokalit. Largimi i një mjeti me shpejtësi nga vendi i ngjarjes drejt Urës së Matit është një tjetër fakt që po hetohet nga Policia e Burrelit për këtë ngjarje.