Në mesin e skandalit të lobimit të Partisë Demokratike të paguar me para ruse, vjen reagimi i Tiranës zyrtare, që dëbon nga vendi dy diplomatë të Ambasadës Ruse në Tiranë.
Sipas të dhënave paraprake, Aleksei Balashov, Sekretar i Parë i Ambasadës dhe Vladislav Filipov, atashe ushtarak, kishin një mision që tejkalonte akreditimin e tyre diplomatik, duke u përfshirë edhe në misione “të nëndheshme” në vendin tonë.
Natyrshëm, lind pyetja, a njihej Lulzim Basha me këta dy diplomatë, të cilët dyshohet se kanë përdorur mburojën diplomatike për t’u angazhuar në veprimtari të spiunazhit?
Një përgjigje të pjesshme japin dy fakte të njohura dhe të provuara deri më tani. E para, në datën 14 mars të vitit të kaluar, në momentin kur PD ishte futur në çadër për të protestuar përpara zgjedhjeve, Basha u takua në Tiranë me ambasadorin Karpushin.
Se çfarë u bisedua në atë takim nuk u bë asnjëherë publike, por është fakt që vetëm pak javë më pas, në datat 14 dhe 30 prill, në Departamentin e Drejtësisë në SHBA u depozituan nga lobuesi Muzin dy formularë, që tregojnë se lobimi në emër të PD është mbuluar pjesërisht prej “Biniatta Trade”, një kompani në pronësi të dy shtetasve rusë, me lidhje të njohura me Kremlinin.
“Biniatta” pagoi 500 mijë dollarë në emër të PD-së.
Burime të cilat nuk duan të identifikohen brenda Partisë Demokratike thanë për “Lexo.al”se marrëdhënia e Bashës me ambasadorin rus ka qenë gjërësisht “protokollare”.
Kjo do të thotë se cilido qoftë thelbi i bisedës së panjohur midis tyre, Basha dhe Karpushin asnjëherë nuk kanë hyrë në detaje të imta rreth çështjes së biseduar.
Kjo lë të hapur një mundësi të re, që “detajet” të jenë përcaktuar me funksionarë të një niveli më të ulët të ambasadës.
Kjo është bërë për dy arsye, e para për t’i lejuar Ambasadës Ruse që të përfshihet “incognito” në këtë çështje, pa shumë bujë pasi funksionarët e dëbuar nuk njiheshin nga media dhe opinioni publik, ashtu si ambasadori.
E dyta, i ka dhënë lehtësi komunikimi Bashës, që ka shmangur gjithashtu pyetjet e sikletshme që do të vinin si rrjedhojë e një komunikimi direkt me ambasadorin.
E nëse kjo provohet të jetë e vërtetë, atëherë jemi përpara një skenari edhe më të frikshëm nga ai që kishim menduar.
Marrëdhëniet e Bashës me Filipov dhe Balashov të çojnë direkt tek FSB-ja ruse, Shërbimi famëkeq Sekret i Rusisë, pasardhësja e të kudonjohurës KGB.
Për momentin, nuk ka ende prova që të dëshmojnë katërcipërisht këtë raport, por shumë detaje, mbi të gjitha “koincidenca” e takimit Basha-Karpushin, pak përpara pagesave të “Biniatta Trade”, të shtyn të mendosh se marrëdhënia e liderit të PD-së me rusët i tejkalon dukshëm çështjet “protokollare”, siç Basha dëshiron të na bëjë të besojmë.