Nga Anri Bala
E patë dje mashtruesin e vogël, që ka uzurpuar PD, doli duke qarë, i mallëngjyer për të persekutuarit. U kërkoi ndjesë, jo për komunizmin dhe komunistët, por për demoshkërdhatacinë që ndërtoi partia e tij dhe për “demokomunistët” që e drejtojnë atë. Ju përgjërua Tomorrit… në emër të “qorrit”, që kurrë nuk e kishin parë shtresën e tyre!
Si parti “demokomuniste”, i kishin vrarë e sharë, djegur dhe persekutuar shumë herë më tepër se diktatura në këto 25 vite. As një fjalë nuk tha djali i SHQUP-it, se çfarë u kishin bërë të persekutuarve për tu lehtësuar sadopak dhimbjen dhjetëra vjeçare që u shkaktoi diktatura, por kërkoi ndjesë, se përse nuk kishte gjetur eshtrat e të vrarëve dhe të humburve. U tallë duke shkelur me këmbë edhe mbi shpresën, tani që po kthehen në kufoma nga hallet, shumë nga të mbijetuarit e shtresës së tyre!
Po si nuk i folën! Si nuk ulëritën dhe u lebetitën kur e panë?! Dikush duhet ti thoshte: “Këtu, duhet të heshtësh dhe të fshihesh! Nuk ke asgjë për të na thënë! Thjesht përdore sërish armën tënde të paturpësisë, mashtrimin e radhës, a thua se po flisje me ata të persekutuar, që sapo kishin dalë nga dera e Spaçit!”
Ai s’kishte asgjë për ta, veçse ofortën, për t’i trajtuar si ushtarë dezertor, që duhet të ktheheshin nën komandën e tij. Çfarë tjetër mund tu thoshte, që ata të shikonin ndryshimin mes pushtetit të tyre dhe atyre që i dënuan? Ku janë të persekutuarit në këtë demoshkërdhataci?! Sa prej tyre janë deputet dhe drejtues të rëndësishëm të këtij vendi?! Sa prej tyre jetojnë dhë punojnë jashtë vendit, si përfaqësues të shtetit shqiptarë dhe të viktmave të një krimi të pandëshkuar?!
Vërtetë mund të kërkosh ndjesë, kur karrigen e Tomorrit e ngroh Klevisi i F.B, Sali-jari i G.D-së apo Tritani i P.P-së. Nëse ishte kaq e lehtë ndjesa e persekutorit, atëherë përse u rrëzua diktatura?! Alia dinte shumë më mirë se t’i… për tu lutur e përgjëruar! Ti je larg realitetit të jetës së tyre, ndaj nuk mund ta kuptosh, se ndjesa e vrasësit nuk të jep pafajësi dhe as përqafim nga njerëzit e viktimës, vetëm “paqe”… në botën tjetër!
Vërtetë ti ke guxim, që në emër të “demokomunistëve” që kanë pushtuar PD-në, të dalësh para të persekutuarve dhe tu thuash se: “Më falni se ju vrava, ju poshtërova, ju shava dhe ju mashtrova! Në të vërtetë, ky nuk është guxim, por fyerje me qëllim.
Ti nuk ke asnjë lidhje me atë shtresë, sepse ashtu si babai yt shpirtëror, që i shërbeu me devotshmëri, edhe babai yt biologjik, ka pasur të njëjtat atribute në kohën e komunizmit: si komunist dhe shërbyes i elitave të komunizmit, e këtë kurrë nuk e ke deklaruar.
Po, për këtë duhet të kërkosh ndjesë, duke ndjerë habi e pyetur veten, se përse je aty, si drejtues i së djathtës?!
A e dini se çfarë u keni bërë këtyre njerëzve, që gjoja u kërkoni ndjesë?! I keni rrahur dhe gjakosur sëbashku me Azem Hajdarin, që gjoja sot e “doni”, kur ato protestonin për të drejtat e tyre më elementare, dëmshpërblimin për mbijetesë!
A s’dini çfarë u keni bërë këtyre njerëzve? I keni djegur, kur durimi i tyre kishte marrë fund dhe klithnin për bukën e gojës, apo e harruat Lirakun!
A e dini çfarë u keni bërë këtyre njerëzve? I keni poshtëruar ju “demokomunist”, kur të majtë që nuk i lidh asgjë me shtresën e të përndjekurve, deshën t’i jepnin vendin që meritonte, një figure të shquar të shtresës së tyre, jo të sërës tuaj, si Visar Zhiti, që përveç të gjithë kalvarit që kishte kaluar, mbante në zemër dhe dhimbjen e humbjes së djalit të tij të vetëm.
Soji i juaj, me ty që nuk të lidh asgjë me atë shtresë, sot thërret për bashkim, kur për ta keni qenë vetëm një zhgënjim. Vërtet, do të gënjehen dhe do të ngrohen në çadrën tuaj të radhës, ato që diellin e shikonin 5 minuta në ditë?! Nuk mund ta besoj kurrë, se këta njerëz mund të bashkohen me persekutorët e rinj dhe miqtë e tyre, pa asnjë ideal përveçse atij të pushtetit të “demokomunistëve”.
Ndaj, ndjesa jote është një pështym në fytyrat dhe dhimbjen e të vrarëve dy herë, e të pakallur ende. Hesht, sepse heshtja është kapak floriri për gojën tënde, sepse po luani me nderin e atyre, që tashmë i’u njohin mirë!/Tellalli