Lëvizja Socialiste për Integrim ndjehet e frikësuar nga një pakt i ri midis kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Këtë konstatim e bëri dje ish-kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, i cili ka qenë edhe anëtar i LSI më herët, gjatë një interviste për gazetën “SOT”. Sipas tij, LSI trembet se mund të mbetet sërish jashtë marrëveshjeve për zgjidhjen e krizës. Klosi komentoi edhe vizitën e zyrtarit të DASH në Tiranë, David Kostelancik.
Ai theksoi se nga kjo vizitë liderët e politikës kanë marrë mesazhe shumë të qarta. Fatos Klosi veçoi ish-kryeministrin Sali Berisha si politikanin që ndërkombëtarët ia kanë “mbledhur” dhe nuk do e lejojnë që të shkaktojë përplasje civile. Sa i takon qëndrimit të mbajtur nga presidenti Ilir Meta për procesin zgjedhor, Fatos Klosi rezervoi kritika për kreun e shtetit duke e barazuar sjelljen e tij me atë të një kryetari partie.
-Pak ditë më parë drejtori i DASH, David Kostelancik, vizitoi Tiranën dhe zhvilloi takime me liderët kryesorë të politikës. Mendoni se gjatë takimeve ai ka dhënë mesazhe të qarta për krizën politike?
Mesazhe sigurisht që ka pasur se nuk ka ardhur kot ai. Ai nuk erdhi të dëgjojë se ai i ka dëgjuar të gjitha. Nuk ka ndonjë gjë të panjohur në qëndrimet që mbajnë palët në Shqipëri. Dihet qëndrimi i qeverisë: Zgjedhjet u bënë, ne jemi gati të bashkëpunojmë, të merremi vesh për Kodin Zgjedhor. Pra ato që i takojnë qeverisë. Ndërsa opozita thotë që Edi Rama nuk duhet të afrohet në këto gjëra. Ne marrëveshje bëjmë me të gjithë, përveç Ramës. Këto janë qëndrimet kryesore. Të tjerat janë delikatesa. Tani ka lindur një problem që LSI e ndjen pak veten keq se trembet nga një marrëveshje mes dy partive të mëdha, siç është ajo e 2008, kur ajo ngeli jashtë loje. LSI ka frikë se përsëritet një gjë e tillë. Pra, qëndrimet janë të qarta. Zyrtari i DASH erdhi jo për të dëgjuar se çfarë thonë këta, por për të dhënë opinionin e Departamentit të Shtetit për situatën në Shqipëri. Ai ka dhënë edhe disa këshilla. Mesazhet u thanë. Zyrtarisht u tha që reforma në drejtësi do të shkojë deri në fund. Këtë punë e kemi marrë ne përsipër dhe do ta bëjmë. Dëgjova edhe mesazhin për reformën zgjedhore, që kjo reformë duhet bërë dhe në këtë reformë roli i drejtuesve të partisë nuk duhet të jetë fare. Këto janë mesazhe shumë të rëndësishme që asnjeri të mos shpresojë që gjyqësori do të lihet në mes dhe nga ana tjetër, situata politike duhet të ketë rrjedhë tjetër, kryetarët e partive nuk duhet të jenë mbretër.
-Sipas jush, a do të ndryshojë situata politike pas vizitës së tij? A do të ketë një tërheqje nga ana e opozitës lidhur me planet e saj për t’iu rikthyer protestave?
Sigurisht që do të tërhiqet se e ka marrë me shumë vrull. E ka marrë me shumë vrull që kur nisën protestat. Sipas meje, protestat dështuan që kur nisën. Nuk ndodhi asgjë nga ato që na kishin ngopur me premtime. Ata e treguan që nuk kanë asgjë në dorë sepse nuk e kanë popullin me vete. Kanë filluar të dyshojnë militantët e PD për udhëheqjen e tyre, jo më populli që e sheh që kjo udhëheqje nuk ka asgjë në dorë. Pra, e vetmja rrugë që mbetet është rruga e bisedimeve për të hyrë në rrjedhën normale politike dhe pastaj të përpiqen që gjatë diskutimeve për Kodin Zgjedhor të merren të gjitha masat e mundshme në mënyrë që të mos ketë parregullsi në zgjedhje. Jo që kur të humbim të fillojmë të themi na u vodhën votat. Zgjedhjet parlamentare të fundit ishin shumë të qeta sepse ishte bërë marrëveshja. Ishin 6 ministra të PD, ata pretendonin se e kishin situatën në dorë dhe pastaj kur e panë që humbën, filluan fjalët. Kështu që nuk duhet të përsëritet më kjo. Duhet të mobilizohen që të bëjnë atë që duhet bërë.
-Edhe pse sezoni i ri i punës për politikën nisi, zoti Berisha vijon të jetë i heshtur. Mungojnë thirrjet e tij për protestave të dhunshme dhe kryengritje. A kemi të bëjmë me një lloj tërheqjeje të ish-kryeministrit? A mendoni se ka pranuar dështimin në këtë lojë politike?
Jo, jo, ai nuk pranon dështim. Ai sigurisht që po përpunon diçka. E pa që protestat nuk sollën gjë. Ashtu është ai, tradicional, edhe punëtor, edhe nuk bën deklarata kot. Ai e pa që me protesta nuk shkohet asgjёkundi. Atëherë duhet gjetur një zgjidhje tjetër. Dhe zgjidhja është rruga normale. Ata gabuan rëndë që ikën nga Parlamenti. Ata e morën me shumë vrull, nuk e di kush jua kishte mbushur mendjen për të çarë rrugë të reja në politikë sepse kjo ishte një rrugë e pashkelur. Besoj e morën një mësim që rrugët e pashkelura nuk duhen provuar nga neve. Tani Berisha nuk ka sesi të mendojë më skenarë ekstremë se i ka marrë të gjitha mesazhet nga ndërkombëtarët. Nuk do rrinte i qetë ai nëse nuk do të kishte mesazhe nga ata. Nuk ka bërë vaki kurrë. Natyrisht që është edhe mosha që ndikon. Kush e ka parë kohët e fundit thonë që nuk është më Berisha i dikurshëm. Por është edhe kjo që mesazhet i ka marrë, nga ana tjetër edhe reforma në drejtësi e tremb pak. Janë plot gjëra bashkë. Janë mbledhur pak si shumë këtë radhë. Megjithatë unë them që ai po mendohet, nuk besoj se ai dorëzohet.
-Paralelisht me vizitën e drejtorit të DASH pati edhe një emërim të zotit Palmer në një pozicion të ri, si përgjegjës për Ballkanin Perëndimor. Si e shikoni ju këtë lëvizje?
Komenti themelor për mua ishte ky, që mesa duket amerikanët Ballkanin e kanë një rajon shumë të rëndësishëm dhe vendosja e tij tregon që ata nuk do të tërhiqen nga të gjitha reformat që kanë nisur në Ballkan. Më pëlqeu si mesazh sepse shoh që kontributi i SHBA në këtë periudhë në këtë rajon është i domosdoshëm. Evropa ka hallet e saja, nuk është në një periudhë të mirë.
-A mendoni se posti i ri i Palmer lidhet edhe me rrezikun rus që i kanoset Ballkanit?
Rreziku rus është ngritur gjithmonë si shqetësim për këtë rajon sepse vërtet rusët kanë patur interesa për këtë rajon historikisht. Por unë nuk mund të vlerësoj se është ndonjë problem i madh. Rusët e kanë më shumë me Ukrainën, me Poloninë. Janë këto vendet që e ndjejnë veten më shumë të kërcënuar nga rusët. Shqipëria është peshë e vogël për të influencuar në marrëdhëniet me më të mëdhenjtë. Palmer sigurisht do japë kontributin e vet në favor të interesave amerikane se e njeh problemin. Por nuk mund ta them prerazi që është fenomeni rus faktori kryesor që e ka sjellë Palmerin në këtë pozicion.
-Po nismën e mazhorancës për të shkarkuar presidentin si e komentoni?
Më duket një precedent i rrezikshëm. Unë kam qenë gjithmonë që presidenti të zgjidhet nga populli dhe të ketë më shumë kompetenca seç ka presidenti aktual. Natyrisht, po të ishte kështu, kjo nismë e PS nuk do të bëhej dot. Kjo punë nuk do të zgjidhej nëpër komisione parlamentare. Natyrisht që presidenti nuk veproi mirë. U duk sikur ai ishte më shumë kryetar partie sesa president. Por që puna të shkonte deri këtu, deri tek shkarkimi i tij, s’e di, mu duk e tepërt. Është problem institucional, nuk është problem politik. Shkarkimi i presidentit nuk duhet të jetë politik dhe nuk duhet të kthehet në politik. Është në dëm të institucioneve të vendit. Duhet t’ia lënë atyre që janë specialistë që të durojnë e të presin që të marrin edhe rekomandimin e Komisionit të Venecias. Unë them që presidenti ka prishur punë me eliminimin e datës së zgjedhjeve dhe caktimin e një date tjetër që natyrisht ishte absurde fare. Ajo datë nuk njihet nga njeri, po të ishte ajo data e zgjedhjeve, duhet të kishte përgatitje. Për mua presidenti duhet të ishte treguar pak më i kujdesshëm sepse gaboi. Por edhe kjo puna e shkarkimit sesi më duket. Po ndodhin ca gjëra për herë të parë. Nuk është koha për të bërë gjëra për herë të parë. Ka shumë emocion nga të gjitha palët dhe kjo i bën dëm shtetit. Nuk ngrihet dot një shtet serioz me emocion. Shteti ngrihet me njerëz të ftohtë që mendojnë racionalisht, që mendojnë për shtetin dhe jo për interesat partiakë. Emocionet janë të lidhura me interesat partiake. Unë them që zbutja e mazhorancës do të ishte rruga më e mirë dhe për këtë i bëj edhe një thirrje publike. Të zbutet pak dhe kjo të mos kthehet në precedent.
-Të premten LSI festoi 15 vjetorin e krijimit, por ajo që ra në sy ishte mungesa e liderit demokrat, Lulzim Basha në festë. A ishte ky një tregues se marrëdhëniet brenda opozitës nuk janë fort të mira?
Unë them që po. Lideri demokrat ka marrë kot. LSI edhe si pozicion është një parti e vogël dhe është e detyruar të mendojë më shumë. Ajo ka menduar që kur është krijuar dhe për sa kohë është e vetmja parti që u nda nga më të mëdhatë dhe që akoma ka një peshë në jetën politike tregon që ajo ka menduar gjithmonë. Nuk ka qenë kaq deklarative. Me siguri ka një diferencë në opinione. Nuk mund të shkojë aq larg LSI, saç shkon Luli që thotë pa Edi Ramën nuk bëhet asgjë. LSI është një parti e vogël, është më e zbutur në qëndrim. Kështu që them se mund të ketë përçarje.
-Një tjetër detaj interesant ishte pjesëmarrja e kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, në ceremoni. Si e patë ju këtë lëvizje, si një hap për të balancuar gjërat apo thjesht si një vizitë që bëhet për hir të respektit?
Gramoz Ruçi bëri detyrën. Kryetari i Parlamentit duhet të jetë i baraslarguar, siç pretendohet që presidenti duhet të jetë mbi palët. Pavarësisht se ai është zgjedhur me votat e socialistëve, por socialistët kanë kryetarin e tyre dhe në këtë rast detyrat e Ruçit janë të ndara nga ato të PS. Sipas meje, Ruçi vajti në shenjë pajtimi, për të balancuar pak gjërat, siç thua edhe ti. Ai bëri mirë që mori pjesë, mua më pëlqeu.
-Një tjetër çështje për të cilën publiku shfaq interes është ajo e Izet Haxhisë. Edhe është bërë më shumë se një vit që nga ekstradimi i tij, procesi i tij gjyqësor nuk duket se është në rrugën e duhur. A kanë vullnet gjyqtarët për ta rihapur dhe zbardhur dosjen “Hajdari”?
Mua më vjen keq për Izet Haxhinë sepse më duket se nuk do ta gjejë drejtësinë që ai kërkon. Nuk ka asnjë interes nga asnjë që të rihapet dosja “Hajdari”, qoftë edhe në aspektin personal për rolin e Haxhisë në ngjarje. Meqenëse ky mungonte në proces, u dënua rëndë. Por këto dënime të rënda u dhanë edhe për të treguar që shiko gjyqësori e bëri detyrën, i dënoi ata që ishin të implikuar sepse edhe situata kur u bë gjyqi ishte shumë e acaruar. Pati një tentativë për të përfituar gjyqësori nga dënimet e rënda. Por tani situata është që asnjë nga palët politike nuk ka më interes. Mbase është e gabuar kjo që po them unë sepse kjo nënkupton që politika influencon në gjyqësor. Ne po shpresojmë që gjyqësori të dalë nga influenca politike përmes reformës në drejtësi, por duhet pranuar që hëpërhë kjo reformë nuk është mbyllur dhe akoma ka një influencë. Po ta shikosh, askush nga politika nuk thotë asnjë fjalë për këtë çështje. Dikur u konsiderua si vrasja e shekullit, ndërsa sot ka heshtje. E shfrytëzuan të gjitha palët këtë vrasje. Më shumë sigurisht që e shfrytëzoi Berisha. Ai kishte gisht në atë vrasje dhe e shfrytëzoi në favor të tijin. Politika do t’i qëndrojë larg kësaj çështjeje, kështu që duhet të presim deri në krijimin e një gjyqësori serioz.
Intervistoi: Mimoza IBRA