Ilir Meta deklaron se është shumë i pakënaqur me opozitën dhe se po të kishte dëgjuar edhe vendi do ishte shumë mirë.
“Objektivi im ka qenë zgjedhje gjithëpërfshirëse. Realizimi i zgjedhjeve pa opozitën ishte çmenduri. Opozita po të më kishte dëgjuar mua do të ishte shumë mirë për të dhe shumë më mirë për vendin. Edhe Rama po të më kishte dëgjuar mua do të ishte shumë mirë për të dhe shumë më mirë për vendin.
Jam shumë i pakënaqur nga opozita. E para për lënien e mandateve. E kam paralajmëruar para një viti që kur është hedhur si ide për herë të parë. E kam paralajmëruar që kjo ide ishte e gabuar. U kam thënë se të mos mendoni se po ta bëni ju do ngelet dikush në Bruksel pa gjumë. Kështu ndodhi. Veprimi i opozitës ishte shumë i fortë dhe paprecedentë. Opozita nuk më ka dëgjuar për reformën në drejtësi. Jemi këtu ku jemi për shkak të zbatimit të njëanshëm të reformës në drejtësi dhe tek shkatërrimi I besimit, mënyra e respektimit të Kushtetutës. Opozita duhej të kishte dalë me një platformë të saj.”
Ilir Meta thotë se mazhoranca nuk i ka votat që i duhen për të shkarkuar Presidentin e Republikës.
I pyetur nga Çim Peka, nëse Komisioni i Venecias thotë se Presidenti ka shkelur Kushtetutën, si do të vepronte ai, Meta tha se mazhoranca nuk i ka votat për shkarkimin e tij.
“-E para, mazhoranca nuk i ka votat për shkarkimin e presidencës.
-E dyta, duhet parë dhe vetë legjitimiteti i Parlamentit
Unë e mirëpres faktin që këta kanë sjell Komisionin e Venecias, por më shumë kam bindjen time se nuk e kam shkelur Kushtetuën”, tha Meta.
Më herët, presidenti duartrokiti faktin që mazhoranca ka thirrur Komisionin e Venecias për të shqyrtuar veprimet e tij, por theksoi se ai nuk e ka shkelur në asnjë moment Kushtetutën.
“Edhe Komisionin e Venecias shumë mirë që e kanë sjell. Edhe një duartrokitje për këtë.
Unë duartrokas se e di ca veprimesh kam bërë, jam transparent, shumë mirë kanë bërë që e kanë ftuar.
Zero shkelje e Kushtetutës nga presidenti i Republikës. Unë kam konfirmuar me dëshirën time që të marrë pjesë në Komisionin e Venecias”, shtoi Ilir Meta.