Dosja e vrasjes së ish-deputetit demokrat, Azem Hajdari pritet të kalojë tek Struktura e Posaçme Antikorrupsion. Prej disa muajsh gjykatat shqyrtojnë kërkesën e Izet Haxhisë për t’u rigjykuar dhe për të rihapur dosjen me qëllim zbardhjen e të vërtetës. Që pasi Gjykata e Apelit të Tiranës pranoi që Haxhia t’i nënshtrohet edhe një herë procesit gjyqësor sepse është dënuar në mungesë, në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë janë zhvilluar disa seanca.
Mirëpo gjatë seancës së djeshme, Prokuroria e Tiranës bëri kërkesë që kjo gjykatë të shpallë moskompetencën dhe dosja të kalojë tek Gjykata e Krimeve të Rënda. Sipas prokurorisë, vepra penale është e atillë që gjykohet nga Krimet e Rënda sepse kemi të bëjmë me vrasjen e një funksionari publik, në këtë rast të një deputeti. Kërkesa u depozitua në gjykatë, por pala e akuzuar kërkoi kohë që të shprehet për të. Avokatët mbrojtës të Izet Haxhisë, Bashkim Nikolla dhe Idajet Beqiri deklaruan se do ta shqyrtojnë me kujdes këtë kërkesë dhe më pas do të vendosin nëse janë dakord me të apo jo. Por vetë Izet Haxhia u shpreh i hapur që kjo dosje të vijojë të shqyrtohet nga Krimet e Rënda. Sipas tij, kjo është një çështje shumë e rëndësishme që meriton një trajtim serioz. “Sipas meje, kërkesa e prokurorisë është një kërkesë e drejtë sepse çështja është e thellë dhe e rëndësishme. Ajo ka nevojë për një shqyrtim të thelluar dhe të kujdesshëm, hap pas hapi”, u shpreh Haxhia nga salla e gjyqit. Në datën 20 shtator do të merret vendimi nëse dosja të transferohet te Krimet e Rënda apo jo. Pritshmëritë janë që transferimi të ndodhë sepse vepra penale për të cilën akuzohet Izet Haxhia gjykohet nga Gjykata e Krimeve të Rënda.
Dosja drejt SPAK Nëse dosja e Izet Haxhisë kalon tek Krimet e Rënda, atëherë hapet rruga që ajo të transferohet te SPAK. Në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” përcaktohet qartë se kur Krimet e Rënda të shkrihen, të gjitha dosjet do të kalojnë në SPAK. “Deri në fillimin e funksionimit të Prokurorisë së Posaçme, kompetenca e saj për të ushtruar ndjekjen penale dhe përfaqësimin e akuzës në gjyq, për veprat penale apo subjektet e përcaktuara në pikën 2, të nenit 135, të Kushtetutës, ushtrohet përkatësisht nga Prokuroria e Përgjithshme, prokuroritë e rretheve gjyqësore apo Prokuroria e Krimeve të Rënda, sipas kompetencës dhe juridiksionit të parashikuar nga legjislacioni në fuqi përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr. 76/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998, “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”. Ditën e fillimit të funksionit të Prokurorisë së Posaçme, çështjet nën hetim apo gjykim i transferohen menjëherë për ndjekje kësaj prokurorie”, thuhet në ligj. Kjo do të thotë se edhe hetimin për vrasjen e Azem Hajdarit pritet ta vijojë SPAK. SPAK ngrihet brenda pak ditësh, çka do të thotë se kjo dosje do të jetë nën shqyrtim nga Krimet e Rënda kur kjo të ndodhë, pra nuk do të jetë mbyllur si çështje. Në këtë mënyrë, fjalën e fundit për të pritet ta thotë SPAK. Nëse realizohet transferimi, atëherë të gjitha provat dhe dëshmitë do të realizohen nën mbikëqyrjen e SPAK. Berisha në alarm Kalimi i dosjes së Azem Hajdarit tek Struktura e Posaçme Antikorrupsion nuk do të ishte një sinjal i mirë për ish-kryeministrin Sali Berisha. Ky i fundit akuzohet se ka patur rol në vrasjen e Hajdarit dhe Izet Haxhia ka kërkuar që të jetë dëshmitari kryesor që do të japë llogari për këtë ngjarje. Por duket se Berisha është në alarm sepse dy ditë më parë ai deklaroi se nuk ka çfarë të dëshmojë. Sipas tij, ai e ka dhënë një herë dëshminë tek ambasada amerikane dhe i gjithë ky proces gjyqësor që po zhvillohet është lojë e Edi Ramës. Në këtë mënyrë, ai tregoi se i stepet marrjes në pyetje për vrasjen e Azem Hajdarit dhe se është i alarmuar nga kjo dosje. Kalimi te SPAK dhe shqyrtimi nga drejtësia e re do të shtonte panikun tek Sali Berisha./ Mimoza IBRA