Pas vizitës së Ramës në Gjermani dhe takimit të tij të gjatë m Merkelin, Jari e ndeju se revolta e demokratëve ndaj “këshilltarit” të Merkelit, Martin Henze po rritej dhe mund të kthehej në skandal.
Ndaj vendosi të ndërhynte:
“Të dashur demokratë,
Jari ju sqaron!
E di që shumë nga ju janë mërzitur për shkak të shfaqjes së Edi Ramës në zyrën e Merkelit dhe pastaj shëtitjen e tyre bashkë para kamerave.
Edhe më e padurueshme ishte ajo skena kur Rama i dha asaj albumin me piktura të tij, të cilat do ekspozohen në Gjermani.
Ka shumë dyshime se “Këshilltari” i Merkelit, Martin Henze, të jetë agjent i dyfishtë në zyrën e Lulit, ndaj duhen marrë masa.
Unë nuk e kuptoj se si armiku jonë kryesor shkon në zyrën e Merkelit dhe “Këshilltari” i Merkelit, Martin Henze, jo vetëm që nuk i bën dot një telefon Merkelit ta ndalojë vizitën e tij, por bën komente në Tuitter-in e Ramës.
Por ne për komente në rrjete sociale paguajmë Call Center-in e Kunatit, nuk paguajmë “Këshilltarin” e Merkelit, Martin Henze.
Këtë e kemi të na i rregullojë punët me Merkelin.
Ky në vend të na i rregullojë ne, ja rregullon Ramës.
Ndaj unë propozoj si masë të parë ndaj tij, t’i presim rrogën për këtë muaj.
Edhe pse ai rrogën e merr nga një biznesmen i afërt me PD, duhet të ndikojmë tek ai që këtë muaj t’ia heqë rrogën.
Pas kësaj, duhet të shikojmë sjelljen e tij.
Nëse ai vazhdon të mos jetë efiçent në punë, duhet të thellojmë masat e tjera.
Finalja do jetë në tetor.
Nëse Bundestagu voton për hapjen e negociatave, pamvarësisht si vendos Franca, “Këshilltari” i Merkelit, Martin Henze, duhet zbuar me ceremoni nga PD dhe duhet hetuar se mund të jetë i futur nga Edi Rama për të na vënë në gjumë.
Nga burimet e mia, Rama e ka pyetur zonjën Merkel për “Këshilltarin” Martin Henze, por ajo nuk i ka dhënë të njohur dhe i ka thënë që deri më sot, i vetmi ndërmjetës që kam me Lulin, je ti.
Kjo tregon se ky “Këshilltari” i Merkelit, Martin Henze, mund të jetë njeri i Ramës dhe ai e ka infiltruar në zyrën e Lulit, duke na marrë jo vetëm idetë, por dhe lekët.
I juaji, Jari!”