Britania e Madhe do të shqyrtojë në retrospektivë vizat që u janë dhënë investitorëve të huaj dhe do të vlerësojë nëse duhen ndërmarrë veprime.
Kështu deklaroi ministrja e Brendshme britanike, Amber Rudd, e pyetur në Parlament për rusët që kishin marrë viza.
Deputetët u interesuan për rreth 700 rusë që kanë mbërritur në Britani nga viti 2008 deri në vitin 2015, me viza të llojit “Radha 1” (Tier 1 visa), të cilat u jepen atyre që duan të bëjnë biznes në Britani dhe kanë të paktën 50 mijë stërlina në fonde investimi.
“Vizat e llojit ‘Radha 1’ u ristrukturuan në vitet 2015-2016 dhe janë reduktuar me 84%. U kam kërkuar vartësve të mi që të shohin se çfarë reformash mund të vazhdojmë të bëjmë, madje edhe të rishikojmë vizat që janë dhënë gjatë viteve të kaluara”, deklaroi ministrja Rudd në Parlament.
Ajo shtoi se u ka kërkuar zyrtarëve përgjegjës që të shohin nësë ka nevojë për masa, në raste të caktuara të vizave të dhëna. Një ditë më parë, kryeministrja Theresa May tha se ishte e drejtë e Britanisë të shqyrtojë nëse kjo pjesë e regjimit të vizave është përdorur siç duhet.