Komisioni i Etikës dhe Disiplinës në UEFA ka vendosur që të pranojë kërkesën e inspektorëve për të dënuar ekipin e Skënderbeut me 10 vite përjashtim nga kompeticionet dhe me një milion euro gjobë, pasi akuzohet për fiksimin e mbi 50 ndeshjeve. Sipas UEFA-s drejtuesit dhe lojtarët e klubit korçar kanë trukuar ndeshje në Superligën Shqiptare, Champions League dhe ndeshje miqësore.
Kërkesa e inspektorëve u bë në datë 7 shkurt, në 24 mars u zhvillua seanca dëgjimore në të cilën morën pjesë edhe përfaqësuesit e Skënderbeut, ndërsa sot është zbardhur vendimi. Kujtojmë që inspektorët e UEFA-s pas hartimit të raportit në shkurt dhe kërkesës u kërcënuan me vdekje. Tashmë shpresa e vetme e Skënderbeut është CAS, Gjykata e Arbitrazhit Ndërkombëtar.
Ekipin shqiptar e pret një rrugë e vështirë përpara për të pastruar imazhin. Skënderbeu ndërkohë është në Arbitrazh për titullin kampion të Superiores vitin e kaluar, që i është hequr nga FSHF, por që federate ende nuk ia ka kaluar atë titull skuadrës së mbaroi e dyta atë sezon Partizanit, duke e lënë atë sezon futbollistik pa kampion.
Dy vite më parë, ekipi korçar u përjashtua nga Champions League me vendim të UEFA-s, duke mos marrë pjesë për një vit në Kupat e Europës. Vendimi i sotëm i UEFA-s hap garën në kampionatin shqiptar, pasi të gjithë ekipet do të luftojnë për vendin e dytë, që të dërgon automatikisht në Champions League, pasi Skënderbeu, pavarësisht se mund të fitojë titullin kampion nuk do të ketë të drejtë që të marrë pjesë në garat në Europë. Ndërsa ekipi korçar rrezikon rënien nga kategoria Superiore. Kjo është hera e parë që një ekip shqiptar merr një dënim kaq të rëndë nga UEFA për manipulim të ndeshjeve të futbollit.
Ndeshjet e trukuara sipas UEFA-s
Champions League
2015/2016 (21/07/2015) Crusaders FC vs. KF Skënderbeu
2015/2016 (25/08/2015) NK Dinamo Zagreb vs. KF Skënderbeu
23/07/2013: UEFA Champions League Qualification: Skënderbeu vs. Neftçi PKF
30/07/2013: UEFA Champions League Qualification: FC Shakther Karagandy v. Skënderbeu:
06/08/2013: UEFA Champions League Qualification: Skënderbeu vs. FC Shakther Karagandy
Europa league
UEL 2015/2016 (22/10/2015) Sporting Club de Portugal vs. KF Skënderbeu
UEL 2015/2016 (10/12/2015) KF Skënderbeu vs. FC Lokomotiv Moskva
Kampionati Shqiptar
13/11/2010: Skënderbeu vs. Dinamo Tirana
12/12/2010: Skënderbeu vs. Shkumbini
08/12/2010: Teuta vs. Skënderbeu
06/02/2011: KS Kastrioti vs. Skënderbeu
15/04/2011: KS Dinamo Tirana vs. Skënderbeu
03/02/2011: KF Tirana vs. Skënderbeu
25/02/2011: KS Dinamo Tirana vs. Skënderbeu
07/03/2011: Skënderbeu vs. Bylis Ballsh
20/04/2011: Skënderbeu vs. KF Laçi
26/10/2011: Skënderbeu vs. KS Kastrioti
05/12/2011: Skënderbeu vs. Bylis Ballsh
04/02/2012: KF Laçi vs. Skënderbeu
08/02/2012: Skënderbeu vs. KS Pogradeci
07/03/2012: Skënderbeu vs. KS Vllaznia
21/03/2012: Skënderbeu vs. KF Laç
26/03/2012: Dajti Kamza vs. Skënderbeu
25/04/2012: Skënderbeu vs. KS Vllaznia
24/08/2012: KS Vllaznia vs. Skënderbeu
24/09/2012: Skënderbeu vs. KF Laçi
08/12/2012: KS Shkumbini vs. Skënderbeu
15/12/2012: Skënderbeu vs. KS Kukesi
19/12/2012: KS Kastrioti vs. Skënderbeu
04/02/2013: Skënderbeu vs. KS Kastrioti
17/02/2013: Apolonia Fier vs. Skënderbeu
20/02/2013: KS Shkumbini vs. Skënderbeu
01/03/2013: KF Laçi vs. Skënderbeu
06/03/2013: KS Kukesi vs. Skënderbeu
12/03/2014: Skënderbeu vs. KS Kastrioti
30/04/2014: Skënderbeu vs. KS Kukesi
11/09/2014: FK Partizani vs. Skënderbeu
29/10/2014: Skënderbeu vs. KF Elbasani
21/12/2014: KS Vllaznia vs. Skënderbeu
25/01/2015: KF Elbasani vs. Skënderbeu
31/01/2015: Skënderbeu vs. KF Laçi
16/10/2015: Skënderbeu vs. KS Teuta
18/02/2015: Skënderbeu vs. KS Flamurtari
21/09/2015: Skënderbeu vs. KF Tirana
22/11/2015: Skënderbeu vs. Terbuni Puke
17/02/2016: Skënderbeu vs. Vllaznia
20/04/2016: Skënderbeu vs. KF Laçi
Miqësore
24/01/2013: Skënderbeu vs. Silkeborg IF
31/01/2013: Skënderbeu vs. SV Mattersburg
04/07/2013: FC Energie Cottbus vs. Skënderbeu
25/06/2014: FC Shakhtar Donetsk vs. Skënderbeu
11/01/2015: Skënderbeu vs. KV Oostende
06/07/2015: FC Dynamo Kyiv vs. Skënderbeu
Por, pavarësisht dënimit, Presidenti i Skënderbeut, Ardian Takaj deklaron se është i pastër dhe se nuk ka lidhje me trukimet. Ai shton se e priste këtë dënim, ndërsa dosjen do e dërgojë në CAS (Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë).
“Jemi të pastër nga kjo histori, dihej që ky do të ishte vendimi. Ne jemi të bindur për pafajësinë, edhe nëse CAS e lë në fuqi këtë vendim, do të shkojmë gjykatën federale të Zvicrës. Tifozët e Skënderbeut i garantoj se do të jemi pjesë e Championsin këtë sezon” deklaroi ai.
Në gjykatën e Apelit të UEFA, por edhe në CAS mund të ketë një ulje të dënimit, në rastin më të mirë, pasi është thuajse e pamundur që Skënderbeut t’i hiqet dënimi plotësisht.
Vetë kreu i FSHF është aksioner te klubi i futbollit të Skënderbeut, ndërsa kërkesa e inspektorëve të UEFA për dënimin e ekipit shqiptar u bë në datë 7 shkurt, ditë kur Armand Duka u rizgjodh në krye të qeverisë së futbollit shqiptar.
Duket se FSHF nuk do të bëjë asnjë hap kundër ekipit të Skënderbeut derisa të flasë CAS, ndërsa dënimi i korçarëve do të shkaktojë një reaksion zinxhir në futbollin shqiptar, pasi tashmë është ekipi i dytë ai që do të shkojë në Champions League nëse do të shpallen kampion.
Më pas, me spostimin e vendeve të Europa Leagues, i bie që vendi i tretë dhe i katërt në kampionat, të sigurojë një vend për në kupat e Europës. Laçi, Partizani, Flamurtari e Luftëtari gjenden shumë pranë njëra-tjetrës, me vetëm 5 pikë diferencë, dhe lufta shihet shumë e egër mes 4 skuadrave për 2 pozicione.
Por edhe te fituesi i Kupës së Shqipërisë ka garë tjetër. Skënderbeu është shortuar me Flamurtarin në gjysmëfinale, ndërsa Laçi me Kukësin. Duke përjashtuar tashmë ekipin korçar për Europën, 3 ekipet e tjera të Kupës garojnë edhe në kampionat për një vend në Europë.
Kështu, me shumë gjasa do të kemi edhe vendin e pestë në kampionat që do të marrë pjesën në Europa League. Përpos këtyre llogarive, për sezonin e ardhshëm mund të kemi konfigurim të Superiores, ku Skënderbeu, duke u përjashtuar me 10 vjet nga Europa, me siguri do të dënohet edhe me rrëzim në kategoritë inferiore.