Manolis Kefalogiannis, eurodeputet grek i Demokracisë së Re, është zgjedhur në krye të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asocimit midis Bashkimit Europian dhe Shqipërisë.Kefalogiannis ka zëvendësuar në këtë detyrë rumunen Monica Macovei. Ndërkohë, pas marrjes së detyrës ai ka dhënë edhe mesazhin e tij të parë, teksa ka vendosur theksin te detyrat që Shqipëria duhet të realizojë.
“Është nder i madh për mua që të zgjidhem unanimisht si kryetar i Komitetit të Stabilizim Asociimit Parlamentar BE-Shqipëri. Një komision shumë i rëndësishëm që shqyrton rrugën e pranimit të Shqipërisë, një vend i Ballkanit Perëndimor që duhet të respektojë vlerat evropiane, sundimin e ligjit, marrëdhëniet e mira fqinjësore, ligjin ndërkombëtar, të drejtat e pakicave dhe natyrisht të drejtat e pakicës etnike greke”, ka thënë eurodeputeti, duke i qendruar kështu linjës së Athinës zyrtare, lidhur me pakicat greke në vendin tonë.
Komitetit Parlamentar i Stabilizim-Asocimit BE-Shqipëri, është krijuar me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit.
Komiteti Parlamentar i Stabilizim-Asocimit është forumi i anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe të Parlamentit Europian, në të cilin diskutohen të gjitha aspektet e marrëdhënieve politike dhe ekonomike BE–Shqipëri, me fokus të veçantë në zbatimin e MSA-së.