Presidenca nuk pranon të komentojë raportin e Komisionit të Venecias që konkludon se presidenti Ilir Meta ka shkelur Kushtetutën me anulimin e datës së zgjedhjeve të 30 qershorit.
Zëdhënësi i presidentit, Tedi Blushi, shprehet se dokumenti nuk komentohet më së pari sepse është “i klasifikuar”, ndërsa hedh edhe dyshime për datën që dokumenti mban, 29 shtator 2019, ndërkohë që u publikua sot në datën 27.
“Nuk komentojmë asnjë dokument të klasifikuar që na vjen nga institucione të ndryshme, përfshi edhe Komisionin e Venecias.
Aq më tepër që sot është data 27 shtator 2019, ndërsa ky dokument mban datën 29 shtator 2019.
Jemi të paqartë: është “ngatërresë” nga nxitimi, apo në datën 29 shtator 2019 do vijë një dokument tjetër?
Sa i takon çështjes në fjalë, qëndrimi im i mëparshëm është shumë i qartë:
ZERO SHKELJE TË KUSHTETUTËS!”, shprehet Blushi.