Opozita duket e përçarë kur bëhet fjalë për t’u ulur ose jo në tryezën e dialogut me kryeministrin Edi Rama. Pavarësisht se ndërkombëtarët kanë bërë vazhdimisht thirrje që të dyja palët të ulen në tryezën e dialogut, nga radhët e demokratëve ka skeptikë për këtë. Një nga kushtet e vendosura nga Gjermania për negociatat ishte zgjidhja e krizës politike, por sipas demokratëve ky ngërç zgjidhet vetëm me largimin e kryeministrit Edi Rama. Ish-deputeti i PD, Klevis Balliu tha dje gjatë një prononcimi për gazetën “SOT” se demokratët nuk kanë si synim dialogimin me Ramën, por rrëzimin e këtij të fundit nga pushteti. “Për hir të integrimit të vendit në BE, Partia Demokratike do të largojë Edi Ramën nga pushteti, të cilin e ka siguruar vetëm nga mbështetja e krimit dhe bandave. Nuk mund ta mendosh që një vend mund të bëhet pjesë e BE me një kryeministër i lidhur kokë e këmbë me krimin, trafikantët e drogës dhe bandat. Nuk mund të mendohet që vendit t’i hapen negociatat me trafikant si Kryeministër. Të jemi të gjithë të qartë edhe me qëndrimin gjerman. Bundestagu nuk i vuri kushte Shqipërisë, por Edi Ramës”, tha Klevis Balliu.
Reagimet e tjera
Në një linjë me Balliun ishte edhe demokrati Luçiano Boçi. Po për gazetën “SOT” ai u shpreh se kriza zgjidhet vetëm me zgjedhje të parakohshme. “Kushtet e vendosura nga Bundestagu dëshmojnë krizën e besimit ndaj qeverisjes nga faktori ndërkombëtar. Për integrimin PD ka bërë gjithçka përfshirë dhe betejën e saj për mbrojtjen e demokracisë dhe do vazhdojë të jetë e angazhuar. Kriza politike nuk zgjidhet duke u ulur me njeriun që ka deformuar parimet e demokracisë, ka bashkëpunuar me krimin e ka vjedhur votat. Zgjidhja vjen me zgjedhje të parakohshme. Këtë në terma të kuptueshme e transmetojnë dhe kushtet e vendosura”, deklaroi Luçiano Boçi. Ndërsa ish-deputetja Dhurata Çupi ishte disi më e moderuar. Duke akuzuar Edi Ramën për imazhin e keq të Shqipërisë në botë, sipas saj zgjidhja do të vijë vetëm nga opozita, siç ka ndodhur gjithmonë. “Unë dhe çdo demokrat i themi një “faleminderit” të madhe Gjermanisë që njohin realitetin shqiptar, por nga ana tjetër këto kushte janë një shuplakë e rëndë për qeverinë, për Edi Ramën sepse ai është shkaktari që imazhi i vendit tonë në Evropë është degraduar në këtë gjendje. 9 konstatimet e qeverisë gjermane nuk janë të reja. Unë e kam thënë edhe në deklaratat e tjera që në Shqipëri nuk ka krizë që nuk është faktuar nga të majtët dhe për zgjidhjen kanë qenë faktorë të djathtët. Kështu që edhe këtë radhë besohet që faktori kryesor për kthimin e Shqipërisë në normalitet dhe të zgjidhjes së konflikteve patjetër do të jetë PD dhe opozita e bashkuar”, u shpreh Dhurata Çupi.
LSI e gatshme të ulet në tryezë
Ndryshe nga Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dha dje sinjale për dialog. Ishte ish-deputeti Petrit Vasili ai i cili gjatë një interviste televizive deklaroi se LSI është e gatshme të ulet për të negociuar për reformën zgjedhore. “Reforma zgjedhore është një e tërë, nuk ka as çarje, as ndarje as copa. Ne kemi bërë kushedi sa reforma zgjedhore, para se të vijë Rama. Ka një reformë zgjedhore si një e tërë. Ulet diskutohet dhe miratohet si një e tërë. Në asnjë rekomandim të OSBE- ODIHR nuk ka pasur rekomandim për ndryshim sistemi. Sistemi, të gjithë janë mbrapa, kemi folur shumë, kemi luftuar shumë vite më parë. Sistemi nuk i jep përgjigje kriminalitetit. Palët vihen në tavolinë dhe ky është prioriteti ynë. Zgjedhje të parakohshme? Sa më parë të jetë e mundur”, tha Petrit Vasili.
Mimoza Ibra