Gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkarkuar nga vetingu po iu shtrëngohet “laku” dita-ditës. Përveç përjashtimit nga sistemi i drejtësisë për 15 vite, ata rrezikojnë edhe të hetohen për krimet e kryera. Ditët e fundit Gjermania ka vënë si kusht ndëshkimin e të shkarkuarve nga vetingu për negociatat. Gjatë seancave dëgjimore që janë mbajtur për njerëzit e drejtësisë në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit kanë dalë në pah një sërë shkeljesh të kryera nga gjyqtarët dhe prokurorët. Po cilat janë këto shkelje më konkretisht?
Gazeta, duke u nisur nga seancat dëgjimore, por edhe nga vendimet e zbardhura të KPK, ka bërë një bilanc të të gjitha krimeve që rrezikuan postin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Nga kërkimet e gazetës ka dalë se gjashtë janë krimet më kryesore të kryera nga njerëzit e drejtësisë. Pjesa më e madhe e tyre janë implikuar në fshehjen e pasurisë. Shumë gjyqtarëve dhe prokurorëve u janë gjetur nga komisionerët e vetingut pasuri të padeklaruara apo të pajustifikuara. Kjo është vepër penale e cila dënohet deri në 3 vjet burg. Një tjetër krim i kryer nga përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë është edhe falsifikimi i formularëve. Për disa prej tyre janë gjetur kryesisht probleme me formularin e dekriminalizimit, ku gjyqtarë a prokurorë kanë fshehur dënime. Këtu mund të përmendim rastin e ish-gjyqtarit Admir Thanza, i cili u dënua për fshehjen e dënimit në Itali. Hetimet e KPK nxorën në pah edhe sesi gjyqtarët dhe prokurorët kanë kryer ndërtime pa leje. Edhe pse janë njerëz të drejtësisë, shumë emra kanë kryer batërdi duke ndërtuar pa leje dhe duke shtuar kate të palegalizuara. Midis tyre mund të përmendim ish-gjyqtarin e Apelit të Korçës, Sotiraq Lubonja, i cili deklaronte shtesa pa leje në sipërfaqe ndërtimi që shkonin deri në 78 m2 për kat. Një tjetër emër është ai i ish-gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Artan Broci, i cili kishte bërë një ndërtim pa leje në vitin 1997 në pallatin ku banonte në rrugën Don Bosko në Tiranë. Në listë është edhe emri i ish-kryetares së Gjykatës Administrative të Shkodrës, Valbona Durraj se në një tokë të zotëruar prej saj është ndërtuar një godinë dykatëshe pa leje. Si këta, ka edhe shumë emra të tjerë.
Gjyqtarët dhe prokurorët kanë kryer edhe mashtrime me kreditë, duke shmangur detyrimet kolaterale, e cila po ashtu përbën vepër penale. Madje, ka edhe nga ata që kanë përfituar kredi të buta pa të drejtë. Mes tyre mund të përmendim ish-prokurorin e Prokurorisë së Përgjithshme, Arqile Koça. Ai ka marrë një kredi të butë duke e shfaqur veten si të pastrehë. Kredi të butë ka përfituar edhe ish-gjyqtari i Apelit, Ervin Metalla. Ai ka kaluar shtëpinë që përdorte vetë në emër të vëllait të tij me qëllim që të paguante kredi me interesa të butë. Një tjetër emër që mund të përmendim është ai i Ferdinand Elezit, ish-kryetar i Prokurorisë së Apelit të Durrësit. Një tjetër vepër penale e rëndë e kryer nga njerëzit e drejtësisë është edhe evazioni fiskal. Kjo vepër bëhet akoma më e rëndë kur ajo është kryer nga ish-kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori. Sakaq, ka edhe nga ata gjyqtarë e prokurorë që kanë kryer falsifikim dokumentesh. Kjo vepër penale dënohet me 3 vite burg. Pra, mbi gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar nga vetingu rëndojnë një sërë krimesh të kryera, për të cilat do të duhet të japin llogari. Me ngritjen e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion pritet që të gjithë ata të dalin para drejtësisë së re dhe përveç shkarkimit nga detyra, të marrin edhe dënimet e merituara për krimet e lartpërmendura. Në këtë mënyrë plotësohet edhe një nga kushtet e Gjermanisë. Duhet thënë që gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar rrezikojnë shumë vite burg./ Mimoza Ibra