Nga Endri Kajsiu
“Presidenti shkeli kushtetutën kur anuloi zgjedhjet dhe vendosi shtyrjen e tyre pa pasur një kompetencë të tillë në Kushtetutë e në ligj”. Ky është konluzioni i opioninit të Komisionit të Venecias që ka hedhur në erë çdo argument të Ilir Metës, i cili ka dalë edhe njëherë lakuriq para opinionit publik si një President që i ka shërbyer partisë së tij dhe opozitës në shkelje të Kushtetutës. Jo se për këtë kishte ndonjë shqiptar të arsyeshëm që dyshonte, por më shumë për hir të të qenit korrekt juridikisht.
Ata militantë apo naivë që menduan se Ilir Meta do të mbante fjalën e dhënë te Çim Peka ku që zotuar se ”Nëse Venecia thotë që Ilir Meta ka shkelur Kushtetutën, patjetër që do ta jap dorëheqjen. Unë kam dhënë dorëheqjen kur kam qenë kryeministër për një gjë që nuk kishte lidhje fare me mua. Të thotë Komisioni i Venecias që Presidenti ka shkelur Kushtetutën dhe unë të rri president? Kurrë në botë.” , sot mund të ndihen të fyer apo të mashtruar nga Ilir Meta, por as kjo nuk është një gjë për tu shqetësuar.
Ajo që është interesante në kaosin e krijuar në Presidencë, (përveç sulmeve ndaj gazetarëve kritikë ndaj Metës), është argumenti që Meta po përpiqet të ngrejnë se në fakt raporti final nga Komisioni i Venecias do të jepet në 11 tetor. Ndaj, duke i shpallur luftë opinionit të Venecias, ai ka paralajmëruar se ka përgatitur një tjetër raport ku tregohet se nuk është shkelur Kushtetuta, duke e trajtuar kësisoj Komisionin e Venecias si institucion që nuk di të gjykojë një çështje që në fakt është ndër më të thjeshtat.
Kjo marrëzi e Presidencës që vë në dyshim profesionalizmin e elitës së jurispudencës si në rastin e Komisionit të Venecias, duke pretenduar se ka juristë më të mirë në zyrën e Metës se në Komision, është pasqyrë e një profili qesharak që Ilir Meta ka vendosur të krijojë për veten.
Qesharakëzimi i institucionit të Presidentit nuk ka njohur kurrë më parë një situatë të tillë, ku të vjen turp kur mendon se ai institucion dhe ai njeri janë simbol i unitetit kombëtar.
Ilir Meta me sfidën që po përpiqet t’i hapë Venecias është duke e kthyer veten si Sali Berisha në 2013-ën, në një lolo politike ku qeshin me të të mëdhenj e fëmijë. Veçse Berisha në 2013-ën përdorte antiplumb pasi i kishin mbushur mendjen se nuk e rrëzon dot njeri nga pushteti veçse me plumb, ndërsa Metës i kanë mbushur mendjen se mund të jetë më jurist se Komisioni i Venecias edhe pse njihet si ish-shtangist.