Kreu i Autoritetit të Medias Audiovizive Gentian Sala u bëri apel televizioneve që të fikin sinjalet e transmetimit analog në kuadërtë digjitalizimit të plotë të vendit. Ai theksoi se ky proçes nuk mund të ndalet e të kthehet pas. Megjithëse, ka qytete ku vazhdon transmetimi me sinjal analog, Sala shtoi se kjo nuk është një problematikë që shfaqet për herë të parë. Ndër të tjera, ai theksoi se nuk do të merren masa për ndërprerjen nga AMA të sinjaleve analoge të televizioneve.
“Unë dua të bëj të ditur që digjitalizimi nuk ka më kthim prapa, televizionet kanë bërë investime të jashtëzakonshme, qytetarët kanë benefite të jashtë zakonshme, janë 38 kanale pa pagesë përveç atyre që ofrojnë platformat, unë do ju bëja thirrje televizioneve që të respektojnë ligjin dhe sa më parë ato që kanë ngelur të mbyllin transmetimet analoge. Të paktën, personalisht, këto 5 vite jam mësuar që nëpërmjet komunikimit zgjidhjen çështjet që të gjithë televizionet dhe besoj që nuk do jetë nevoja e zbatimit të ligjit në pikë në nen dhe në frymë”, tha Sala. Pavarësisht se disa familje nuk janë pajisur me dekodera për transmetime digjitiale, kreu i AMA-s u bëri me dije se kjo nuk përbën pengesë për digjitalizimin e plotë të vendit. “Jo të gjithë qytetarët janë pajisur me dekodera është një numër i vogël qytetarësh që nuk janë pajisur me dekodera , por strategjia e thotë qartë nëse të gjithë ose një pjesë e vogël ka ngelur pa dekodera atëherë digjitalizimi duhet të mbyllet, pra si kuadër ligjor jemi shumë të saktë dekodera në treg ka”, përfundoi kryetari i AMA-as Gentian Sala për digjitalizimin e transmetimeve.