Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian pritet që të marrin shumë shpejt në dorë Byronë Kombëtare të Hetimit. Këshilli i Lartë i Prokurorisë njoftoi pak ditë më parë se sapo SPAK të marrë jetë, gjëja e parë që do të bëhet është hapja e garës për Byronë Kombëtare të hetimit. Gazeta ka mësuar se sapo të emërohen prokurorët e SPAK, SHBA dhe BE do të sjellin në Tiranë ekspertë, që do të merren për plot dy vite me ngritjen dhe futjen në shina të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Një burim i tha gazetës se ekspertët janë përzgjedhur dhe brenda vitit do të vijnë në Tiranë. Sipas burimeve nga KLP, do krijohet një komision me ekspertë ndërkombëtarë të cilët do merren me gjithë procesin e sistemimit të godinës ku do funksionojë SPAK. Ata do ndihmojnë në procesin e rekrutimit të hetuesve. Po ashtu do zhvillojnë trajnime dhe do asistojnë në instalimin e pajisjeve speciale që do të ndihmojnë në zbulimin e aferave të pushtetarëve. Nga SHBA pritet të vijë një përfaqësues i FBI, duke qenë se Byroja e Hetimit do jetë njësoj si FBI amerikane. Po ashtu gazeta mësoi se një pjesë e emrave që do të kandidojnë për BKH janë trajnuar kohët e fundit nga përfaqësues të FBI. Në momentin që do hapen aplikimet ata do të kandidojnë. Bëhet fjalë për ekspertë financash, kontabilistë, IT, hetues, efektivë policie dhe përfaqësues nga policia gjyqësore. Të gjithë këta do asistojnë hetuesit për të gjurmuar partë dhe për të verifikuar pasuritë e njerëzve të politikës. Ndërkohë, sikundër është bërë e ditur pasi të përzgjidhen rreth 60 hetues, ata do shkojnë në SHBA për t’u trajnuar.
BKH, me drejtori rajonale
SPAK do të qëndrojë te godina aktuale e Krimeve të Rënda, ndërsa Byroja e Hetimit do jetë te godina e ish-Ministrisë së Shëndetësisë, ngjitur me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Por fokusi i BKH nuk do jenë vetëm pushtetarët e Tiranës, pasi në skaner do kalojë dhe pushteti vendor. Sapo të ngrihet njësia qendrore e BKH në Tiranë, më pas do ngrihen dhe disa degë të saj në qarqet kryesore të vendit, ku ka dyshime për krim të organizuar dhe rritje të korrupsionit. “Gjykatat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe Struktura e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e kanë vendndodhjen në Tiranë dhe e ushtrojnë juridiksionin e tyre penal në të gjithë territorin e Shqipërisë. Byroja Kombëtare e Hetimit mund të krijojë zyra të përkohshme ose të përhershme jashtë Tiranës, për të përmbushur qëllimin e saj”, thuhet në nenin 10 të ligjit për luftën ndaj korrupsionit. Ndryshe nga SPAK, që do jetë prokurori dhe gjykatë, Byroja e Hetimit do ketë rolin e policisë gjyqësore. Ky organ do ketë në fokus vetëm pushtetarët e nivelet të lartë dhe do të hetojë çdo person kur ka indicie për korrupsion. Në Kroaci nisën hetimet ndaj ish-kryeministrit vetëm se mediat nxorën foto ku Sanader mbante orë të shtrenjta. Pas hetimeve ai u dënua me burg. Edhe BKH këtë rol do ketë. Hetuesit e saj do nisin hetimet pas çdo lloj denoncimi, qoftë mediatik, individual apo institucional.
Kliti Topalli