Nga Anri Bala
Ata nuk ishin aty, as atje, as këtu, e kur nuk i shikon të merr malli dhe të lind vetvetiu pyetja: Po hajdutët dhe grabitësit e vërtetë, ku ishin kur protestonin viktimat e tyre të hershme?! Kushdo, do të ketë pyetur njësoj si unë, kur i ka dëgjuar në mbrëmje figurat e nxira, që flisnin për veprën e tyre të “madhërishme”… nga vlera, “Rrugën e Kombit”, duke e përzier me qytetarë, e duke marrë përsipër rrobaqepësit e kostumit të Mbretit Lakuriq, të Andersenit.
Mirëpo, këta mashtruesa, e dinë se qytetarët e këtij vendi nuk janë danez, e nuk bëjnë sikur nuk shikojnë, kur edhe një fëmijë thërret, se na kanë vënë përpara “Vrimën e Kombit”. Ishin tejet të “mallëngjyer” për qytetarët e egërsuar me pushtetarët, e të trimëruar me zjarrin dhe veprimet e protestuesve, nuk ngurruan të varnin në gjoks distinktivët e udhëheqësve, a thua se qytetarët ishin aty, për karrigen e humbur të hajno-grabitësit.
Të gjithë i pamë, flas për ato që kanë sy, se si i lumturonte shkatërrim dhe si u shkëlqenin sytë, duke shpresuar se më në fund, pas rrënimit, mund të gjejnë një “varr” ku mund të qajnë edhe ata… për popullin. E dinë mirë, se ai është varri i hapur nga ata. Është e do të jetë akoma i hapur dhe nuk mbyllet, sepse është duke pritur të zotin, që ka paguar bashkë me të edhe ditën e vdekjes. Ai është aty bashkë me ata, që kanë bërë porosi pa paguar, me ata që ishin prapa perdes, duke u ngrohur nga larg, me zjarrin, që kishin ndezur vetë prej vitesh.
Ai zjarr, nuk ishte i rastësishëm, por i kahershëm, që kur ideatorët e grabitjes dhe super hajduti me petrita pa pupla dhe çakej që kanë shqyer dhe rrëmbyer gjithçka nga ai vend, nuk janë gjykuar dhe dënuar. Ata ishin aty, që kur thërrisnin për mosbindje civile, e deri kur krimin e tyre donin ta lanin e pastronin me shkatërrimin e produktit të veprës penale, që u kanë lënë shqiptarëve në kurriz për shumë vite.
Ej njerëz! 1 miliard euro për diçka, që nuk ekziston, është një peshë e rëndë për shpatullat e drobitura të ekonomisë shqiptare. Thënë drejt dhe pastër, sepse ekonomia është një nocion abstrakt shifrash, por jo për shpatullat dhe xhaketat e rreckosura të të papunëve, të punësuarve që me vështirësi nxjerrin muajin për të mos i dërguar fëmijët me barkun bosh në bangat e shkollës, për shpatullat e të gjithë atyre që rropaten të paguajnë drita, ujë, arsimim dhe çdo detyrim, për të jetuar të qetë në vendin e tyre, ku për dreq u ka rënë shorti të lindin.
Ej njerëz! Ju protestuat, sepse askush nuk i’u heq të drejtën e revoltës, por ju aty ishit vetëm, të braktisur, të mllefosur, duke e ndjerë se u ishte shtuar një padrejtësi e re dhe prisnit të vinin dikush t’iu ngëshëllonte, por jo ata soj i keq i këtij kombi, që i’u shkelnin syrin si prostituta Rotterdami nga penxheret e FB, duke ngrohur shalët në vilat e tyre luksoze, të bërë me para tuaja.
Ata ngazëllenin, duke fërkuar duart, si Pons Pilati, duke shpresuar që me revoltën dhe zëmëratën tuaj, të rikthehen përsëri në majat e pushtetit, për të bërë vila dhe saraje të reja, e që atë rrugë që juve i’u duket rrugë, kurrë mos ta shkelin, sepse do ndrydheshin vetëm nga troshitjet dhe kolovitjet, sa në një urë në një gjysëm urë, sa në një kthesë në një gropë, gjërat të cilat këto “fisnik barbon” as që i imagjinojnë.
Ju premtuan se do ishin me ju në protestë, por nuk guxuan. A e dini pse? Sepse një nga bashkëvjedhësit, deklaronte se protesta nuk ishte e klanit të tyre partiak por e të tjerëve dhe e askujt, e natyrisht kjo i dha të kuptonin hajdutëve se rrezikshmëria ishte e lartë, nëse do të guxonin të dilnin para turmës dhe të talleshin duke i gënjer, të veshur me kostumin e “kriminelit të pafajshëm” . A e dini se çfarë mund tu ndodhte?! Mund të përfundonin në zjarrin e rrugës, që ata e kishin ndezur shumë vite përpara, e që me benzinë e kashtë vazhdojnë ta mbajnë akoma ndezur.
Në fakt, protesta nuk kishte ngjyrë. Ngjyrë ka vetëm dhuna dhe ajo nuk ishte shprehje e qytetarëve, por e atyre, pushtave të politikës dhe e gjithë emisarëve të tyre, të dërguar atje, për të pickuar sadopak zëmërimin njerëzor. Ata i ndërronin fitilat nga larg, për tu përsëritur shpërthimi dhe për tu dëgjuar deri në WC-ët ku ishin fshehur. Vërtetë, ishin fshehur në WC, sepse e dinin mirë, që nuk bie rrufeja në hale dhe ajo është sot llogorja e tyre më e sigurtë.
Mirëpo, rrufeja është fenomen natyror dhe mund të kenë fat, kurse zemëratës së njerëzve nuk mund t’i shpëtojnë, sepse nuk është punë fati, por duhet të kesh Zotin me vete, e Zoti nuk qëndron kurrë mbas shpinës së të braktisurve të tij, bijëve të djallit!/Tellalli