Nga Bedri Islami
E dëgjova tek fliste për Rrugën e Kombit, dëgjova thirrjet e tij drejtuar qeverisë, me zërin patetik që mundohet ta fryejë në ngjasim të Berishës, pashë se si përmes fjalëve rridhte diçka krejt tjetër dhe, më pas, kur e ndoqa pas bisedën që kishte bërë me Monikën, dhe me atë tufë pas vetes, kur asnjëri prej tyre nuk ia vlen, mendova diçka krejt të zakonshme:
– Një njeri për së mbari, që mund të jetë edhe lider i opozitës, nëse në jetë i ka ngjarë Bashës, të paktën për katër gjëra nuk duhet të flasë:
– Nuk duhet të flasë për kombin, pasi në jetën e tij asgjë nuk ka lidhje me këtë term të shenjtë. Nuk duhet të flasë , pasi ishte njëri nga ata që gërmoi dhe sajuan përrallën makabër për shqiptarët e sidomos në Kosovë të heqjes së organeve në shtëpinë e verdhë; nuk duhet të flasë, pasi miku që e solli në politikë ishte Fazlliqi, nipi i shefit të shërbimit sekret serb në kohën e Millosheviqit dhe, tek ky Faslliq, kur ishte ai vetë pjesë e pushtetit, dërgoi të kunatin, atë kunat që i rropi kandidatët për deputetë në zgjedhjet e qershorit.
– Nuk duhet të flasë për Rrugën e Kombit, pasi është rruga që i ka kushtuar shqiptarëve sa nuk thuhet dot dhe, jo vetëm i ka lënë një gropë të madhe financave të shtetit, por edhe janë zhdukur 230 milionë euro, pikërisht kur ky lider që sot thërret e përbetohet, ishte ministër i Transporteve.
Megjithë akuzën e ngritur nga Prokuroria , ky njeri që përbetohet për Rrugën e Kombit, nuk u paraqit asnjë ditë në gjyq, u fsheh pas raporteve mjekësorë, ktheu pas dosjen e ngritur për të, e hodhi tek shkallët e prokurorisë, si mall pa vlerë dhe në fund, çështja e tij u mbyll me kalimin e afateve.
Të 230 milionët që mungojnë janë pasojë e gjendjes mjerabe të Rrugës së Kombit, të urave që mungojnë, të autostradës së ngelur përgjysmë, të humbjeve të pallogaritshme.
– Nuk duhet të flasë për marrëveshjen e detit, sepse ai ishte nënshkruesi i mjerueshëm që, përmes një firme me Bakojanis, i bëri shtetit grek dhuratën më të madhe; një pjesë të rëndësishme të detit shqiptar.
Ky njeri që flet për kombin bëri një ndër aktet më të turpshme antikombëtare.
Së fundi, nuk duhet të flasë për të drejtën e qytetarëve në protestë, sepse si ministër i Brendshëm është pjesë e urdhërit për të vrarë demonstruesit në protestën e 21 janarit.
Megjithatë ai foli e flet sikur asgjë nuk ka ndodhur.
Edhe unë kam zhgënjimet e mia nga pritshmëria ndaj qeverisë Rama, por, kur mendoj se kush mund të aspirojë për pushtet, zoti ua merr mendtë shqiptarëve dhe i beson edhe një herë, tronditem nga vetdija që mund të humbë.
Njeriu që qesh duhet të mësojë të jetë njeriu që hesht.
Ndoshta, një ditë do të heshtë, kur drejtësia të flasë.