Kryetari PD, Lulzim Basha i ka bërë thirrje Edi Ramës që të lirojë menjëherë të arrestuarit në Kukës për protestën e djeshme në Rrugën e Kombit. Basha akuzoi se prokuroria po vepron si hetuesi politike e Ramës, ndërsa shtoi se veprat penale për të cilat akuzohen protestuesit janë të lehta dhe mund të hetohen në gjendje të lirë.
“Patën kohë të kapnin Arbër Cekajn i cili trafikoi 613 kokainë kolumbiane, por nuk bënë asgjë, as nuk e ndaluan as e arrestuan. E njëjta policia ka mobilizuar dje qindra forca për të rrëmbyer në mes të natës nga shtëpitë e tyre qytetarët e thjeshtë të Kukësit vetëm se protestuan për mbijetesën e tyre dhe të fëmijëve të tyre.
Policia mbrëmë u hodh me urdhër politik të Edi Ramës, kundër njerëzve të thjeshtë. Arrestimet e kryera në mes të natës kanë një qëllim ushtrimin e terrorit kundër qytatërev të Kukësit, që ata të mos ngrenë zërin kundër bandës që i grabit çdo ditë.
Pa paraqitur urdhër arresti, qytetarët anë sjellë në Tiranë. Ne, nuk do të tërhiqemi deri sa të gjithë ata që urdhëruan dhunën ndaj qytetarëve të dalin para përgjegjësisë.
I bëj thirrje prokurores së përgjithshme që të ndalë së vepruari si hetuesi politike e Edi Ramës. Habilajt e Balilajt duhet të jenë fokusi i saj.
Qytetarëte e Kukësit s’duhen të tërhiqen nga të drejtat e tyre legjitime. Ju luftoni për mbijetesën tuaj, e drejta është në anën tuaj. Edi Rama me veglat e tij janë qenie qesharake para asaj që kuksianët kanë duruar e triumfuar. E gjithë Shqipëria është me ju, nga Prishtina në Sarandë,” tha Basha.