Disa nga 23 protestuesit e arrestuar në Kukës, janë sjellë në kryeqytet. Disa ndodhen në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ndërsa të tjerët në komisariate. Pas transportimit të qytetarëve të arrestuar nga Kukësi në Tiranë, mbrëmjen e sotme familjarët, por edhe qytetarë të Tiranës janë mbledhur duke protestuar para Drejtorisë së Policisë së Tiranës.
Familjarët, por edhe qytetarët e Tiranës kërkojnë lirimin e qytetarëve të arrestuar nga Policia. ‘Lironi shqiptarët, arrestoni grabitqarët’ ishin disa nga thirrjet e qytetarëve para Drejtorisë së Tiranës. Aktivistja e shoqërisë civile Brizida Gjikondi u shpreh se policia nuk po lejon familjarët dhe avokatin që të takojë protestuesit e ndaluar.
“Nuk shoqërohen kuksianët në Tiranë. E ndalon ligji. Këtu nuk lejohet edhe avokati që ti takojë’ tha ajo. Djali i njërit prej personave të arrestuar u shpreh se babai i tij, Lulzim Popa është 60 vjeç dhe mbahet në qeli, ndërsa shtoi se nuk e lejojnë që ta takojë. Ende nuk është vendosur se kur do të dalin para gjykatës në Kukës për të vlerësuar masën e ndalimit për 23 personat per protesten dje ne rrugen e Kombit.
Ndërkohë që pas konferencës së Bashës, disa nga deputetët e PD janë drejtuar për te Drejtoria e Policisë së Tiranës, por janë përplasur me protestuesit nga Shoqëria Civile, të cilët nuk i kanë pranuar.