A e keni dëgjuar ndonjëherë Mark Markun kur merr pjesë në një debat televiziv? A keni lexuar apo dëgjuar ndonjëherë Artan Fugën? I dëgjon, i lexon dhe kupton qartazi se pse gazetaria shqiptare është gremisur në kushtet, ku ndodhet sot. Mark Marku dhe Artan Fuga, duke u alternuar, siç ndodh me trashegimitë e familjeve mbreterore, kanë drejtuar në 10 vitet e fundit Departamentin e Gazetarisë dhe të Komunikimit.
Asnjë prej të dyve nuk ka punuar kurrë si gazetar pervec kohës së diktaturës, asnjë prej të dyve nuk ka as idenë më të largët se çfarë është gazetaria e terrenit dhe, mbi të gjitha, asnjë prej të dyve nuk është në gjendje të ndajë faktet nga opinionet personale, ndarje, që është rregulli kryesor i gazetarisë së lirë e të pavarur. Është rregulli profesional që dallon propagandën nga informacioni. Dhe, në fakt, asnjë prej të dyve, kur marrin pjesë në një debat televiziv, nuk është në gjendje të artikulojë një pyetje të vetme: e vetmja gjë që përpiqen (disa herë me vështirësi) të shprehin, është opinioni i tyre personal politik-partiak. Megjithatë, të dy ata u kanë dhënë mësim dhe vazhdojnë t’u japin mësim studentëve të rinj shqiptarë se si bëhet gazetaria.
Duke ndjekur saktësisht të njejtin model të shtrembëruar të paraqitur nga dyshja Marku-Fuga, mjafton të ndjekësh një nga talk show-t e mbrëmjes, që transmetohen në të gjitha televizionet shqiptare, për të kuptuar se pjesa më e madhe e gazetarëve shqiptarë janë zhdukur dhe në vend të tyre ka vetëm “opinionistë”, të cilët, krejt si “profesorët” e tyre, nuk janë në gjendje të bëjnë pyetje, por vetëm të shprehin opinione. Dhe pikërisht ky është problemi: në talk show-t shqiptarë (gati) askush nuk di të bëjë e bën pyetjet dhe nuk ka rëndësi nëse përballë kanë kreun e qeverisë, apo kreun e opozitës. Intervistat pyetje-përgjigje janë zhdukur, për t’u zëvendësuar nga një mishmash i zhurmshëm opinionesh të ndryshme, ose furçash.
Problemi i informacionit është serioz, pasi është katastrofik niveli i formimit. Deri kur mësimdhënia e gazetarisë do të lihet në dorë të “opinionistëve” si Mark Marku apo Artan Fuga, të rinjtë tanë do të bënin më mirë të studionin për mjekësi./Shqiptarja.com