Juristi Romeo Kara, ka deklaruar dje se sfida e reformës në drejtësi do jetë ndëshkimi i Ilir Metës dhe Sali Berishës. Në një intervistë për gazetën “Sot”, ai shprehet skeptik për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Megjithatë ka deklaruar se ai duhet të dalë para drejtësisë. Sipas tij, mjafton që të hapet dosja CEZ-DIA dhe Meta do shohë dyert e burgut.
Nga ana tjetër, Kara është shprehur se po ashtu pasuria do fundosë Metën e bashkëshorten e tij. Juristi u shpreh se kur të verifikohet pasuria e tyre, do dalin në skenë të dhëna marramendëse. Sa i takon Berishës, Kara u shpreh se ai është simbol i destabilizimit dhe kapjes së shtetit.
-BE vendosi të shtyjë negociatat me Shqipërinë. Franca vijon të jetë kundër nesh dhe tani pritet një vendim në maj. Pse mendoni se erdhi ky vendim?
Në lidhje me shtyrjen e negociatave, kam bindjen e plotë se kjo nuk ka lidhje me problemet e brendshme të Shqipërisë, se sa ka lidhje me problemet brenda vetë Europës. Disa shtete si Franca, duket qartë që nuk janë të përgatitura të hedhin hapin e fundit të konsolidimit të Europës së Bashkuar, jo vetëm në drejtim të zgjerimit, por edhe në drejtim të miratimit të një Kushtetute Europiane, si dhe ngritjes së institucioneve federale europiane si gjykatat, policia, ushtria, burgjet federale, zgjedhja e një presidenti, unifikimi i politikës së jashtme etj. Ishte Franca ajo që bllokoi miratimin e Kushtetutës Europiane në vitin 2005, pasi ajo nuk është e përgatitur të lëshojë një pjesë të sovranitetit të saj, për të pranuar instalimin e një politike federale europiane. Prej këtij refuzimi, sot Europa nuk ka një Kushtetutë dhe punon mbi bazë traktatesh.
Gjithmonë ka pasur një debat brenda vetë figurave politike franceze lidhur me zgjerimin dhe të ardhmen e Europës. Jo pak herë, idhtari i zgjerimit të Europës, ish-presidenti francez Valery Giscard d’Estaing, është anatemuar për qëndrimet e tij nga të tjerë presidentë francezë si Francois Mitterrand dhe Jacques Chirac. Politika e zgjerimit europian gjithmonë është përballur me politikat nacionale, religjioze dhe konservatore, të cilat herë pas here fuqizohen ndërkohë që edhe vetë procesi europian ecën përpara. Është parashikuar qartë se, procesi i bashkimit të Europës do të shoqërohet me procese lokale nacionalizmi si dhe tendenca edhe për ndarje. Çdo politikë ushqen efektin e kundërt të saj. Duhet pranuar që ne kemi bërë shumë, jo vetëm kjo qeveri, por të gjitha, të cilat kanë përafruar legjislacionin në të gjitha komponentët e tij me atë të Europës. Janë një numër jashtëzakonisht i madh konventash dhe traktatesh europiane, që janë miratuar duke u bërë pjesë e kornizës sonë kushtetuese. Pra, mendoj që ishte një refuzim i pamerituar, sidomos kur mendon që anëtarësimi në Europë është një premtim publik i përsëritur që po kalon brez pas brezi dhe që nuk mund të hidhet poshtë kaq thjesht. Europa e di mirë se premtime të tilla janë detyrime dhe se mospërmbushja e tyre vë në pikëpyetje moralin e vetë Europës. Europa e ka shumë të qartë se çfarë përfaqëson rajoni ynë dhe nuk besoj se e ka luksin ta lërë të pastabilizuar Ballkanin. Refuzimi i prerë europian, patjetër që do të ushqejë si reagim politikat nacionaliste dhe religjioze në rajon, prandaj mendoj se Europa do reagojë duke e korrigjuar qëndrimin e saj.
-BE ka vënë kusht luftën ndaj korrupsionit, ndërkohë ju jeni ndër të paktët që keni denoncuar në prokurori dy afera të mëdha, ajo e kontraktimit të CEZ dhe pakti CEZ-DIA. Si e shpjegoni që prej gati dy vitesh këto dosje mbahen në sirtar?
Në lidhje me dy aferat që unë kam denoncuar ligjërisht dhe publikisht dhe që janë mbuluar nga pluhuri në prokurori, unë mendoj se këto afera janë tashmë të zbuluara dhe të paraqitura prej meje në mënyrë të pakundërshtueshme, në të kundërt këto çështje do të ishin pushuar.
Vegjetimi i prokurorisë, e cila fle apo bën pazare me afera të tilla, flet për një mungesë totale integriteti dhe dinjiteti të prokurorisë. Prokuroria po i mban peng këto dosje të nxehta, duke i dhënë mundësi ish-pushtetarëve të përfshirë në to, ta cënojnë procesin e hetimit në çdo aspekt, tek provat dhe dëshmitarët, si dhe tek kalimi i afateve të parashkrimit të veprës penale.
Ky qëndrim i prokurorisë, mbi të gjitha shpreh inkriminimin e plotë të saj dhe varësinë që ajo ka ndaj pushtetarëve të korruptuar të të gjitha krahëve të politikës. Prokuroria ka arrestuar persona për vepra penale qesharake, ndërsa për vjedhësit e krejt pasurisë kombëtare, prokuroria nuk guxon as t’i thërrasë në seancë pyetjesh e jo më t’i arrestojë dhe t’u sekuestrojë pasuritë. Askush nga politika nuk dëshiron që të hapen këto procese dhe të dënohet Saliu, Iliri etj. Nëse dënohet Saliu dhe Iliri, nuk mund të rrinë pa u dënuar edhe të ngjashmit e tyre në qeverinë e sotme, të cilëve iu ka dalë vetja nga duart. Politikanët tanë mund t’i ndajnë selitë e partive, por i bashkon i njëjti mëkat dhe për çudi të njëjtët oligarkë. Qëndrimi i tyre është mbi të gjitha një pabesi ndaj popullit të tyre që i ka votuar për të mirëmenaxhuar, ndërsa ata vodhën dhe shpërdoruan pikërisht atë që iu ishte besuar. Kurrë nuk do të vidhte një politikan e qeveritar nëse nuk do të kishte garancinë e prokurorisë dhe gjykatës. Trimëria e tyre për të vjedhur, ushqehet pikërisht nga kjo garanci kriminale e këtij sistemi drejtësie. Përfundimisht mendoj se ka një pakt në heshtje për të mos i trajtuar ligjërisht këto dy afera dhe me sa duket, unë jam për momentin i vetmi person i interesuar për të zbatuar ligjin përsa më sipër. I siguroj të gjithë se unë do t’i shkoj deri në fund, rrugës që kam nisur, pavarësisht çmimit që do të më duhet të paguaj. Unë do ta fitoj këtë përballje me hajdutët e parave dhe të shpresës së këtij populli.
-Mendoni se do ketë drejtësi ndonjëherë ndaj kastës së korruptuar politike shqiptare?
Patjetër që do të ketë drejtësi. Edhe kjo pyetja juaj, i shërben drejtësisë. Ne nuk kemi rrugë tjetër, përveçse të instalojmë një sistem vlerash në të gjithë jetën e vendit, duke pasur për bosht, boshtin e drejtësisë. Përditë e më tepër po kërkohet një alternativë vlerash dhe morale, pasi kjo klasë politike e ka humbur përfundimisht besimin dhe moralin për të drejtuar. Edhe pse jemi të zhytur në një nga krizat më të mëdha morale, unë nuk mendoj se jemi pa zgjidhje dhe të pashpresë. Thjesht njerëzit e moralit, ata që ndjejnë përgjegjësi dhe duan zgjidhje, si dhe ata që mbajnë mbi supet e tyre këtë klasë politike, duhet të organizohen dhe të veprojnë. Kjo klasë politike duket e pathyeshme vetëm për arsyen se ky popull është ende në gjunjë. Nëse ky popull do të çohet, ju siguroj se kjo klasë hajdutësh do kërkojë vetëm të ikë nga sytë këmbët. Pra, nuk do të ketë kurrë drejtësi nëse nuk do çohet populli. I vetmi aktor të cilit i ka ngelur moral për të vënë drejtësi, është populli. Drejtësi nuk do të thotë vetëm çuarja e hajdutëve në burg dhe konfiskimi i pasurisë së tyre, por edhe instalimi i politikave të drejta, që maksimizojnë burimet tona të brendshme dhe bëjnë të mundur shpërndarjen sa më të drejtë të të ardhurave. Drejtësi do të thotë një politikë e cila do të synojë një rishpërndarje edhe të pasurisë, e cila është grumbulluar vetëm në disa duar. Drejtësi do të thotë që askush të mos jetë i pastrehë dhe të jetojë nën nivelin zyrtar të varfërisë. Pra i gjithë kursi i politikës duhet kthyer në favor të shtresave në nevojë, paqes sociale dhe kthimit të shpresës se ky vend mund të bëhet.
-Një tjetër çështje aktuale është përplasja Qeveri-Presidencë. Mendoni se mazhoranca do e shkarkojë Metën?
Unë e kam shprehur disa herë se për momentin mazhoranca nuk mund ta shkarkojë Metën si president. Pa u ngritur Gjykata Kushtetuese as që bëhet fjalë të shkarkohet ai. Megjithatë mendoj se kjo mazhorancë e meriton plotësisht Metën. E ka zgjedhur në mënyrë unanime, prandaj ta mbajë dhe t’i shohë hajrin atij. Është e neveritshme kur mendon se kemi zgjedhur një president, thjesht mbi bazën e një pazari politik, duke fyer gjithë popullin, i cili sot ka për simbol të unitetit të tij një kryehajdut. Si mund t’i thuash njerëzve që unë po drejtoj me standarde, përzgjedh qeveritarët dhe bëj procese rekrutimi për punësime apo vetingje, kur ti emëron president një njeri të diskretituar deri në qelizë? Aty do ta kenë Metën, aty e duan dhe bashkë do të jenë me të deri në fund.
-Nëse shkarkohet, a rrezikon presidenti të shkojë për ndjekje penale për mëkatet që ka kryer? Ju jeni ndër ta që e keni paditur.
Nuk besoj se Meta do të shkarkohet, por edhe nëse shkarkohet, është e vështirë që ai të ndiqet penalisht lidhur me dekretimet dhe zhdekretimet e tij. Për t’u shkarkuar duhet ringritur Gjykata Kushtetuese, për të cilën duhet të caktojë tre anëtarë Gjykata e Lartë, tre Kuvendi dhe tre presidenti. Siç shihet kjo do kërkojë mjaft kohë dhe asgjë nuk mund të jetë e sigurt lidhur me kriminalizimin e Metës. Unë garantoj se Meta do ta shohë mirë burgun, kur të merret seriozisht çështja DIA-CEZ. Deri atëherë do të duhet që të presim.
-Bashkëshortja e tij dhe vetë Meta thonë se gjithë pasurinë e kanë të justifikuar. Si e shihni faktin që zotërojnë një pallat dhe fëmijët i shkollojnë në Londër?
Nëse realisht çifti Meta-Kryemadhi do të kishin një pasuri të justifikuar, nuk do të shihnim një Monikë të çmendur që bombardon me çizme e molotovë, si dhe një Ilir që nuk e mban zyra dhe ka marrë malet, duke pozuar në lidhje me qen, mace, peka etj. Kur të hapen kartat, besoj se do shohim çudira përtej imagjinatës dhe ky pallati i Monikës do duket fare pa vlerë. Jam i sigurt se pasuria e tyre do të konfiskohet, si një pasuri e vënë me vjedhje, korrupsion, trafik, shpërdorim detyre etj. Dielli i pasurisë së paligjshme të çiftit Meta-Kryemadhi nuk mund të mbulohet me shoshat e Monikës. Është folur shumë për shitje e rishitje pronash nga kjo familje mafioze, por unë i siguroj edhe ata vetë se është shumë vonë për t’iu fshehur fatit të tyre. Drejtësia nuk do bjerë pre e manovrave të tyre, por me metoda më të thjeshta dhe efikase do ta zgjidhë edhe problemin e pasurisë së tyre. Ata mund t’i çojnë fëmijët për t’i shkolluar në Londër, por edukatën e hajdutit ja u kanë dhënë që këtu, kështu që pak vlen diplomimi i tyre. Uroj që të vijë ajo ditë që bashkë me pasurinë t’u konfiskohen edhe diplomat e blera me paratë tona.
-Një tjetër emër që ju keni paditur është Sali Berisha. Si shpjegohet se gjatë 30 viteve nuk i ka hyrë gjemb në këmbë?
Tek Saliu fillon dhe mbaron kjo epokë. Është simboli i këtij sistemi të mbrapshtë politik, arkitekti i këtij sistemi, strumbullari i tij, pengmarrësi i tij dhe i krejt Shqipërisë. Ai erdhi në pushtet jo si një pushtetar i thjeshtë, por si një udhëheqës, si një vizionar që ofronte garanci dhe shpresë për këtë popull. Kjo është arsyeja që pasi manipuloi demagogjikisht këtë popull, ai zbatoi pa mëshirë politika antishqiptare të rrënimit ekonomik, të përçarjes politike dhe të instalimit të pushtetit të tij personal dhe familjar. Edhe dje u përmend në media një prokurore në Durrës që kishte dalë nga studiot e vajzës së Berishës. Berisha ka arritur të fusë nën një kontroll të paimagjinuar të gjithë sistemin e drejtësisë. Aty qëndron pikërisht një pjesë e forcës së tij. Berisha gjithashtu është i gatshëm që të destabilizojë politikisht vendin nëse i rrezikohet sado pak interesi i tij dhe të gjitha protestat që nga çadra e deri më tani, kanë qenë protesta të urdhëruara dhe drejtuara nga ai. Berisha ka në favor të tij presidentin,pasi ndajnë të njëjtin hall. Berisha ka në favor të tij çdo qeveritar të korruptuar sot dhe sa më shumë t’i lëshohet litari korrupsionit, aq më shumë qetësohet ai. Pra, Berisha është një sistem, është vetë sfida kryesore e drejtësisë dhe e politikës së re. Tek ai ka filluar kjo epokë, tek ai do mbarojë.
-A vijon ish-kryeministri të ketë në kontroll gjyqtarë e prokurorë të caktuar?
Patjetër që ai është padroni kryesor i të gjithë sistemit të korruptuar të drejtësisë. Ajo është fidanishtja që ai e ka mbjellë me shumë merak me duart e tij. Pikërisht tek kjo fidanishte dhe tek horrat që ka pas, fshihet shkaku i trimërisë së Berishës, sepse në gen është tjetër gjë.
-Si e shihni ecurinë e reformës në drejtësi?
Kam thënë që në fillim që kjo nuk është reformë. Kjo është t’i hedhësh njerëzve hi syve, apo të tallesh me veten. Me këtë ritëm do të duhen rreth 20 vjet që të përfundojë kjo reformë. Përveç kësaj, pse nuk u konfiskohet pasuria atyre gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk e justifikojnë atë? Përse nuk ndiqen penalisht këta hajdutë me mantel gjyqtari dhe prokurori? Përse nuk zhbëhen vendimet e tyre të padrejta? Pra reforma është jo vetëm e ngadaltë, por edhe e paefektshme, e pamoralshme dhe joligjore. Paguajmë sa frëngu pulën, vetëm për të larguar disa të korruptuar të cilët do të hanë të qetë atë që kanë vjedhur. Jo. Kjo nuk është reformë. Do ta realizoja brenda 24 orëve një reformë në drejtësi. Edhe fakti që gjyqtarët dhe prokurorët po ia futin me top në çdo proces, tregon se askush nuk po e vë seriozisht ujin në zjarr për këtë reformë. Reforma është më shumë se e ngadaltë dhe me shumë kosto, përfshirë edhe ato financiare.
-Një pyetje e karakterit politik. A mendoni se do ketë një konsensus për krizën politike?
Gjithmonë ka pasur konsensus për krizën politike. Janë ndarë influencat dhe tregjet. Kjo nuk është krizë politike, kjo është show. Kriza e vërtetë është kriza e besimit midis gjithë politikës edhe popullit. Ndërmjet vetes politika është shumë OK dhe në ritmin normal të saj. Përballë një morali dhe të nesërme europiane, kjo politikë është tërësisht jashtë loje dhe e papranueshme. Megjithatë nuk ka konsensus më të madh se sa Kodi Zgjedhor që kanë miratuar baronët e politikës, me anë të së cilës kanë marrë peng partitë e tyre, elektoratin dhe krejt fatet e vendit. Unë jam i mendimit se ne shqiptarëve nuk na intereson fare konsensusi i të paudhëve. Kur djajtë përqafohen, duhen hapur mirë sytë.
-Si e shihni bashkëpunimin PD-LSI. Çfarë i bashkon këto dy parti dhe a është Basha nën urdhrat e Berishës dhe Metës?
Në fillim të 2017, duke vënë re zhvillimet e kohës unë paralajmërova se Berisha është në një aleancë me Metën dhe se kjo aleancë rrezikon pozicionin e Bashës. Berishën dhe Metën i bashkon i njëjti hall dhe natyrisht që do të donin ta institucionalizonin apo përjetësonin aleancën e tyre. Gjithmonë ka pasur një lidhje të tyre, në kontakt apo një Fahri që është në këtë funksion. Me siguri që po të kishte mundësi, Berisha do t’ia jepte drejtimin e PD-së Metës, por është pengesë vetëm Luli, të cilin për ironi të fatit e ndihmon vetëm Rama. Në raportin moral, dyshja Rama-Basha janë më superiorë se dyshja Meta-Berisha dhe unë mendoj se Basha nuk është plotësisht nën urdhrat e tyre. Ai është peng, por jo plotësisht nën diktatin e tyre.
-Izet Haxhia ka nisur një përballje me Berishën. E ka paditur për 23 ngjarje të rëndësishme në vend, ndërkohë që pak ditë më parë pretendoi se donin ta eliminonin. Si e sheh lojën e Haxhisë, pasi ju jeni i vetmi që keni qenë skeptik për dëshmitë e tij?
Nuk kam asnjë lloj dëshirë ta komentoj këtë person. Kur të fillojë procesi besoj se do të njihemi me këto akuza, me provat mbështetëse të tyre dhe me seriozitetin e këtyre akuzave. /Sot/Intervistoi: Kliti Topalli