Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion do të jetë gati brenda 30 ditëve. Ashtu siç gazeta e lajmëroi ditë më parë, dje u mblodh Këshilli i Lartë i Prokurorisë, i cili miratoi procedurat që do të ndiqen për ngritjen e SPAK. Ndryshe nga sa u lajmërua se do të ndiqej skema 8+2, dje u vendos të ndiqet një tjetër rrugë. KLP ka vendosur që të emërojë vetëm 8 prokurorë dhe t’ia lërë në dorë kryeprokurorit të SPAK plotësimin e vakancave të tjera.
Sipas vendimit të miratuar dje, brenda 30 ditëve në mbledhjen plenare të KLP duhet të përmbyllen procedurat e ngritjes në detyrë të 8 prokurorëve, të cilët janë kandidatëpër SPAK, si dhe të kryhet emërimi i tyre pranë kësaj prokurorie. Gjatë kësaj periudhe tranzitore, Komisioni Posaçëm propozon që Këshilli (komisionet përkatëse) të përgatisin aktet e nevojshme për t’u miratuar. Këto akte përfshijnë: Vendimet për emërimin e 8 prokurorëve në Prokurorinë e Posaçme; Vendimin për caktimin e përhershëm të drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme me mandat 3 vjeçar nga 8 prokurorë të emëruar në Prokurorinë e Posaçme; Ndërprerjet e caktimeve të përkohshme për prokurorë që janë të emëruar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe ushtrojnë detyrën pranë një prokurorie tjetër; Ndërprerjet e caktimeve të përkohshme për prokurorë që janë të caktuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, por janë emëruar pranë një prokurorie tjetër. Tjetër vendim është emërimi i prokurorëve që aktualisht janë të emëruar në Prokurorinë e Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe Prokurorinë e Apelit për Krime të Rënda, në prokurori të tjera të juridiksionit të përgjithshëm.
Komisioni propozon gjithashtu që Këshilli të autorizojë Kryetarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë të koordinojë punën me Këshillin e Lartë Gjyqësor për të marrë në mënyrë të njëkohshme vendimet përkatëse për Gjykatën e Posaçme dhe Prokurorinë e Posaçme. Sipas vendimit, pas emërimit të 8 prokurorëve në Prokurorinë e Posaçme, Këshilli i Lartë i Prokurorisë hap menjëherë garën për shprehjen e interesin nga ana e 8 prokurorëve, tashmë të emëruar, për pozicionin e drejtuesit, fazë e cila zgjat 5 ditë. Do jetë kreu i SPAK ai që do vendosë më pas se si do jetë organika e institucionit dhe nëse do komandohen prokurorë.
Reagon Gent Ibrahimi
Pas përfundimit të mbledhjes, në një deklaratë për media kreu i KLP Gent Ibrahimi dha më tepër detaje për ngritjen e Strukturës Antikorrupsion. Ibrahimi bëri me dije se këshilli nuk ra dakord që të emërohen përkohësisht 2 prokurorë pasi kjo zgjedhje i takon drejtuesit të SPAK, i cili fillimisht do të zgjidhet i përkohshëm nga 8 të emëruarit, deri në plotësimin e organikës. “Ne sot arrijmë përfundimin se ngritja me 8 apo 10 nuk na përket ne. Vendimin për dyshemenë e ka marrë kushtetutë bërësi. SPAK është një institucionin kushtetues. Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme do të fiksojë organikën e saj. Ne emërojmë ata që mundemi dhe për momentin mund të emërojmë vetëm 8. Mendoj se deri në nëntor mund të kemi të ngritur SPAK. Ne kemi bërë llogarinë që të marrim të gjitha vendimet e nevojshme. Këshilli nuk e gjykoi të përshtatshme linjën e veprimit, dyshemenë me 10 anëtarë. Nuk na takon ne ta marrim këtë përgjegjësi. Drejtuesi i SPAK do të plotësojë organikën. Ne po emërojmë prokurorët për SPAK, ne nuk marrim vendimin për krijimin e SPAK. Ne nuk e shkelim Kushtetutën për ngritjen e SPAK me 8 anëtarë”, tha Ibrahimi. Por ditën e djeshme, Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi edhe caktimin e 9 prokurorëve të përkohshëm në disa prej prokurorive të vendit. /Elisjeda Kiko