Vijojnë debatet për bllokimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Shtetet e Bashkuara e kanë quajtur një hap të gabuar refuzimin e hapjes se negociatave nga Këshilli Europian për dy vendet. Ish-ambasadori amerikan në Shqipëri, Christopher Hill është shprehur dje i zhgënjyer nga vendimi që i mbylli derën Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Por megjithatë ai nënvizoi se Tirana duhet të vazhdojë përpjekjet në rrugën e integrimit europian. “Situata ka nevojë të përmirësohet dhe ligjet duhet të zbatohen. Unë flas në emër të atyre që kanë punuar dhe e shoh që ka zhgënjim për këtë fakt. Zhgënjimi dhe zemërata nuk janë rruga e duhur për të ecur para. Shqipëria duhet të punojë dhe të shohë se çfarë mund të përmirësojë më tej. Çdo punë e mirë është në të mirën tuaj, pasi nuk ka rrugë tjetër. Për refuzimin e çeljes së negociatave ka debate edhe në Europë, por duhet t’i futeni punës dhe do të keni sukses”, ka deklaruar ish ambasadori i SHBA. Në lidhje me diskutim për ndryshimet e kufijve të Kosovës dhe Serbisë, ish ambasadori Hill ka deklaruar se kjo është një çështje me peshë dhe nuk mund të veprohet pa u diskutuar gjatë mes palëve. Ai nuk e përjashtoi si mundësi, tek sa tha se nuk është kundër, por sipas tij duhet të tregohet kujdes sa i përket kësaj çështjeje. “Rregullimi i kufijve është një çështje e rëndësishme dhe me peshë e nuk mund të procedohet pa u diskutuar, për aq kohë sa lidhet me të ardhmen afatgjatë , ndaj duhet të tregohet kujdes. Personalisht nuk jam kundër, por besoj se duhet të tregohet kujdes”, është shprehur ish ambasadori i SHBA.
Refuzimi i Greqisë
Hapja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është kthyer në debat të fortë edhe për klasën politike në Greqi. Kreu i opozitës , ish-kryeministri Aleksis Cipras ka akuzuar kreun e qeverisë greke Kiriakos Micotakis se nuk ka votuar pro hapjes së negociatave në Samitin e Brukselit. Gjithashtu Ciprasit ka bërë me dije se edhe eurodeputetët grekë të cilët i përkasin partisë që kryeministri grek drejton, Demokracia e Re nuk i kanë dhënë dritën jeshile rezolutës së miratuar në Parlamentin Europian për negociatat. “Kryeministri grek Kiriakos Micotakis abstenoi në debatin vendimtar në Samitin e Brukselit, ku doli që Danimarka dhe Holanda kishin një rol dhe një fjalim më të rëndësishëm në Ballkan sesa Greqia.
Deputetët e rinj të partisë Demokracia e Re abstenuan në votimin në Parlamentin Evropian për rrugën e pranimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, ka deklaruar Cipras. Greqia u radhit në vendet anëtare të cilat abstenuan gjatë votimit. Pas akuzave të hedhura nga Cipras, zëdhënësi i qeverisë greke në një prononcim për mediat nuk i ka mohuar këto akuza. Zëdhënësi i qeverisë Stelio Pecas ka deklaruar se Demokracia e Re nuk pajtohet me një vend që nuk mbron të drejtat e minoritetit grek. “Demokracia e Re nuk pajtohet me asnjë tekst që nuk adreson në mënyrë të qartë detyrimet e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë mbrojtjen e të drejtave të Minoritetit Kombëtar Grek në Shqipëri. Për zotin Tsipras këto janë të parëndësishme, por jo për grekët. Kjo është arsyeja pse edhe deputetët e Partisë Demokracia e Re abstenuan”, ka deklaruar Pecas. Tri ditë më parë kryeministri grek Kiriakos Micotakis deklaroi nga Selaniku se qëndrimi i Greqisë në samitin liderëve të Bashkimit Europian ishte pro hapjes së negociatave për të dyja vendet. /Arbjona ÇIBUKU