Nga Bledi Mane
-Klithmë lebetitëse në orën 2 të natës-
Hëna kishte fshehur kokën mbrapa malit si rrotë kaçkavalli dhe dremiste bashkë me natën. Me natën flinte edhe Tirana e përveç pastrueseve të rrugës, infermiereve të turnit të tretë, zgjuar isha edhe unë. Nuk po numëroja as yjet, as mëkatet, as lekët e vjedhura por si pervers që jam po numëroja lukuninë e ndjekësve dhe përkrahësve në rrjetet sociale të parisë borgjeze arnautase.
Në këtë vendin tonë ku ka vetëm 11 hidraulikë dhe 34 mijë juristë, në Shqipërinë tonë të dashur ku çdo ditë lindin vetëm 10 bebe por njëkohësisht lindin 32 këngëtare, 64 modele, 130 gazetarë… vazhdohen të thyen rekorde të paimagjinueshme, sa Franca do vazhdojë të na bllokojë prej xhelozisë.
E le të kthehemi te nata e vjeshtës për të cilën po flisja. Nuk durova dot dhe në orën 2 pa çerek hapa dritaren e dhomës së gjumit dhe ulërita e bërtita si i çmendur:
-Pseeeeeee, pseeeee, pse na gënjeni që jemi vetëm 7 milionë shqiptarë në gjithë botën? Pse na tkurrni ne shqiptarët, ne vazhduesit e Racës Ariane???
1 milionë ndjekës i ka Armina, 1 milionë vjehrri i saj Sali Berisha. 2 milionë i ka Enca, 1 milionë Edi Rama, 700 mijë Elvis Naçi, 1 milionë Luana, 1 milionë Marina, 600 mijë Lul Basha, 1 milionë Ermal Mamaqi.
Pa përmendur këtu të tjera profile në facebook apo instagram të shumë baxhellave, kriminelëve, politikanëve, gangsterave, këngëtarëve, kuzhinierëve.
Sipas llogarive bazike matematike rreth 100 VIP-a shqiptarë ndiqen virtualisht nga 147 milionë adhurues. Batërdi në shifra, batërdi edhe në shije, gusto dhe identitet.
Mijëra shqiptarë besimtarë që ndjekin Elvis Naçin, ndjekin e shohin edhe cicat e Luanës, gatimet me mish sorkadhe të shef Renatos, sutjenat me pellush tigri të Arminës, arritjet e qeverisë së Edi Ramës, dëgjojnë dhe shijojnë videoklipet me tanga të Encës, ndjekin protestat me molotov të Lul Bashës, tatuazhin te bytha e Linda Reit.
Nuk e prishim traditën jo, edhe tashmë në epokën digitale ne vazhdojmë të mashtrojmë, të dukemi, të bëjmë karshillëk edhe me veten. Ndaj këto kuluni me miliona ndjekës të njerëzve të vegjël të një vendi të vogël, më fanepsin kohën kur Sali Berisha hapi për herë të parë profilin në facebook.
Kishte rënë nga pushteti dhe askush nuk e llogariste, por kodoshët e tij paguanin facebook-un për të blerë ndjekësa. Dhe të vinte të ulërisje kur Berisha postonte skandalet e Kadastrës së Vlorës dhe mijëra njerëz nga Hondurasi, Banglandeshi, Burundi, Kongo dhe Vietnami i bënin “like” postimit të tij.
2./
Sa herë të mos kini gjumë natën vonë më bëni një zile dhe ulërasim bashkë. Zakonisht unë bërtas në orën 2 pa çerek të natës kur hëna fle por pastrueset e rrugës dhe infermieret rrinë zgjuar. Rrinë zgjuar jo se numërojnë ndjekësit e tyre në instagram, rrinë zgjuar se u qëndrojnë mbi kokë plagëve tona!
3./
Gjithë bota paguhet nga Facebook dhe Instagram për famën e tyre, vetëm në Shqipëri mileti paguan Instagramin për tu bërë të famshëm. Ika se shkoi ora 2 pa cerek dhe kam radhën për të ulëritur! 😱😱😱🇦🇱😱