Nga Ilia Toli
Në shtator 1990 fillova studimet për matematikë. Ç’m’u desh të bëja që të shkoja në universitet për matematikë është histori më vete dhe e gjatë. Kisha një njollë të madhe në biografi. Gjyshi im Aleks Toli kishte qenë sekretar i çetës balliste të Nexhip Zdravës. Praktikisht shkova në universitet se një muaj para daljes së të drejtave të studimit ra ligji mbi biografitë dhe notën e marksizmit. Marksizmin e kisha 7. Kjo është arsyeja pse e kam vënë dëftesën e gjimnazit online prej shumë vitesh. Për vëllain dhe motrën më të mëdhenj se unë rënia e ligjit mbërriti shumë vonë. Ata ngelën pa universitet.
Shumë gjëra i kemi harruar pas 28 vjetësh, dhe emrat i risjellim si na kujtohen, edhe të njerëzve të njohur. Shumë gjëra s’harrohen kurrë. Sapo filloi shkolla u njoha me Gentian Deliallisin në godinën 5, shok klase nga Kavaja. Ai jetonte me një kavajas tjetër pak më të madh. Ky ishte zogist. “Po ti me Zogun je?” më pyeti. “Jo” i thashë “jam me Ballin Kombëtar.” Kavojsi gjeti mananë, më përqafoi me dashuri dhe më tha “opo dhe me dreqin le të jesh, vetëm me kamunistat jo.” Isha shok dhome dhe me njëfarë Arben Kushta nga Librazhdi. Arbeni ishte skënderbegas dhe komunist i përvëluar. Për këtë arsye kavajasit s’e honepsnin fare.
Në tetor shkuam korrje misri. Pas kthimit nga korrja e misrit gjërat në Qytetin Studenti po acaroheshin. Vajta të jetoj në godinën 28, dhoma 315 me Kastriot Nushin nga Lushnja, shok fëmijërie, dhe njëfarë Aleksandër Laçaj, serb nga Vraka e Shkodrës. Dhoma përballë ishte 317, e Arben Likës, Besnik Çumanit, Spiro Currës, Agim Hasës. Flisnim me të gjithë, por personalisht bëra shoqëri të kujtueshme vetëm me Çumanin. Kastrioti ishte shoku im më i mirë, ndoshta në të gjithë jetën. Ishte shok dhe me një polic, Lefter Vogli që jetonte në godinën 19, ku jetonte dhe Azem Hajdari. Mua të gjitha lajmet dhe thashethemet më vinin të freskëta, direkt nga policia. Lefteri me mua është sjellë shumë mirë.
Ushqimi në mensë në atë moment s’ishte i keq, megjithëse u prish tej mase më vonë. Shpesh s’kishte drita. Ishte djegur dhe transformatori te godina përballë, 26-27. Këto ndërtesat sapo ishin përuruar. Ndonjëherë kisha përshtypjen se djegia e transformatorit ishte thjesht sabotim. Studentët po revoltoheshin përherë e më shumë. Në ditët para 8 dhjetorit të famshëm, studentët e asaj godine dilnin në dritare, bërtisnin, godisnin objekte për të bërë sa më shumë zhurmë. Më kujtohet shpesh zënka midis drejtorit të godinës dhe një student i 26-tës. Studenti bënte akrobatllëqe në debat ndërkohë që drejtori i godinës i kërkonte xhevap pse në natën e shkuar bëri aq shumë rrëmujë.
Më në fund erdhi 8 dhjetori i famshëm. S’e dinim akoma që po përjetonim një ditë aq historike. Një bërthamë studentësh u krijua tek godina 28-29 në darkë. Ata ishin Spiro Curra, Arben Lika, Agim Hasa, dhe shumë të tjerë që s’i mbaj më mend. Kisha dëgjuar se pesë studentë ishin betuar për lëvizjen në një qiri të ardhur nga Timishoara. Ky grupi harxhoi ca kohë para godinës 26-27 dhe u rrit në numër. Pastaj mori rrugën Budi. Bëri shumë ndalesa në shumë godina të tjera, edhe vajzash. Tanimë ishte errësirë e plotë. Grupi demonstrues ishte akoma në Qytetin Studenti, drejt daljes.
Grupi i demonstruesve ngadalë mbërriti pikën përfundimtare, segmenti ku kryqëzohet Rruga Budi me Rrugën Vinjau, atje ku ndenji më gjatë. Ndër shokët e mi ishin Nesti Qose e Agim Xhogu, shokë gjimnazi, si dhe Kujtim Morina nga “rrethi” i Hasit. Aty njoha Hermanin nga Karbunara, inxhinjer nafte. Këndonim këngën “Për mëmëdhenë”. Herë-herë shfaqesha më aktiv. Hermani dhe Agimi shpesh më tërhiqnin prej krahu, “ai atje t’i ka ngulur sytë.” Sigurisht që kishim frikë, në këto ngjarje dhe në gjithë të tjerat, megjithëse s’na lejohet të kemi frikë se jemi trima me nam nga Lushnja. Ulja zërin dhe përziehesha me turmën derisa “ai atje” të fiksohej me ndonjë tjetër. Pastaj rifilloja.
Pak metra më larg, mbi bordurën tek godina e parë kur hyn në Qytetin Studenti ndodheshin shokët e mi Arben Vasa, Arben Doda, Bardhosh Kola nga Shkodra. Në një moment, një makinë civile me vetëm shoferin brenda po shkonte prej Qytetit Studenti drejt bërthamës së demonstratës që t’i shpërndante. Vendosa t’i dilja përpara. Kujtimi më tërhoqi prej krahu. Qëndrova i palëkundur, siç është në traditat më të mira trimërore lushnjare. I kisha drejtuar të dyja duart drejt shoferit me shenjën V. Makina ndaloi. Ndenji aty për një kohë të gjatë, me mua përpara makinës. Përfundimisht shoferi vendosi të largohej, mbylli makinën dhe iku. Makina private asokohe në Shqipëri s’kishte. Dhe po të kishte, s’i çonte nevoja të ngisnin në atë kohë në atë vend.
Pas kësaj, studentët donin ta përmbysnin makinën, t’i thyenin xhamat. Morina mori një gur të madh. Unë e mbajta, unë i mbajta të gjithë, me respektin dhe autoritetin e sapofituar që s’do zgjaste shumë. Kjo është sigurisht trimëria ime më e madhe, dy muaj para se të mbushja 19 vjeç. Kam një histori personale shumë të ngatërruar dhe jo gjithmonë të lavdishme. Më ka ardhur gjithmonë inat që prindërit e mi i kanë marrë vesh të gjitha gjithmonë, përveç kësaj ngjarjeje që më mbush me krenari. Pastaj policia na shpërndau me dhunë. Ia mbathëm nga të mundeshim, në errësirë, drejt dhomave tona. Kështu mbaroi 8 dhjetori i famshëm për mua. Shpesh s’dua ta tregoj këtë ngjarje se mund të frymëzoj të tjerët. Mund dhe të përfundojë në një mënyrë krejt tjetër, për të cilën do më vriste ndërgjegja pastaj.
Katër vjet pas ngjarjes, Morina më tha “e ke ba si Mic Sokoli.” Këtë ma kanë thënë dhe të tjerë. E pyeta Arben Vasën pas 20 vjetësh nëse i kujtohej. M’u përgjigj “sikur të kishte ndodhur dje.” Me shaka them ndonjëherë “Në Shqipëri trima mbi trima jemi vetëm unë dhe Mic Sokoli. Selam Musaj s’quhet se ishte i dëhur a të ivja udhën.” Më 2004 ia tregova këto histori mjekut tim izraelian. Ai tha “Albanians are a tough croëd.”
Pas 8 dhjetorit zakonisht vjen 9 dhjetori. Azem Hajdari ishte në mëngjes tek sheshi me bustin e tij, të fillonte demonstratën që pastaj do vijonte drejt rrugës së Elbasanit, aty ku është ambasada amerikane. Po bënte lista, s’e mora vesh për çfarë. Thashë “shënomëni dhe mua.” Mund të kem qenë me 30 të parët. Aty njoha dhe Albert Tolin, fisi im i largët nga Skrapari. Të gjitha ngjarjet prej këtu dhe më vonë janë të stër-dokumentuara. S’mund të gënjehet dot sepse kishte me mijëra dëshmitarë. Tek ambasada amerikane policia na shpërndau prapë me dhunë. Lefteri më qortoi se kishte parë emrin tim te lista e Azemit.
Ndoshta më 10 dhjetor studentët e vitit të dytë të frëngjishtes dolën me parrullat “e duam Shqipërinë si gjithë Evropa” dhe “poshtë diktatura”. Kuptimi i parrullës së dytë është mëse i qartë. Në Shqipëri fjala “diktaturë” ka qenë gjithmonë e shoqëruar me “e proletariatit”. Dmth e popullit, e shumicës mbi pakicën, “diktaturë e mirë”. Duke e shkurtuar për herë të parë, fjala “diktaturë” ngelte nudo, e paveshur me “e popullit”. Diktaturë si gjithë të tjerat, që natyrisht duhej rrëzuar. Dhe parrulla “e duam Shqipërinë si gjithë Evropa” kishte një kuptim krejt tjetër në fillim. Ajo donte të thoshte “e duam Shqipërinë kapitaliste.” Kështu s’mund të thuhej dot akoma se fjalët kishin ngarkesat emocionale të 45 viteve dhe vetëm mund të na diskreditonin. Sali Berisha erdhi në shesh më 9 ose 10 dhjetor dhe tha “kthehuni në klasa, djema!” Vlerat e Saliut dhe të Azemit në të gjithë lëvizjen janë zmadhuar, shtrembëruar dhe keqinterpretuar në çdo mënyrë të mundshme. Shumica e studentëve asokohe ishin të pastër, por u prishën më vonë me poshtërimet e jetës së përditshme shqiptare.
Më ka bërë përshtypje që Berisha, jo Hajdari (ose Arben Lika, Shinasi Rama), u bë kryetar i Partisë Demokratike. Kisha dëgjuar se Berisha ishte spiuni i Ramiz Alisë. Ia thashë këtë Besnik Çumanit. M’u përgjigj “mos u merakos fare se dhe po të jetë s’e lënë të tjerët të bëjë dëm.” Pështypja që krijova në distancën e shumë viteve është që demonstratat do ndodhnin, por “Partia” (e Punës) u dha atyre drejtimin. Krijova përshtypjen se të paktën gjysma e “kokave” ishin spiunë të sigurimit. Kjo përshtypje më përforcohej nga bisedat asokohe me Kastriotin. Opinioni im për Partinë Demokratike binte përditë. Në fakt, u anëtarësova për pak kohë në Partinë Republikane, gjë që s’u pëlqeu djemve të dhomës përballë. Hasa më tha “kur të krijohet Partia Agrare do bëhesh me të ti.”
Edhe nga Partia Republikane u zhgënjeva shumë shpejt dhe s’u mora më me politikë shqiptare. Në Shqipëri votova vetëm një herë për Partinë Demokratike, në zgjedhjet e 22 marsit 1991. Në zgjedhjet e dyta s’votova fare, dhe kjo gjë u vu re në fshat. Në një moment kot kështu në një debat po bëja si PD-ist i madh që s’isha. Shoku im i fshatit, Idajet Malia, demokrat i orëve të para, më tha “ti s’votove.” Heshta. Në votën për kushtetutën e re votova kundër Partisë Demokratike. Ia thashë këtë shokut tim të dhomës, njëfarë Lekë Pepkola, tropojan prej Puke. S’i besohej në asnjë mënyrë.
Shinasi Rama këta i quan “trusti i gështenjave”. Unë i quaja “pushtuesit tropojanë.” Tropojanët dhe sahanlëpirësit e tyre i meritojnë të dyja epitetet dhe shumë të tjera. Për shembull, ishte njëfarë Hajredin Pira, një mafishte, teveqel, çerek burri, më i djeguri nga të gjithë. Kot për sevap, tre vjetët e para e trajtoja mirë, e fusja në radhë me burrat që burrë s’është.
Në vitin e katërt “zdrypi naj kushnaj sampist or taj”, dhe Hajredin bej Mafishtja u bë Hajredini i Tmerrshëm. Më poshtëronte përditë pa asnjë arsye. Ç’t’i bëja? Ta rrihja njëherë për neps dhe pastaj të lija shkollën? Aty ishte Hajredin bej Mafishtja kur duhej treguar trimëria e vërtetë, por s’e mban mend askush. Të paktën shyqyr që hanë kokat me njëri-tjetrin. Zoti u shtoftë inatin.
U kthyem për disa ditë në shkollë në dhjetor, me parti të krijuar. Deliallisi tregonte për demonstratat në Kavajë. “Të gumëzhin koka dhe pas shumë kohësh.” S’më besohej. Nga fundi i vitit të parë ose fillimi i vitit të dytë më gumëzhinte koka sikur po bëheshin demonstrata tek stacioni i trenit. I gumëzhinte koka dhe Arben Vasës. Njëherë zhurmat u bënë aq të mëdha sa s’m’u durua. Mora leje dhe vajta të shihja nga stacioni i trenit. S’po ndodhte asgjë. Ishte një ditë krejt e zakonshme.
Ato ditë dhjetori 1990 erdhi në Qytetin Studenti ish-mësuesi im i marksizmit, njëfarë Artan Sinollari. Ai ishte munduar shumë të më linte pa shkollë, s’e mora vesh kurrë pse. Ndoshta kishte kunjë me profesorin tim të matematikës, Gjovalin Daka, një kulak tjetër, më kulak se unë. Kërkoi të më takonte dhe ia plotësova dëshirën. Ai tregoi historinë e fatorinove të Shkodrës. Kur deshën t’i pushonin nga puna për korrupsion, ata thanë “na pushoni po deshët. Ne i kemi rregulluar të gjitha hallet tona. Tani po punojmë për shtetin. Po vutë fatorino të tjera, ata da fillojnë të vjedhin nga e para.”
Ndër shumë njerëz që takova në demonstrata ishte dhe një punëtor i thjeshtë minoritar grek, banues në Tiranë. Ai më tha “njerëzit e mi në Greqi kanë punuar një jetë, kanë vënë pasuri, i kanë të gjitha në rregull. Kam punuar një jetë dhe s’kam as bukë të ha.” Fjala “pasuri” na bëri përshtypje të keqe për si ishim edukuar.
Tani në ngjarjet e shkurtit 1991. Partia Demokratike ishte krijuar. Data e zgjedhjeve ishte fiksuar. Gjendja në Qytetin Studenti ishte e nderë. Ishte krijuar Shoqata Politike Fani Noli. Egzistonte Shoqata e Studentëve. S’më ishte i qartë dallimi midis tyre. Kishte një grup të vogël fanatikësh që bënte demonstrata përditë, ndër ta dhe unë. Në fakt më vriste ndërgjegja që s’shkoja në shkollë, por në atë moment as shkollë bëhej. Njëherë, përballë një demonstrate shumë të vogël përpara një godine, para se të shpërndaheshim në darkë, folësi (Shinasi Rama?) hodhi idenë e grevës së urisë. Unë u tregova shumë më entuziast se të tjerët. Pastaj u shpërndamë. Një djalë nga Korça më qortoi për entuziazmin tim. Ai ishte i njëjti djalë që tallej me fjalimet e Enver Hoxhës “se patatja është edhe bukë, edhe gjellë.” Kur u duk qartë se e gjithë lëvizja s’po shkonte si donim, në fakt që pas ditëve të mesit të dhjetorit, i njëjti djalë tha një shprehje korçare, “q#më moj breshkë q#më se ma gjete volinë.”
Një ditë prej ditësh erdhi vëllai të më merrte nga Qyteti Studenti. “Hajde se do mysim thiun.” Vajtëm deri tek stacioni i trenit. Aty i thashë “ça do bësh ti po ia mbatha me vrap?” Ai tha “të vë pengecin.” Ia mbatha me vrap. Vëllai po qeshte me të madhe. Skenën e kuptoi një polic, dhe ai po qeshte me të madhe. “Të iku, ëh? Kështu ndodh përditë këtu. Lëri dreqërit të bëjnë ç’kanë ndërmend” i tha polici. Atë natë u enda ndër zalloret e një përroi afër stacionit të trenit. Vëllai ishte kthyer në godinë. S’më gjeti dhe u kthye në shtëpi pa mua. Kur u ktheva pas grevës vëllai më tha “më shkoi ndërmend të bërtas “kapeni hajdutin!””
Në ditët që paraprinë grevën e urisë në mensë në kat të dytë po bëheshin listat e studentëve që donin të merrnin pjesë në grevë. 108 studentë u rregjistruan, 723 morën pjesë në grevë, plus 20 profesorë, gjimnazistë, etj. Pas një viti qëllova në tren me një studente nga jugu. Ajo më tha se në darkë ajo lista mbërriti në ministrinë e brendshme. E ëma e shoqes së saj punonte aty dhe kishte parë emrin e saj dhe të vajzës së saj.
Në grevë disa studentë hynë me ca rezerva ushqimore modeste. Unë hyra me duar në xhepa. Aty brenda Çumani më dha dy pako biskota 10-lekëshe. Një prej tyre e hëngra ngadalë në tre ditë. Tjetrën e mbajta për ditë më të liga dhe e hëngra kur do dilnim. O Edmond Bushatin o Arian Manahasën, e kam parë njëherë duke hyrë me një çantë sporti me biskota, mbuluar me një peshqir. Shumicën e kohës rrija me shokët e katit, inxhinjerë. Herë-herë vija nga shokët e klasës për pak momente. Ndër të tjera dhe për të bërë atë foton historike, fotoja e vetme që bëra gjatë grevës së urisë. Për atë foton pas shumë vjetësh pyeta Idajet Malien “kush jam unë këtu?” M’u përgjigj “më i madhi nga të gjithë.” Më pyeti Durim Toçilla nga Shishtaveci “kush jam unë këtu?” Iu përgjigja “ai që ka mbyllur sytë dhe po ëndërron për një Shqipëri të mbarë.”
Dihet që Azemi vinte e ikte nga greva e urisë dhe ishte krejtësisht kundër grevës, që nga fillimi deri në fund. Dihet ç’bëri Azemi për ta prishur grevën. Ilir Dizdari gjithashtu ishte krejtësisht kundër grevës. Erdhi njëherë Ilir Dizdari të na mbushte mendjen neve të matematikës që të dilnim nga greva. Unë isha ai që e kundërshtoi më shumë. Iliri më shau nga nëna me kërcënim të madh për rezistencën time. Tani del se dhe Iliri ishte për vazhdimin e grevës. Nga shëndeti s’ndiheshim mirë. Por vazhduam. Kalova rreth një orë në ambulancë me serum në krah për tensionin e ulët të gjakut dhe nivelin e ulët të sheqerit në gjak. Ngjarjet e tjera janë të dokumentuara mirë. Kishim frikë se do ndërhynin të na nxirnin nga greva me forcë, ose më keq. Populli i Tiranës ndenji gjithë natën aty. Ky fakt më emocionon shumë gjithmonë dhe më bën të mendoj se bëra vetëm detyrën time modeste dhe asgjë më shumë se ç’më takonte. Bëra atë që pritej nga unë.
Duke dalë nga greva pashë Bushatin me një kg sheqer nga ai i infermierisë. U zhgënjeva shumë. Vodha një nga perdet e kinoteatrit. Për shumë vite kjo qe mbulesa e krevatit tim. Pas grevës vajtëm në godina ku na pritën shokët tanë inxhinjerë. Besoj se isha me Çumanin. Shokët na nxorën përpara një pilaf me ullinj. Hëngra ullinjtë, hëngra pak pilaf. Pilafi s’shtyhej, dukej shumë i yndyrshëm në gjendjen që ishim, tre ditë pa ngrënë. Ta kisha në një moment tjetër atë pilaf…
Pas disa ditësh takova në rrugë Deliallisin. Në përballjen me Dizdarin, Deliallisi më qetësonte herë pas here. I thashë “kam dëgjuar se do bëhet një grevë tjetër urie. Profesorët a diçka e tillë.” Ai u përgjigj “tani s’na e var më njëri. “Nordh në grevë po deshe.””
Do kthehesha në shtëpi. E lashë të kthehesha me ish-shokun tim Nesti Qose, më 5 mars. Edhe Nesti ishte në grevën e urisë. Treni kishte ndaluar në Durrës. U kuptua që po iknin tragetet në Itali. Isha i vendosur të ikja me anije në Itali.
Nesti më mbajti dhe po më qesëndiste për këmbënguljen time. S’ika. Kjo u bë brenga më e madhe e jetës sime. Ia kalon dhe brengës së fëmijërisë që s’vajta dot në shkollën Skënderbeg ku sipas fantazisë sime do kisha mundësi të studioja matematikë sa të ngopja shpirtin. Ndoshta dhe kjo ishte thjesht fantazi, si fantazia se sapo të shkoja në universitet për matematikë do kisha mundësi të studioja matematikë për shtatë palë qejfe. Brenga e gjimnazit është që s’fitova dot në olimpiadat kombëtare të matematikës, vetëm tre herë vendin e parë në Lushnjë.
Olimpiadat në fantazinë time ndër të tjera do më hapnin rrugën për në universitet, do kapërcenin vështirësitë e njollës në biografi. Nuk ma priste mendja kurrë se gjërat në Shqipëri do shkonin keq e më keq e më keq. S’më vjen keq për vuajtjet e mia në Shqipëri, më vjen keq vetëm për vitet e humbura komplet batall, pa mundur të bëj asgjë të dobishme, në moshën time më të mirë.
Pas zgjedhjeve të 22 marsit shihja shpesh deputet Azemin para parlamentit, ku kaloja për në shkollë. Në herët e para priste që t’i flisja. S’kisha absolutisht asgjë personale kundër Azemit, por e kisha vendosur që gjërat ishin ndarë. Duhej të mbaja vendin tim të vogël dhe t’i lija rehat të mëdhenjtë në madhështinë e tyre.
Rreth 2001 fola një herë me Durim Likën nga Durrësi, dhe ai refugjat në Itali, si unë asokohe. Më tha se lista e pjesëmarrësve në grevën e urisë kishte mbërritur rreth 7,000 “studentë.” Dikur e përdornin për të marrë viza për jashtë shtetit si disidentë antikomunistë që s’ishin. Tani e përdorin për t’i shtuar dinjitet dhe legjitimitet vetes. Ndoshta lista ka shkuar 70,000. Më thanë se në listë është dhe shoku im i dhomës Aleksandër Laçaj. Atë e mbaj mend unë shumë mirë që s’ishte as në grevë, as në demonstrata. Takova Çumanin më 2010 në Ëorchester, Massachusetts, USA. Biseduam gjerë e gjatë për kujtimet tona. E pyeta për shokët me radhë. E pyeta “Po Filani me se merret tani?” U përgjigj “Filani… hiç asgjë s’ka bërë. Në Shqipëri është. Merret me mitingjet dhe përvjetorët. Student i dhjetorit profesionist.”
Kur vajta në fshat, të parët dhe më të zellshmit që më sulmonin ishin kulakët, megjithëse më qëllonin me pambuk. Ata donin të rregullonin biografinë. E dinin, sido që të vinte puna, nga unë s’i gjente gjë. Një kulake po më qortonte, në qendër të fshatit, sigurisht, që ta shihnin të gjithë. “Kush të çoi në shkollë ty?” Me shaka i bërtita “pusho moj dreq se të bëj kulake të demokracisë!” Të gjithë qeshën me të madhe, përfshirë dhe djali i saj. Ajo e la muhabetin dhe iku.
Një nga frikat që kisha asokohe ishte një marifet i njohur komunist. E liberalizonin pak, lejonin ca rrëmuja dhe përpilonin lista rebelësh. Pastaj e shtrëngonin prapë dhe eliminonin rebelët. E kanë bërë periodikisht këtë. Kisha dhe frikë se komunizmi binte gjithandej dhe qëndronte vetëm në Shqipëri. Duke parë si ngeli Koreja e Veriut dhe Kuba, kisha ca të drejtë. Këtë ia thashë dhe Arben Likës. Tani besoj se greva e urisë luajti një rol të veçantë në ndryshimin e rrjedhës së historisë së Shqipërisë. Madje, një nga pikat që ngrinte mësuesi im i marksizmit si në gjimnaz dhe kur u takuam ishte se vendet ku komunizmi po binte ishin në fakt revizioniste dhe jo socialiste të vërteta.
Në Shqipëri s’mund të ndodhte kurrë asgjë e tillë. Shqipëria po ndërtonte socializmin e vërtetë, sipas mësimeve shkencore të Marksit, Engelsit, Leninit, Stalinit, Enverit. Për grevat në Poloni ai thoshte “ata e kanë të shtunën dhe të dielën pushim. Tani duan dhe të premten.” Rreth 2013 po flisja në spanjisht me një kolumbian të madh në moshë në Orlando, Florida. “Prej nga je?” më tha. “Nga Shqipëria” i thashë. I shkëlqyen sytë si të maçokut. “Ah, Shqipëria! Shqipëria është i vetmi vend në botë që ndërton socializmin, atë të vërtetin.” Iu përgjigja “Është e gjitha propagandë, shoku. Shqipëria asokohe ishte vendi i 15-të më i varfër në botë, në zemër të Evropës.
Kemi vuajtur uri dhe terror gjithë jetën.” U zhgënjye shumë dhe u largua shumë i mërzitur, pa më përshëndetur fare. Më besoi lehtë dhe kjo e mërziti dhe më shumë. Më 2018 në Orlando dëgjova që po flisnin shqip dhe i përshëndeta. Më ftuan dhe u ula me ta. U thashë që kam qenë kulak dhe student i dhjetorit. Njëri prej tyre kishte qenë oficer në kohën e Merhumit dhe s’mund t’i dëgjonte më dënglat e kulakut. I thashë “ja e fituat luftën. Bëtë si deshët. Ça nxorët në shesh? E bëtë Shqipërinë bahçe me lule që na e ka zili e gjithë bota. Tani dhe ju vini rrefugjatë tek imperialistët amerikanë, dhe s’na duroni dot as këtu.”
Kur u bë e qartë se komunizmi i ktheu patkonjtë nga dielli, të gjithë më tregonin historitë e tyre të disidencës antikomuniste, përfshirë dhe më të privilegjuarit që prisnin delegacione nga vendet socialiste në shtëpitë e tyre. Tani mendoj se ata thjesht po mundoheshin të hanin në të dy krahët, sido që të vinte puna.
Pas një viti erdhën studentët e rinj. Ata kishin një ide mbi ne që ishte përtej çdo realiteti. Në fakt, ata filluan një lëvizje studentore tjetër, por pa qëllime të qarta. Kishin vënë shokët e tyre në pikat kyçe ku kalonin studentët për të na kthyer mbrapsh. Më ndaluan pak para Bibliotekës Kombëtare, te gropa e Hajdin Sejdisë. Për t’u bërë qejfin “u grinda” pak me ta, sa për t’i sajdisur. “Ma mbushën mendjen” të kthehesha në Qytetin Studenti “të luftoja për të drejtat tona.” U ktheva mbrapsh dhe vajta në fakultet nga një rrugë tjetër.
Më 2018 vizitova Muzeun Kombëtar të Luftës në Vietnam “Larry E. Smedley” në Orlando, Florida, SHBA. Folësi më tregoi fotografinë e një gjenerali me shumë grada që kishte marrë dhe medaljen e artë për trimëri. Në SHBA, të gjithë ushtarakët duhet të nderojnë presidentin dhe të përfundojnë nderimin kur presidenti bën shenjë. Bëjnë përjashtim vetëm këta me medalje të artë për trimëri, të cilët i nderon presidenti i pari. E pyeta “ça bëri ky?” M’u përgjigj “s’merret vesh mirë se ça bëri ky, por çfarëdo që bëri, po zmadhohet nga viti në vit.”