Presidenti i SHBA-së Donald Trump konfirmoi pak minuta më parë se njëra prej kokave më të rrezikshme të terrorizmit botëror Abu Bekir Al-Bagdadi vrau veten duke shpërthyer një jelek me bomba gjatë operacionit të marinsave amerikanë në banesën e tij në Idlib të Sirisë.
“Mbrëmë Shtetet e Bashkuara vendosën drejtësinë. Eliminuam terroristin numër një në botë. Abu Bakr al-Baghdadi është i vdekur”. tha Trump.
“Ai ishte themeluesi dhe udhëheqësi i ISIS. Organizata terroriste më e pamëshirshme dhe e dhunshme në botë. Shtetet e Bashkuara e kanë kërkuar shumë vjet për Bagdadin.
Kapja ose vrasja e Bagdadit ka qenë përparësia kryesore e sigurisë kombëtare të administratës time. Ai vdiq si qen, ai vdiq si një frikacak.
Udhëheqësi i Shtetit Islamik ishte fshehur në një tunel nga u përpoq të ikte duke qarë dhe duke bërtitur gjatë gjithë rrugës”, tha Trump për liderin e ISIS.
Në deklaratën e tij, Trump zbulon se operacioni ushtarak zgjati dy orë, ku u vranë dhe bashkëpunëtorë të kreut famëkeq të ISIS-it. Ndërsa, asnjë pjesëtar i forcave të Marinës Amerikane nuk ka humbur jetën, ndërsa janë shpëtuar 11 fëmijë që ndodheshin në banesë.
Kreu i shtetit amerikan deklaron se ishin hartuar paraprakisht 2-3 plane operacionale për eliminimin e Al-Bagdatit. Në deklaratën e tij, Trump nënvizon se trupat amerikane shfrytëzuan hapësirën ajrore të Sirisë, e cila kontrollohet nga Rusia.
Për këtë operacion madhor dhe historik, Trump falenderon Rusinë, Turqinë, Sirinë, Irakun dhe kurdët e Sirisë. Këta të fundit dhanë informacionin jetik për zbulimin e vendndodhjes së kreut të ISIS-it.