Që prej vitit 2013, çdo fëmijë i sapolindur në fshatin më të vogël të Finlandës, Lestijarvi, “vlen” 10 mijë euro. Në atë vit, administratorët e bashkisë vendosën që të luftojnë kundër rënies së lindshmërisë dhe zbrazjes së fshatit ku kishte lindur vetëm një fëmijë në vitet e mëparshme.
Bashkia prezantoi një stimul të emërtuar “baby bonus”: çdo banor që bënte një fëmijë do t’i jepeshin 10 mijë euro, që do të paguheshin për 10 vite.
Kjo dha efekte. Që atëhere 60 fëmijë kanë lindur në fshat.
Krahasuar me vitet e mëparshme, në të cilat vetëm 38 fëmijë kishin lindur, bebet e reja konsiderohen një zhvillim i rëndësishëm në fshatin që ka më pak se 800 banorë.
Përfituesit e bonusit të bebes Jukka-Pekka Tuikka dhe bashkëshortja e tij Janika punojnë si sipërmarrës në sektorin bujqësor. Vajza e tyre e dytë, Janette, lindi në vitin 2013 dhe kjo ka bërë që ajo të marrë pseudonimin “vajza 10 mijë euroshe”.
“E kishim planifkikuar një fëmijë të dytë prej kohësh dhe po plakeshim. Ndaj nuk mund të them, se paratë realisht kanë influencuar në vendimin tonë për të pasur një fëmijë tjetër” shprehet Tuikka.
Deri tani Tuikka ka kursyer pjesën më të madhe të 6 mijë eurove që ka marrë deri më tani dhe sëbashku me 4 mijë eurot e e tjera, ai planifikon t’i përdorë në një mënyrë që vajza e tij të përfitojë në të ardhmen.
Tashmë edhe bashki të tjera finlandeze kanë prezantuar bonuse për bebe që variojnë nga qindra deri në mijëra euro.
Gjithsesi, pavarësisht këtyre stimujve, lindshmëria në Finlandë është ende në nivele shumë të ulëta. Ashtu si në shumë vende të tjera europiane, lindshmëria ka rënë në ritme të frikshme.
Finlanda ofron shumë përfitime për familjet që lindin fëmijë, që nga ‘baby-box’ i famshëm me veshje e sende për beben deri te kuota e parave mujore që varion te 100 euro në muaj për fëmijë ashtu sikurse edhe leja e lindjes për prindërit deri në 9 muaj.
Por edhe pse Finlanda po shpenzon më shumë para për këtë qëlim sesa mesatarja europiane, ekspertët e shkencave sociale kanë mendimin se vendi i tyre po shpenzon shumë më pak sesa vendet e tjera nordike, si për shembull Suedia që është shumë më bujare.
Arsyet e rënies së lindshmërisë janë të ndryshme.
Por a është dhënia e stimujve financiare një mënyrë për të rritur përqindjen e lindshmërisë?
Sipas Ritva Natkin, lektror i shkencave sociale në ‘Tampere University’, rritja e stimujve financiarë për familjet mbase mund të ndihmojë në rritjen e lindshmërisë në ndonjë drejtim por që gjithsesi ka dyshime nëse vetëm kjo do të ndikojë për një bum lindjesh.
Sipas tij, rënia e lindshmërisë nuk lidhet vetëm me pamundësitë financiare të familjeve por edhe me ndryshimin e sjelljes kundrejt të pasurit fëmijë.
“Baby Boom i Tretë”
Ndryshe ndodh në Estoni që ka arritur të njohë një rritje të ndjeshme të lindshmërisë në dekadën e fundit.
Ky ndryshim i atribuohet vendimeve të qeverisë për të investuar në politikat familjare, sidomos në rritjen e fortë të mbështetjes financiare për familjet e mëdha.
Estonia jep 60 euro në muaj për fëmijën e parë, 60 euro për fëmijën e dytë dhe 100 euro për fëmijën e tretë. Po ashtu, shteti shpërblen familjet që kanë tre ose më shumë fëmijë . Ato marrin një bonus prej 300 euro. Në total, një familje në Estoni me tre fëmijë merr 520 euro në muaj si përfitime familjare.
Duke analizuar Estoninë që kostoja e jetëses dhe të ardhurat janë të ulëta, kjo mund të konsiderohet një politikë shumë bujare ndaj tyre.
Programet e qeverisë duket se kanë funksionuar dhe lindshmëria është rritur nga 1.32 lindje për 1 mijë banorë në vitet 2000 në 1.67 lindje për 1 mijë banorë në vitin 2018.
Allan Puur, një profesor demografie në ‘Tallin University’ konfirmon se stimujt financiarë duket se kanë dhënë efekt pozitiv. Ai evidenton veçanërisht stimujt e vitit 2017 që kanë çuar në atë që e cilëson si “Baby boom i tretë”.
Pra paratë duket se ndihmojnë në këtë drejtim por që të krijohet një rritje e ndjeshme e lindjeve është një çështje e një kombinimi kompleks të sjelljeve sociale, politikave pro familjare dhe e mbështetjes financiare gjithashtu.
Rasti interesant i Bolzanos në Itali
Një studim interesant në Italia tregon se kjo “stuhi perfekte” e faktorëve mund të bëjë diferencën.
Në Itali përqindja e lindshmërisëka qenë e ulët për dekada dhe është në rënie prej vitesh.
Por ka një provincë italiane që bën dallim nga kjo tendencë, Bolzano në kufi me Zvicrën, ku përqindja e lindshmërisë është e lartë.
Provinca ka status autonom dhe ka më shumë liri në përcaktimin e politikave të saj.
Politikat familjare janë më bujare se kudo tjetër në Itali dhe familjet marrin më shumë mbështetje financiare. Fëmijët përfitojnë në muaj rreth 200 euro, më shumë se dyfishi i asaj që jepet në rajone të tjera të Italisë.
Po ashtu, ka edhe politika të veçanta për familjet me të ardhura të ulëta.
Por Bolzano mund rajonet e tjera të Italisë edhe për shërbime miqësore ndaj familjeve si në rastin e çerdheve apo shkollave.
Mbështetja financiare është e rëndësishme por çelësi i lindshmërisë së lartë në Bolzano është pjesëmarrja e gruas në tregun e punës.
Në Bolzano, 73 % e grave 20-64 vjeç punojnë, krahasuar me 53 % që është në pjesën tjetër të Italisë. Punëtoret në Bolzano kanë orar fleksibël pune çka e bën më të lehtë kombinimin e mëmësinë me punën.
Bolzano është një rast studimor interesant që tregon se rritja e lindshmërisë nuk ka një zgjidhje të lehtë. Për sa kohë që popullsia e Europës vijon të bjerë, shumë fshatra të vegjël dhe qytete të mëdha do të vijojë të aplikojnë programe të ndryshme që kanë synim rritjen e popullsisë. Por paratë nuk janë gjithçka.
Të dhënat e ekspertëve sugjerojnë se t’i bësh njerëzit të shtohen është një çështje komplekse që nuk mund të zgjidhet vetëm me një çek.(scan)