Avokati Spartak Ngjela ka sqaruar mesazhin e të dërguarës së SHBA-së në Tiranë, Leyla Moses-Ones, gjatë konferencës “Politika amerikane në Ballkanin Perëndimor”, ku tha se “disa gjëra nuk janë për shitje” në Shqipëri.
Sipas avokatit, ky reagim erdhi pasi Rusia dhe Kina tentuan që të përfitonin pas vendimit për të mos çelur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“U godit një investitor rus i madh, i cili kishte ardhur për të bërë një investim gjigant. Kontrata ishte bërë, por gjithçka u prish. Kurse me Kinën, Rama para disa ditësh tha se do që të kemi marrëdhënie ekonomike të nivelit më të lartë. Por nga SHBA iu bë e qartë se Kina nuk e ka vendin këtu.”, tha Ngjela në emisonin “360 gradë” në Ora News.
Avokati shtoi se Franca vendosi veton për negociatat, pasi i shërben Rusisë.
“Ka një lidhje politike në këtë gjë, vetoja franceze. Fakti që ka vënë veton e nuk thotë asnjë arsye presidenti, është se mban anën e Rusisë. Ai është kundër prezencës amerikane në Ballkan.
Por Shqipëria nga kjo u bë më e fortë. Foli DASH, pardje mblodhën PE-në dhe bënë rezolutë. Gjermania e ka konsideruar fiasko. Përse? Mendon që Shqipëria ka një rol kyç në këtë rajon. Sa më shumë kalon koha, aq më shumë e shikojmë se kjo zonë këtu ka një vlerë shumë të madhe.
Duhet forcuar bota shqiptare. Janë 8 milionë shqiptarë në Ballkan. Vetëm kështu do të ketë stabilitet”, tha Ngjela.