Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë dje një goditje të fortë dyshes Meta-Berisha sa i takon flirteve me rusët. Protestat destabilizues të pranverës ishin strategji e tyre dhe sipas të gjithë ekspertëve ndërkombëtarë, lëvizje të tilla i shërbejnë Moskës. Po ashtu, mediat ruse kanë pasur gjithmonë në plan të parë presidentin dhe opozitën. Mirëpo, dje ambasada e SHBA ka çuar një mesazh të fortë për ata që janë lidhur me Moskën.
Zv. ambasadorja e SHBA Leyla Moses Ones, u shpreh qartë dje se SHBA nuk do të lejojë që Rusia, Kina apo Irani të thellojë ndikimin në Tiranë. Duke folur nga konferenca “Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Ballkanin Perëndimor”, Moses Ones deklaroi se Ballkani Perëndimor është parë nga këto shtete si shfrytëzim për të ndikuar në destabilizim, duke shtuar se Shqipëria i ka refuzuar makinacionet ruse dhe se projekti i vetëm është Bashkimi Europian. “Për Rusinë, Iranin, Kinën, Ballkani Perëndimor është një mjet për një qëllim, një burim nga i cili mund të shfrytëzohet dhe pastaj të flaket tej. Nuk ka asgjë idealiste në qëllimet e tyre. Ata gjithashtu kërkojnë të minojnë modelin perëndimor të vetëqeverisjes që çmon lirinë dhe zgjedhjen me oligarkitë e korruptuara të cilat janë të divorcuara prej interesit të njerëzve të cilëve supozohet t’iu shërbejë qeveria. Kina ka vënë në zbatim diplomacinë shtrënguese të debitorit për të blerë një ndikim që i pret fuqitë forcës ekonomike dhe gjymton autonominë politike të të ashtuquajturve partnerë të saj.
Kremlini këmbëngul të mos eksportojë asgjë tjetër përveç kaosit, ndërsa kërkon të rikuperojë humbjet sovjetike nga Lufta e Ftohtë. Irani ka shfrytëzuar praninë e tij diplomatike në Tiranë për të planifikuar shkatërrimin e kundërshtarëve të tij politikë, duke kërkuar t’i përgjigjet argumenteve të arsyes me burracakërinë e detonatorëve të fshehur”, tha Leyla Moses Ones.
Lidhjet e Metës e Berishës me rusët
Mesazhi i saj duket se ka qenë për Metën, Berishën, por dhe për Bashën. Berisha është akuzuar nga disa personalitete ndërkombëtare për lidhje me rusët. po ashtu është kritik shumë i fortë i ambasadës së SHBA. Presidenti ka nisur një fushatë të paprecedentë kundër SHBA. Meta ka sulmuar me emër ish-ambasadorin Lu, ndërsa akuzon ambasadat se po krijojnë kaos në vend. Po ashtu, dyshja Mjeta-Berisha ishin të vetmit që dolën kundër SHBA për paktin Kosovë-Serbi. Madje zyrtarët e lartë të SHBA e kanë mënjanur Metën, duke e shmangur në takime. Nga ana tjetër Meta është i vetmi që ka dhënë intervista për mediat ruse. Portalet e Putin e kanë lajm çdo ditë. Ndërkohë, Basha është ai i cili ka lobuar në SHBA me para ruse. Kjo tregon se mesazhi ka qenë i qartë për ta.
Rreziku kinez
Por SHBA i ka dhënë dhe një goditje të fortë qeverisë. Kohët e fundit është folur për investime kineze në vend. Pekini do të investojë në disa fusha, por SHBA e ka bërë të qartë se nuk ka asgjë për të shitur në Shqipëri. “Shqipëria ia ka bërë të qartë Kinës se disa gjëra thjesht nuk janë për shitje. Shqipëria ka refuzuar makinacionet ruse.. Dhe, Shqipëria ka treguar që nuk do të tolerojë terroristë iranianë në tokën e saj. Shqipëria ka zgjedhur, sërish dhe përsëri, të mbajë qëndrime parimore”, tha ajo.
Reformat në Shqipëri
Më tej, zv. ambasadorja e SHBA foli dhe për reformat e ndërmarra në Shqipëri, atë në drejtësi dhe atë zgjedhore, duke theksuar se drejtuesit politik në vend kanë treguar vullnet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të mirën e vendit. “Shqipëria është tashmë një vend kandidat – kjo nuk ka ndryshuar. Puna që tashmë po vazhdon dhe ajo çfarë mbetet për t’u bërë nuk ka ndryshuar. Shqipëria do të fitojë vendin e saj në radhët e shteteve anëtare të BE-së duke dyfishuar përpjekjet për zbatimin e reformave në drejtësi, fshirë korrupsionin dhe fitoren mbi plagën e krimit të organizuar. Kjo ka të bëjë me vlerat; kjo ka të bëjë me sundimin e ligjit; kjo ka të bëjë me begatinë dhe mundësinë për qytetarët shqiptarë. Shqipëria jo vetëm që po punon shumë për reformën në drejtësi, por tashmë reforma zgjedhore është bërë një projekt kombëtar që qeveria, opozita parlamentare dhe partitë opozitare jashtë tij, po e ndjekin”, u shpreh Leyla Moses Ones./ Elisjeda Kiko