“Përshëndetje,
Unë jam Autizmi! Unë jam një fëmijë i diagnostikuar me autizëm. Shumë prej jush shkruan për mua sot, por a e dini çfarë jam unë?!
Aurizmi është çrregullim i zhvillimit i cili shfaqet në fëmijërinë e hershme. Teorikisht kështu mendojnë për mua, por unë nuk jam aspak i nofkëzuar fizikisht, përkundrazi. Unë vodha tiparet më të bukura të mamit dhe të babit dhe linda një bebe e bukur, e adhurueshme!
Unë nuk kam një zemër të ftohtë, përkundrazi, nëse ju më mësoni si të dua, si të përqafoj dhe puth, do arrij të jem fëmija më i dashur dhe më sociali në botë.
Jam pak çapkën, sfidues dhe kundërshtues. Unë terapisten e dua shumë, por herë pas here nuk e kam xhan sepse më lodh me ato kërkesat dhe komandat e shumta, sidomos kur vonon të më japë lodren apo ushqimin tim të preferuar, perforcuesin si e quajne keta terapistet. Ama e dua shumë sepse më kënaq me lojëra të bukura, kërcime dhe hedhje pafund.
Babi dhe mami mërziten me mua kur unë i sfidoj, por harrojnë se unë në fund të fundit jam një fëmijë dhe pavarsisht autizmit, të gjithë fëmijët kanë teka, qajnë, sfidojnë, por kanë edhe turp.
Mos u mërzit o babi me mua kur unë nuk i jap dorën shokut tënd, kur nuk i them “përshëndetje” apo “paçim”, thjeshtë jam fëmijë, edhe unë lodhem! Mami, mos u mërzit me mua nëse nuk mësoj dot mirë në të gjitha lëndët, më beso, unë e adhuroj matematikën.
Unë dua thjeshtë të më doni kështu siç jam sepse jam thjeshtë një fëmijë normal më të mrat dhe mangësitë e mia. Me durim dhe vullnet ju mund të më mësoni shumë gjëra. Mund të më mësoni se si të jem një fëmijë i dashur, i strukturuar, i pavarur dhe me unitet. Ju lutem, më falni dashuri!”
Sot, Në ditën Botërore të Autizmit, Letrën e shkrova unë, Logopedia e këtyre ëngjëjve të vegjël duke u bazuar tek ajo që shoh dhe përjetoj çdo ditë teksa zhvilloj terapi me fëmijët që kanë ç’rregullime të spektrik autik. E shkrova duke uruar e shpresuar se një ditë këto dashuri, të mund shkruajnë vetë për veten e tyre, pasi duke parë potencialin e tyre, unë besoj fort se ata do të munden!
Nga Berjana Molla – Logopede (MSC)