Zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm ka qenë një nga përplasjet e forta mes qeverisë dhe opozitës. Deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi, foli dje për zgjedhjen e kryeprokurorit, ku deklaroi se kritikët që kritikojnë Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku duhet të shikojnë ligjin e ri të funksionimit të Prokurorisë. Në një intervistë televizive Hysi tha se me ligjin e ri, Prokurori i Përgjithshëm nuk ka më kompetenca për hetimin e çështjeve.
“Kritikët para se të kritikojnë zonjën Marku duhet të studiojnë ligjin për funksionimin e Prokurorisë, pasi me ligjin e ri Prokurori i Përgjithshëm nuk ka më kompetenca për hetimin e çështjeve. Pra ne kemi decentralizuar prokurorinë. E para, e dyta ne duhet të mësohemi edhe me diçka tjetër që kompetencat që ka prokurorja e përgjithshme nuk janë kompetenca për çështjen sesa janë për mirëfunksionimin e institucionit. E them këtë pasi ne kemi konstatuar se në kuadër të reformës në drejtësi janë bërë disa ndryshime që kthejnë prapësht disa njohuri që ne kemi marrë në shkollë. Ka shumë nevojë e njohja e ligjit, pasi më pas do të gabojmë”, tha Hysi. Më tej, deputetja socialiste deklaroi se qeveria mbështet edhe kandidatura të tjera të forcave të ndryshme politike, por në rastin e Kryeprokurores Arta Marku opozita zgjodhi që të mos marrë pjesë në votim.
“Ju keni shumë të drejtë kur thoni votimin, por çfarë të bëjmë në momentin kur opozita nuk do të marrë pjesë dhe heq dorë nga përgjegjësitë që ka në parlament. Kur është miratuar ai ligj është miratuar me konsensusin e shumicës dhe pakicës dhe është thënë që për një periudhë tranzitore ne nuk do zgjedhim një prokuror të përgjithshëm pa kaluar procesin e vetingut etj. Pra do caktohet një prokuror që është më i vjetri për të ushtruar përkohësisht detyrat e prokurorit të përgjithshëm. Është rasti i fundit që ne kemi patur një situatë të tillë, sepse me ligjin e ri Prokurori i përgjithshëm ka zv/prokurorin e Përgjithshëm. Çka do të thotë që në mungesë të prokurorit të përgjithshëm do të ketë një zv/prokuror të përgjithshëm që do të ushtrojë kompetencat e prokurorit”, u shpreh Hysi.