Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se nuk do të ndryshojnë kurs sa i takon shfarosje së korrupsionit në vend dhe avancimin e reformës në drejtësi. Prej gati një viti ambasada e SHBA nuk ka një drejtues, ndërkohë që PD ka lobuar shumë në Uashington për të bërë për vete emrin e ri që do të vijë në Tiranë. Donald Lu u kthye në tabelë qitje nga dyshja Meta-Berisha. Edhe sot, ata e akuzojnë se ndihmoi qeverinë të kapë reformën.
Por Uashingtoni duket i palëkundur në misionin tij për të ngritur sa më shpejt SPAK, Byronë Kombëtare të Hetimit dhe për të dërguar pas hekurave “peshqit e mëdhenj”. E nominuara e Donald Trump për ambasadore në Tiranë, Yuri Kim ka dalë dje në një seancë dëgjimore në Senatin amerikan, ku ka paraqitur pikëpamjet e saj mbi misionin 3-vjeçar në Tiranë. Ajo e tha qartë se qëllimi kryesor i punës së saj do të jetë që reforma në drejtësi të shkojë deri në fund dhe të ngrihet sa më shpejt Byroja e Hetimit dhe SPAK. “Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të inkurajojnë Shqipërinë të zbatojë plotësisht reformat gjyqësore, të vazhdojë verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe krijimin e një strukture speciale të pavarur, Struktura Kundër Korrupsionit dhe Byroja Kombëtare e Hetimit. Unë gjithashtu do të dyfishoja angazhimin dhe ndihmën teknike amerikane në hetim, ndjekje penale dhe ndëshkimin e zyrtarëve të korruptuar dhe krimit të organizuar”, tha kandidatja për ambasadore e SHBA Yuri Kim. Deklarata e saj duket se është e ngjashme me ato të Donald Lu, çka tregon se kursi i SHBA nuk ndryshon.
Ndikimi rus e kinez
Ardhja e saj në Tiranë duket se është një makth dhe për filorusët. Teksa të hënën ishte zv/ambasadorja Leyla Moses Ones që dha alarmin për ndikimin rus e kinez, të njëjtën gjë ka bërë dhe kandidatja për ambasadore. Ajo u shpreh se do të punojë që Shqipëria të qëndrojë sa më larg ndikimit rus e kinez. “Do të ndihmoj shqiptarët të forcojnë institucionet e tyre që të kenë më shumë rezistencë ndaj përpjekjeve ruse dhe Kinës që përpiqet të infiltrojë në ekonominë e tyre. Do të punojmë ngushtë për të zhvilluar kapacitetet si aleat i NATO-s. Luftëtarët e huaj që janë të arrestuar është sfidë e madhe. Nëse konfirmohem ambasadore do të punoj me qeverinë për të zgjidhur këtë çështje. Ne kemi një mik të fortë dhe besnik si Shqipëri. Shqipëria ka qenë gjithashtu një partner i besueshëm global në koalicionin për të mposhtur ISIS-in. Do ta bëjë Shqipërinë gjithashtu një Aleat më të fortë, më të aftë të Shteteve të Bashkuara. Më thelbësore, unë do të forcoja ndihmën diplomatike dhe do të ndihmoj në forcimin e sundimit të ligjit dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha ajo.
Zgjidhja e krizës
Yuri Kim u shpreh se puna e saj do fokusohet në 3 aspekte. Ajo deklaroi se do të ndihmojë që të marrë fund kriza politike në Shqipëri. Kjo do të thotë se SHBA do të tentojë të ulë në tryezë Ramën e Bashën. “Fillimisht, do të inkurajoj Shqipërinë të vijojë me kursin e qëndrueshëm për të arritur në 2% të investimeve të mbrojtjes deri në vitin 2024, që kështu Shqipëria të jetë edhe më e fuqishme dhe e aftë si aleate. Së dyti, do të vazhdoj të promovoj zhvillimin demokratik të Shqipërisë. Në terma të menjëhershëm, unë do të shtyj drejtuesit e Shqipërisë për të zgjidhur ngërçin aktual politik në një mënyrë që përforcon kërkesën e pranimit të Shqipërisë në BE. Së treti, do të punoj për të promovuar eksportet dhe investimet amerikane në Shqipëri në mënyrë që të sigurohen mundësi për qytetarët e SHBA-së dhe Shqipërisë, si dhe të krijohen vende pune në të dyja shtetet”, theksoi Kim. /Rigels Seliman