Ish- kabinat e vjetra tek “Syri i Kaltër” janë rinxjerrë në një ankand të dyshimtë dhe jo transparent nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, pas kërkesës së shoqërisë ‘Albturist T.O’ Sha”, një shoqëri e falimentuar, e mbetur si rudiment, e cila nuk ka më asnjë pronë në zotërim.
“Syri i Kaltër” është një nga pasuritë natyrore më atraktive në Jug të Shqipërisë, shumë i vizituar nga turistët gjatë sezonit veror.
Vitin e kaluar, Administata e Zonave të Mbrojtura, prishi dy investimet që gjendeshin aty, lokalin e ngritur prej 20 vitesh pranë kabinave që po nxirren në ankand, dhe një lokal më të ri në hyrje të zonës, që po ashtu kishte kontratë qiraje nga Ministria e Mjedisit.
Të dy lokalet e shërbimit u prishën me brutalitet, duke u thënë pronarëve se Banka Botërore ka një plan për një investim 1.7 milionë euro dhe se lokalet do nxirren nga zona e “Syrit të Kaltër”.
Në fakt, nuk ndodhi asgjë, përveç prishjes.
Sivjet “Syri i Kaltër” ishte një gërmadhë dhe rrezikoi dhe jetën e disa turistëve nga rrëzimi i disa gurëve.
Tani befas del që nuk ka pasur asnjë plan të Bankës Botërore, por dikush i ka vënë syrin të spostojë dy investitorët që ishin, dhe të bëhet zot aty.
Siç shikohet qartë, Ministria e Financave ka përfunduar në kohë rekord procedurat për dhënien me qira të këtyre ambienteve.
Sipas dokumenteve, qeveria ka vendosur “dhënien me qira të pasurisë shtetërore me numër 652/1 vol. 4, faqe 15, zk. 2758, me emërtimin ‘Kabina Druri, 5 copë’, me sipërfaqe totale 470 m2, nga të cilat 220 m2 nën objekt dhe 250 m2 sipërfaqe funksionale, me vendndodhje në Syrin e Kaltër, Delvinë, në administrim të shoqërisë ‘Albturist T.O’ Sha”.
I pyetur nga gazeta TemA, ministri i Mjedisit, Blendi Klosi, tha se nuk është në dijeni të këtij ankandi dhe se mund të jetë një nga ato anomalitë e funksionimit të institucioneve.
Një javë më parë zoti Klosi ngriti alarmin për situatën tek “Syri i Kaltër” dhe theksoi se duhet ndërhyrje urgjente për ta kthyer zonën në një vend të sigurtë pë turizëm.
Duket se dikush tjetër po kujdeset, të bëhet pronar me 600 euro në muaj.